Me siguri kjo e sotmja e 15 dhjetorit duhet të jetë evakuimi më i madh i një qyteti që pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.
54 mijë banorë të Brindisit, afro 60 për qind e qytetit janë evakuuar nga banesat e tyre këtë të diel nga ora 5.00 e mëngjesit deri në orën 13.00, për tu akomoduar përkohësisht në qendra pritje dhe shkolla.
Shkak për këtë evakuim të pazakontë është bërë gjetja e një bombe me peshë 100 kg, në një ish-kazermë që shërbente gjatë luftës italo-greke, e cila frontin e kishte në jug të Shqipërisë.
Bomba sipas specialistëve të xhenios ishte hedhur aty nga forcat ajrore angleze RAF në vitin 1941 për të goditur portin dhe hekurudhën në qytetin e Brindizit që shërbenin si pika kalimi transporti për makinerinë fashiste të Musolinit në luftën italo-greke.
Bomba u pikas më 2 nëntor gjatë punimeve për restaurimin e Kinema Andromedas, ku një mekanik pikasi dy objekte të rrezikshme ku njëra u dëmtua, çka shpejtoi edhe operacionin e evakuimit.