Pas prishjes së marrëveshjes politike Vetëvendosje-LDK, Vjosa Osmani u gjend në një situatë të çuditshme, e përjashtuar nga partia e saj, por me shumë pushtet, kryeparlamentare dhe presidente në detyrë e Kosovës.
Kryesia e LDK nuk e pati të vështirë ta largojë atë nga rradhët e saj, por mesa duket shkarkimi nga posti i kryeparlamentares duket të ketë qenë një ekuacion goxha më i komplikuar, po të merret parasysh përkrahja që ajo ka nga Vetëvendosja dhe se maxhoranca Hoti po qëndron në këmbë vetëm falë ngurimit të PDK-së për të përkrahur një mocion mosbesimi që me shumë gjasa do e çonte Ksovën në zgjedhje të parakohshme.
Kjo situatë e pazakontë në skenën politike kosovare e katapultoi Vjosa Osmanin në postin më të lartë të shtetit, status nga i cili ajo nuk nguroi të përfitonte.
Vizita në Tiranë
Normalisht një president/e në detyrë nuk bën vizita shtetërore, së paku kur kjo vizitë nuk është e domosdoshme. Nëse Vjosa Osmani dëshironte të vizitonte Tiranën mund ta kishte bërë shumë mirë në cilësinë e kryeparlamentares, detyrë për të cilën edhe është votuar. Fakti që ajo e realizoi vizitën si presidente në detyrë lidhet ndoshta me kompetencat që posti i presidentit i Kosovës ka në politikën e jashtme të shtetit. Këtu duhet kujtuar debati Kurti-Thaçi, njëri kryeministër e tjetri president, në lidhje me rolin kushtetues të presidentit në politikën e jashtme të Kosovës.
Këtë parashtrim e bën të nevojshëm qëndrimi dhe deklaratat e Vjosa Osmanit në Tiranë. Kërkesat e saj ndaj Tiranës zyrtare për minishengenin dhe dënimit nga Shqipëria të genocidit serb në Kosovë janë jo realiste dhe problematike nga të gjitha pikëpamjet.
Së pari Vjosa Osmani nuk është votuar si presidente dhe kërkesa të tilla në cilësinë e presidentes lënë shijen e përfitimit politik nga një post i pamerituar.
Tingëllon së paku fyese t’i kërkosh Shqipërisë të dënojë genocidin serb në Kosovë. Ndoshta Shqipëria do të duhej ta kishte miratuar një rezolutë në Kuvend për genocidin serb në Kosovë në këto 20 vjet (lufta ka mbaruar më 1999), por që ajo ta bëjë këtë sot sepse këtë e kërkon një një politikan kosovar është jo dinjitoze për shtetin shqiptar. Për më tëper genocidi serb në Kosovë është sot i njohur ndërkombëtarisht me deklarata shtetërore e me vendime gjykatash ndërkombëtare (drejtues të ushtrisë serbe janë dënuar me këtë akuzë) dhe një rezolutë e Kuvendit të Shqipërisë nuk do të ndryshonte asgjë. Përkundrazi, nëse kjo rezolutë do të miratohej tani, do të dukej sikur të gjitha qeveritë shqiptare deri më sot nuk e kanë njohur genocidin serb në Kosovë, çka përveçse nuk i përgjigjet realitetit, është edhe fyese për shtetin shqiptar.
Nëse kërkesa e parë është problematike në raport me shtetin shqiptar, kërkesa e dytë që lidhet me minishengenin është problematike edhe për faktorin perëndimor.
Minishengeni është një inicitivë e Bashkimit Europian, e përkrahur edhe nga SHBA-të. Një marrëveshje ku përfshihej edhe minishengeni u firmos në Stëpinë e Bardhë.
Të jesh kundra minishengenit do të thotë të jesh kundra trendit të kohës ku shtetet heqin barrierat për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave, kundër filozofisë që formoi dhe mban në këmbë Bashkimin Europian dhe kundër faktorit perëndimor, i cili duhet theksuar se është në unison të plotë për këtë çështje. Ndaj t’i kërkosh Shqipërisë tërheqjen nga minishengeni është totalisht delirante.
Çfarë luhet në Kosovë dhe roli i Vjosa Osmanit
Për arësyet që përmendëm më sipër, kërkesat e Vjosa Osmanit duhen parë vetëm në dritën e politikës së ditës në Kosovë. Mirëpo edhe në këtë këndvështrim këto kërkesa nuk janë realiste dhe mbajnë erë populizëm.
Zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Kosovë ka shumë gjasa që të jenë të parakohshme, si pasojë e situatës së paqëndrueshme politike dhe mungesës së një konsensusi politik për zgjedhjen e presidentit. Sipas të gjitha parashikimeve forca e parë do të jetë sërish Lëvizja Vetëvendosje. E gjithë dilema mund të jetë nëse Vetëvendosje do të fitojë mbi 50 përqind të votave siç pretendon, apo për të krijuar maxhorancën do të ketë nevojë edhe për votat eventuale të Vjosa Osmanit dhe të forcës së re politike të cilën ajo do të formojë për të garuar në zgjedhje.
Këtu vijmë në rolin politik të Vjosa Osmanit në një konfigurim të ri të pushtetit në Kosovë.
Munndësitë janë dy; ose Vetëvendosje fiton e vetme, ose për të bërë shumicën do t’i duhet edhe përkrahja e Vjosa Osmanit. Në variantin e parë Vjosa Osmani del jashtë loje si e panevojshme politikisht dhe për këtë mund të shpërblehet me një post, por pa vendimmarrje politike. Në varintin e dytë ajo mund të shihet si një barrierë për Vetëvendosjen dhe politikat e saj revolucionare. Kjo do ta balanconte pushtetin e ri në Kosovë. Duke qenë një politikane që vjen nga një parti e djathtë, Vjosa Osmani do të ishte një garanci se pushteti i ri nuk do të jetë represiv dhe se marrëdhëniet e Kosovës me Perëndimin nuk do të viheshin në rrezik nga një forcëe cila qëndrimet anti-perëndimore i ka pasur konstante. Mirëpo vizita e saj në Tiranë dhe kërkesat drejtuar Tiranës zyrtare heqin çdo iluzion për këtë rol balancues të Vjosa Osmanit.
Nëse për qëndrimet e saj të deritanishme në një linjë me Vetëvendosjen Vjosa Osmani justifikohej se kjo ishte pjesë e politikave të paraqitur përpara qytetarëve të Kosovës në zgjedhjet e 6 tetorit të vitit të shkuar dhe se qëndrimi i saj nuk kishte ndryshuar, kërkesat paraqitur Tiranës zyrtare tejkalojnë premtimet elektorale të zonjës Osmani dhe si rastësisht janë në linjë të plotë me politikat e Vetëvendosjes, të artikuluara fillimisht nga lideri i saj, Albin Kurti.
Pra kush ka pasur iluzione për rolin balancues të zonjës Osmani në politikën e Kosovës tani mund të flejë i qetë. Në rastin më të mirë ajo do të jetë vetëm një truk, përmes të cilit vota e votuesve të djathtë në Kosovë do të devijohej në përkrahje të revolucionit vetëvendosës..
