Pas goditjes së liderit historik të Partisë Demokratike vihet re një trullosje e të gjithë klasës politike shqiptare. Kjo trullosje ka disa shkaqe dhe në krahë të ndryshëm të skenës politike ato janë të ndryshme. Në Partinë Demokratike trullosja është më e fortë, jo vetëm sepse u godit lideri i tyre historik, por sepse kjo ndodhi pas humbjes së tretë radhazi dhe në mes të procesit të zgjedhjes së liderit të ri për të udhëhequr demokratët në katër vitet e ardhshme. Të gjithë kandidatët e shpallur për garën e 13 qershorit kanë qenë solidarë, ose së paku të kujdesshëm në lidhje me qëndrimin ndaj goditjes së Berishës nga administrata amerikane. Duhen pritur zgjedhjet në PD për të parë nëse kjo është një strategji për të mos u armiqësuar me mbështetësit e tij në antarësinë e partisë, apo sepse këta kandidatë janë produkte direktë ose indirektë të tij në vitrinën e PD dhe nuk kanë sesi të godasin mirëbërësin, babain e tyre politik. Është gjithashtu e mundshme që kandidatët për kryetar të PD të mos e kenë kuptuar se pas kësaj goditje vdekjeprurëse berishizmi është i marrë fund me gjithsej në politikën shqiptare, përfshirë brenda Partisë Demokratike dhe se tani është koha për të zbritur nga anija që po mbytet. Ndaj Berishës dhe familjarëve të tij do të ketë procese penale. Nëse shumëkush kishte dyshime për këtë deri më sot, goditja nga SHBA-të i jep këtij varianti siguri matematike. Këtu Berisha dhe mbështetësit e tij do të gjejnë dhe provat e munguara të goditjes nga SHBA. Nëse lidershipi i ri që do të dalë nga zgjedhjet për kreun e partisë nuk zbret nga anija që po mbytet, nuk distancohet qartë dhe nuk dënon Berishën dhe berishizmin, ky do të ishte fundi për partinë e parë opozitare shqiptare. Shkrirja totale do të ishte thjesht çështje kohe.
Lëvizja Socialiste për Integrim është edhe më e shushatur dhe nuk ka e as nuk pritet të ketë reagim. Reagimi erdhi nga shkëlqesia e tij, presidenti i republikës, si një mbështetje padrinosh që i pret i njëjti fat. Në përplasjet me amerikanët Berisha ishte një engjëll krahasuar me shkëlqesinë e tij. Ilir Meta kaloi çdo limit me sulmet e hapura ndaj SHBA-ve dhe ambasadores gjatë një emisioni televiziv. Mesazhet e vetësakrifikimit si Salvador Allende, apo krahasimi i Shqipërisë me Korenë e Veriut ishin mesazhe kundra SHBA. Ilir Meta ka aq përvojë politike sa ta dijë se ka shkuar shumë larg duke sulmuar aleatin e madh nga kolltuku i kreut të shtetit shqiptar. Sjelljet e tij nuk ishin pjesë e një plani që do të mund të çonte në një rrugëdalje. As një fitore eventuale e opozitës nuk do të mund ta shpëtonte nga SHBA dhe ç’është më e rëndësishmja, nga drejtësia e re e përkrahur prej tyre. Sjelljet dhe qëndrimet e tij shprehnin vetëm dëshpërim. Në ceremoninë e ‘’DEFENDER 21’’ u ftua institucioni i presidentit shqiptar, jo Ilir Meta.
Një reformim i LSI dhe ndarje të qartë nga Ilir Meta është e vështirë të imagjinohet. Por është edhe më e vështirë të imagjinohet mbijetesa e kësaj partie pas fshirjes së Metës nga jeta politike dhe proceseve penale ndaj tij.
Partia Socialiste duket në qiellin e shtatë pas fitores së mandatit të tretë. Mirëpo goditja e Sali Berishës, dënimi i ish kryeprokurorit Llalla dhe rihapje çështjesh si Gërdeci, nuk mund t’i lenë indiferentë qeveritarët e tetë viteve me plot abuzime dhe akuza për korrupsion.
Drejtësia ka për simbol balancën dhe nuk mund të ketë drejtësi nëse balanca mungon duke u goditur vetëm njëri krah. Sot demokratët janë të zhgënjyer, por zhgënjimi më shumë se nga goditja e Berishës, vjen nga perceptimi se goditja është preferenciale, pasi po goditet ai që është i shtrirë në tapet dhe që është larguar nga pushteti prej kohësh dhe jo mëkatarët e 8 viteve të fundit. Mirëpo vektorë të rëndësishëm të Partisë Socialiste e dinë mirë se me goditjen e Berishës historia nuk përfundon, thjesht fillon. Nëse Zeusi amerikan zgjodhi kokën e Berishës për të hedhur rrufenë e parë, fryma mbahet për të parë në cilën kokë do të bjerë e dyta, e treta e kështu me radhë. Deri në ç’nivel do të shkojë goditja ndaj pushtetarëve mbetet për t’u parë. Por që do të goditen fort së paku në nivel ministrash, kjo është tashmë e sigurt.
Teoria e bandave
Teoria e Fatos Lubonjës, sipas së cilës ne nuk kemi tre parti politike por tre banda ngjiti sepse i korrespondonte të vërtetës. Partitë tona nuk i përgjigjen definicionit të një partie politike. Në to nuk ka zgjedhje reale, nuk ka forume reale, nuk ka sistem vlerash, nuk ka doktrinë, nuk ka ideologji.
Por së fundmi Lubonja ka një tjetër teori. I mërzitur për sukseset e ish mikut të shndërruar në armik të betuar, Lubonja thotë se është më mirë të kemi tre banda që duke rivalizuar kontrollojnë njëra-tjetrën dhe kjo krijon njëfarë balance, sesa eliminimin e dy bandave dhe dominimin e skenës nga një e vetme që është banda e tretë. Në fakt realiteti është ndryshe. Nëse skena politike vazhdon e funksionon me tre banda, banda në pushtet e fiton legjitimitetin duke treguar me gisht dy bandat e tjera, siç edhe ka ndodhur. Por nëse dy bandat në opozitë reformohen, kjo do të ndryshonte klimën politike, moralin e munguar politik dhe banda në pushtet do të mbetej e vetme përballë shqiptarëve. Në këtë rast ajo nuk do të kishte as justifikim e as mbështetje ndërkombëtare dhe nuk do të duhej të prisnim 4 vjet për ta rrëzuar. Asnjë bandë është më mirë se tre të tilla.