Albi Xhunga: A pati vërtet një mesazh?

AKTUALITET


Nga Albi Xhunga

Një mesazh i supozuar që ka mbërritur në telefonin e zëdhënësit të presidentit Ilir Meta është bërë strumbullari i një debati për reformën në drejtësi që përpiqet të vërë në pikëpyetje praktikat e ndjekura nga diplomatët e huaj për instalimin e kësaj reforme.  Publikimi i këtij mesazhi nga shkëlqesia e tij në një moment kur ai ka nisur një luftë të hapur ndaj reformës në drejtësi (të cilën e quan ramaformë) dhe faktorit ndërkombëtar që e mbështet këtë reformë, synon të provojë deklaratat e tij se këtu po instalohet një reformë që është e kapur që në gjenezë dhe që kjo kapje ka bekimin e ndërkombëtarëve.


Autenciteti i mesazhit

Kush e vërtetoi që presidentit i ka ardhur vërtet ai mesazh? Kush e vërtetoi që ai mesazh është dërguar vërtet nga një diplomat? Nëse shkëlqesia e tij nuk e pati për gjë që për të mirën e vendit të tij të bëjë publik një mesazh privat, përse nuk bëri publik edhe emrin e diplomatit? A bën sens që presidenti të dojë të deligjitimojë përfaqësuesit më të rëndësishëm të trupit diplomatik në Tiranë dhe praktikat e tyre dhe të dojë të mbrojë identitetin e një diplomati të thjeshtë?

Presidenti na thotë se ka marrë një mesazh nga një diplomat që përcjell një qëndrim skandaloz, antikushtetues, tërësisht politik dhe tërësisht në shërbim të Edi Ramës.

Moderatori e pyet : SHBA dhe BE janë antikushtetues ? Presidenti thotë se këto nuk kanë lidhje me Amerikën, por janë lojra që bëjnë ekspertët këtu, që është e qartë që bëjnë politikën e Edi Ramës.

Përse atëherë presidenti nuk kontaktoi eprorët e këtij ose të këtyre ekspertëve për të denoncuar këto praktika, sipas tij të dyshimta?

Gazetaria nuk është religjion. Diskutohet mbi mesazhin por askush sot nuk mund të thotë nëse ky mesazh është dërguar vërtet nga një diplomat në telefonin e zëdhënësit të presidentit. Gazetarët përpara se të japin opinione duhet të verifikojnë faktin.

Besueshmëria e shkëlqesisë së tij

Fatkeqësisht politikanët tanë gënjejnë edhe sy për sy, ndaj faktesh të vërtetuara, jo më kur bëhet fjalë për një mesazh pa numër e për një diplomat pa emër. Për rastin e politikanit Ilir Meta nuk besoj se ka ndonjë zë aq të guximshëm sa të thotë se ai nuk gënjen kurrë.

Gjithsesi këtu nuk kemi nevojë të kujtojmë të gjitha rastet e deklaratave ta pavërteta të Ilir Metës si politikan, pasi nuk na e lejon formati. Do të na mjaftonte mesazhi i dalë nga zyra e tij presidenciale se për një diplomat të rëndësishëm në Tiranë (u aludua për z. Soreka dhe një zv. Ministre) do të publikohej një video erotike. Kjo video jo vetëm që nuk u publikua kurrë, por patëm edhe një maskaradë ku presidenti takonte kreun e SHISH dhe i bënte thirrje prokurorisë për të gjetur autorin e shantazhit. Pse duhet ta besojmë këtë herë shkëlqesinë e tij?

Sikur mesazhi të ishte i vërtetë

Edhe pse kemi të gjitha arësyet e mundshme për të aluduar për një mesazh të sajuar, nuk kemi të drejtën të themi me siguri se ai mesazh nuk ekziston. Por që të kemi të drejtë të japim opinione mbi mesazhin, shpesh duke përgojuar ambasadat më të rëndësishme në Tiranë, duhet t’i kërkojmë shkëlqesisë së tij të na provojë vërtetësinë e atij mesazhi.




Skip to toolbar