Albi Xhunga: Në kërkim të armiqve

Më të fundit


Fillimi i vrullshëm i sulmeve të furishme të doktorit të tmerrshëm bëri të madh e të vogël të mendonte se rimarrja e Partisë Demokratike do të ishte thjesht çështje ditësh. Këtë ide e përforconte edhe reagimi më shumë se i ndrojtur i autokratëve në PD me Lulëzim Bashën në krye. Politikanë e analistë nxituan t’i shprehnin publikisht besnikërinë dhe përuljen mbretit të rikthyer. Tashmë nuk diskutohej më nëse doktori do të merrte partinë, pasi kjo quhej punë e kryer. Planet e berishistëve shkonin goxha më larg. Tani Edi Rama duhet të përgatitej të lironte zyrën dhe zonja Kim duhet të përgatitej t’u kërkonte falje për barin e ofruar në menunë me vetëm një zgjedhje. Optimistët e kësaj lëvizje shkonin edhe më larg, duke përfytyruar se si Uashingtoni do ta hante turpin me bukë dhe do të ‘’përfitonte’’ nga deklarata e liderit nga Viçidoli e bërë në Air Albania se rast të një apologjie të amerikanëve ai do të denjonte ta pranonte. Se imagjinoni që, larg qoftë, Departamenti i Shtetit të kërkonte falje dhe Berisha të mos e pranonte. Të paktën deklarata e tij i siguronte amerikanët se falja do të pranohej me zemërgjerësi nga zoti i shesheve shqiptare.

Mirëpo gjenerali i madh gjeti përpara tij atë që Bonaparti gjeti në Rusi, zbrazëtinë. Askush nga armiqtë e tij nuk i dha betejë. Dhe nuk ka gjë më shkatërruese për një ushtri të motivuar se sa mungesa e armikut përballë. Berisha e dinte se beteja nuk do të ishte e lehtë. Megjithë deklaratat për motivimin e ndjekësve, se fitorja është afër dhe se lëvizja e foltoreve do të trondisë jo vetëm Shqipërinë, por Europën mbarë dhe se jehona do të ndihet deri në Uashington, Berisha e dinte se kjo ishte një betejë e dëshpëruar. Edhe pse në planet e tij marrja e PD-së parashikohej një ndërmarrje e lehtë, ‘’halli amerikan’’ dhe zyra e kryeministrit ishin objektivë që i tejkalonin fuqitë e një politikani 77 vjeçar të konsumuar. Mirëpo edhe pse i hyri detit në këmbë, Berisha do të donte që kjo ndërmarrje t’i ngjante asaj të Leonidhës që iu turr persëve me vetëm 300 spartanë edhe pse humbja fatale ishte e sigurt. Por zbrazëtia që gjeti përballë po rezulton më shkatërruese se çdo forcë kundërshtare.

Donte betejë me Lulëzim Bashën për të rimarrë partinë, por ish benjamini i tij ka aq kohë në PD sa ta dijë se hyrja në betejë në terrenin e doktorit është vetëvrasëse. Marrja pjesë në kuvendet dhe referendumet e organizuara nga doktori do të thoshte të hyje në filozofinë staliniste se ‘’pak rëndësi ka kush voton, rëndësi ka kush e numëron votën’’. Ndaj Lulëzim Basha bën atë që di të bëjë më mirë, shmanget. Ai i shmanget një beteje nga e cila nuk mund të fitojë asgjë të cilën nuk e zotëron tashmë. Ai është kryetari i PD, i njohur nga shteti shqiptar dhe nga ndërkombëtarët. Ai ka shumicën e grupit parlamentar demokrat, ka shumicën e kryesisë, ka shumicën e kryetarëve të rretheve. Doktori dhe përkrahësit e tij pretendojnë shumicën në kuvend, në referendum, por kjo ka fare pak rëndësi për sa kohë kuvendi dhe referendumi janë lehtësisht të kundërshtueshëm në procedurë, pasi nuk kanë kaluar nga strukturat e partisë. Ajo vulë për të cilën Lulëzim Basha është tallur jo pak herë, sot vlen më shumë se ari. E gjitha kjo bën që doktori të endet nëpër foltore e mitingje si çifuti në shkretëtirë pa gjetur përballë asnjë armik. Berishën nuk po e mund Lulëzim Basha, Berishën po e mund berishizmi. Vrasja e garës që ai vetë ka instaluar në PD është sot armiku i tij kryesor. Pra garë nuk ka, ka vetëm zbrazëtirë.

Doktori do të donte betejë edhe me amerikanët, të cilët i shembën gjithë çka ai ka ndërtuar në këto tre dekada lidership politik. I shembën fabulën e integritetit moral, e flakën jashtë politikës dhe ç’është më e keqja, i damkosën edhe familjarët e tij si përfitues të korrupsionit të tij. Mirëpo një gjykatë lokale në Paris të Francës nuk mjafton për t’i tërhequr amerikanët në betejë. Edhe deklaratat e gënjeshtërta se gjykata e ka pranuar padinë e tij ndak sekretarit të shtetit nuk ngjalli as reagimin më të vogël amerikan. Duket se për amerikanët Berisha thjesht nuk ekziston më. Ai nuk konsiderohet më lojtar në skakierën e vogël shqiptare dhe kjo e vret doktorin më shumë se çdo damkosje publike. Edhe këtu doktori gjen përpara tij zbrazëtinë vrastare.

As Edi Rama nuk duket se ka ndërmend t’i japë betejë doktorit. Megjithëse në çdo foltore e në çdo miting Berisha nuk harron të shigjetojë kryeministrin, Rama nuk i përgjigjet. Zgjedhja e kryeministrit duket më shumë se e zgjuar. Për sa kohë ai rri indiferent, kundërshtarët e tij do të vazhdojnë të ‘’hanë’’ njëri-tjetrin dhe ai mund të vazhdojë të qeverisë i qetë, megjithë skandalet e njëpasnjëshme me të cilat po përballet qeverisja e tij.  Por nëse ai zbret në fushëbetejë duke faktorizuar Berishën, kjo rrezikon që t’i kthejë kundra amerikanët dhe të motivojë demokratët, të cilët teorikisht edhe mund t’i harrojnë inatet mes tyre kur përballë është ai, i tmerrshmi, uzurpuesi i pushteteve, gllabëruesi i votave.  Pra edhe këtu përballë është asgjëja, hiçi, zbrazëtira.

E megjithatë doktori do përballje, do betejë, do luftë. Por përballje s’ka, betejë nuk duket gjëkundi, luftë jo e jo. Zbrazëtira është armiku që ai kurrë nuk e kishte imagjinuar. Zbrazëtira në politikë do të thotë shpërfillje dhe për dikë që për tre dekada ka qenë në krye të skenës shpërfillja është më keq se çdo humbje, se çdo vënie nën akuzë, se çdo proces penal. Kur të shpërfillin do të thotë se ti nuk vlen më asgjë.

Mirëpo njeriu që do luftë do ta gjejë dëshpërimisht një kundërshtar. Vërtet në Shqipëri nuk ka mullinj me erë, por fatmirësisht bravat nuk mungojnë.



Skip to toolbar