Albi Xhunga: I treti që fiton

Më të fundit


Një përplasje që nuk bëhet dot luftë

Strategjia e indiferencës duket se nuk i mjaftoi Lulëzim Bashës për të përballuar furinë e sulmit të foltoreve të doktorit të tmerrshëm. Deklarata se kohës së Sali Berishës i ka ardhur fundi duket se është sipari i një përplasjeje të pashmangshme mes dy rrymave pragmatiste të partisë më të madhe të opozitës. Nëse Berisha po luan si në ruletë, gjithçka ose asgjë, fatin e tij dhe të familjes së tij në këtë betejë të fundit, duket se edhe Basha e kaloi Rubikonin e tij. Tashmë mes babait dhe birit nuk mund të ketë gjë tjetër përveç luftës. Mbijetesa për njërin do të thotë vdekje për tjetrin. Njëri merr fronin, tjetri flaket në analet e harresës. E megjithatë babai dhe biri përplasjen, sado e egër qoftë ajo, nuk e çojnë dot deri në luftë. Arësyeja është e thjeshtë. Nga një luftë ku çdo armë është legjitime për t’u mbrojtur, ku çdo goditje nën brez është e lejuar për të dobësuar kundërshtarin, ku çdo informacion kompromentues është i justifikueshëm për t’i hapur varrin rivalit, asnjëri prej tyre nuk mund të fitojë. Kjo është si ajo përballja e luftës së ftohtë mes dy kundërshtarësh posedues armësh bërthamore, të cilët e dinë se përdorimi tyre e ka fuqinë të shkatërrojë kundërshtarin e urryer, por nëse shkatërron kundërshtarin ke firmosur edhe shkatërrimin tënd.

Atvrasje post-mortem

Lulëzim Basha më në fund e vrau babain e tij politik. Kjo atvrasje nuk ndodhi në pezullimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar demokrat, ku përveç frazës së pezullimit (jo përjashtimit, thjesht pezullimit) pjesa tjetër e fjalimit disaminutësh ishte e mbushur me glorifikimin e liderit historik. Atvrasja ndodhi atëherë kur u pa qartë se doktori nuk është nga ato kafshë politike që mund të plagosen, por e vetmja zgjidhje për to është t’i vrasësh dhe t’u djegësh kufomën që të mos ringjallen dot më. Dhe Basha bëri pikërisht këtë. Deklarata se kohës së Berishës i ka ardhur fundi është realisht vrasja e babait politik, megjithëse koha kur ndodhi është post-mortem. Berisha ishte vrarë ndërkohë nga SHBA-të. Ndërsa deklaratat se PD nuk mund të shërbejë më si bunker për të mbrojtur Sali Berishën është vulosja e doktorit si mëkatari që dëshiron të fshihet pas partisë duke e mbajtur atë peng, njësoj si terroristët që përdorin si mburojë të pafajshmit.

Përplasje e vonuar

Ironikisht të dy protagonistët e përplasjes në PD kanë kundër tyre pikërisht vonesën e sulmit ndaj kundërshtarit, çka i zhvesh kauzat e tyre nga çdo pretendim moral. Nëse për të vënë në dukje pragmatizmin e Berishës mjafton fakti se nuk e sulmoi Bashën as pas humbjes së vitit 2017 e as pas humbjes së këtij viti, por e sulmoi pikërisht në momentin kur u godit prej tij, e njëjta gjë vlen edhe për Bashën. Kreu demokrat nuk kishte pse priste amerikanët për të goditur doktorin. Justifikimi se informacionet e ardhura nga përtej oqeanit i hapën sytë, thjesht nuk vlejnë. Duke qenë dy mandate rresht ministër i Berishës ai duhet të ketë qenë në dijeni për mëkatet e ish shefit të tij. Fakti që nuk ka folur për to ka vetëm dy shpjegime; ose ka qenë sylesh, ose ka qenë i përfshirë (varianti i dytë duket më i mundshëm).

Nëse vonesa duket e dëmshme për Berishën, ajo është fatale për Bashën. Lulëzim Basha i ngjan sot asaj bretkosës së eksperimentit, të cilën kur e hodhën në ujë të valuar kërceu dhe shpëtoi, por kur e lanë të ziente ngadalë brenda në ujë ngordhi. Bretkosa  u kujtua shumë vonë të kërcente jashtë jashtë, pasi ndërkohë uji i nxehur ngadalë ia kishte mpirë gjymtyrët. Lulëzim Bashën nuk e hodhën në ujë të valuar që ai të kishte shansin të reagonte duke kërcyer jashtë. E lanë të ziente ngadalë duke menduar se i kishin lënë mbretërimin, ndërkohë që i kishin lënë regjencën, jo deri sa të rritej delfini, por deri kur t’i duhej sërish froni mbretit kokë-prerë. Tani që ai do të kërcejë jashtë për të shpëtuar është shumë vonë. Gjymtyrët ia ka ‘’mpirë’’ doktori i tmerrshëm. Lulëzim Basha do të reagojë, por koha e reagimit ka kaluar. Partia po i rrëshqet nga duart çdo ditë e më shumë.

Kush fiton në fund ?

Rrethmi që po i bën doktori asaj çfarë ka mbetur nga kështjella demokrate duket fatal për burokratët me Bashën në krye. Atyre iu ka mbetur vula e partisë, ‘’dashamirësia’’ e kryeministrit dhe përkrahja formale amerikane. Është e sigurt se Amerikanët do të bëjnë ‘’block’’ çdo forcë politike të drejtuar nga i shpalluri non grata prej tyre, mirëpo nuk po bëjnë asgjë për të përkrahur benjaminin e tyre në PD. Doktrina nuk ua lejon të hyjnë dhunshëm në një përplasje brenda llojit në një parti politike. Demokraci do të thotë votë dhe deri tani duket se shumica në PD është me doktorin. Ata mund t’i mbyllin rrugën çdo bashkëpunimi me një PD berishiste, por nuk mund të bëjnë asgjë për të mbajtur në krye të partisë Bashën. Vetëm në një ndarje eventuale të PD-së, ata do të njihnin PD-në e Bashës. Por a mjafton kaq? A nuk do të ishte kjo PD e Bashës shumë e vogël për të bërë një opozitë reale në Shqipërinë e rilindësve që kanë të gjitha pushtetet? A nuk do të ishte ndarja e PD-së një tragjedi për opozitarizmin?

Berisha mund të fitojë betejën, por jo luftën. Rifitimi i një PD-je të lodhur e të përçarë nuk mund të jetë ilaçi çudibërës për moshën biologjike dhe ‘’hallin amerikan’’ të doktorit. Nëse do të kishte ndonjë shpresë sado të vogël tek Tribunali i Parisit nuk do të kishte gënjyer publikisht dhe paturpësisht se gjykata franceze ia kishte pranuar padinë. Varianti i një Amerike që tërhiqet nga shpallja non grata nuk është realist. Vërtet në fundvitet 90 doktori u prish me amerikanët dhe në vitin 2005 marrdhënia u rivendos, por atëherë Berishën nuk e kishte shpallur publikisht non grata si të korruptuar, si pengues të drejtësisë e të demokracisë, vetë sekretari i shtetit.

As Basha nuk mund të dalë fitimtar nga kjo përplasje. Edhe nëse doktorin e nxjerr nga loja SPAK-u i kontrolluar nga amerikanët Basha nuk mund të rrijë në krye të partisë sikur nuk ka ndodhur asgjë. Reputacioni i tij, i cili edhe para sulmit të doktorit ishte shumë i dobët, sot është rrënuar. Përveçse është një humbës serial, siç me të drejtë thotë Berisha, Basha po duket të jetë një kryetar pa parti. Edhe sikur Berisha të mos jetë më në krye të sulmit ndaj Bashës, sulmi do të vazhdojë. Ata që e sulmojnë sot nën flamurin e doktorit do ta kenë të pamundur nesër të rreshtohen nën mbretërimin e tij pa u margjinalizuar. Ata e dinë këtë, ndaj lufta iu mbetet i vetmi opsion. Ndaj dhe me një Berishë lashtë loje PD-ja duket se do të shkojë drejt ndarjes. Përplasja ka shkuar tashmë shumë larg dhe një kompromis mes dy kampeve duket i pamundur.

Por ka edhe një variant që mund ta mbajë të bashkuar Partinë Demokratike. Hapja e një procesi zgjedhor për kreun e partisë ku as Berisha e as Basha nuk janë kandidatë. Ky do të ishte variant më i mirë për demokratët, pasi do ta mbante partinë të bashkuar. Ky do të ishte variant më i mirë edhe për amerikanët, pasi një PD e ndarë do ta linte Shqipërinë pa një opozitë të qenësishme dhe do ta linte vendin pa asnjë balancë politike. Tani është e vështirë të identifikohet i treti që do të fitonte nga sherri i Berishës me Bashën, por për të pasur garanci se kryetari i ri nuk do të jetë një kukull e njërit prej tyre, do të duhej të ishte një figurë që ka qenë kundra të dyve.

Nëse kjo nuk ndodh, partia e parë opozitare shqiptare është e destinuar të shkojë për skrap.



Skip to toolbar