Xhunga: Rama fitoi ndaj Bashës, edhe nëse humb zgjedhjet

Më të fundit


Nga Albi Xhunga

Në zhvillimet e sotme, ku Edi Rama me një lëvizje brilante i çorri maskën lidershipit opozitar, duke i bërë qesharakë deri në palcë në sytë e të gjithë shqiptarëve, përfshirë mbështetësit e tyre (këtu natyrisht nuk mund të fusim ata që ende besojnë se kuçedrën e vrau qerosi dhe se komunizmin në Shqipëri e mposhti Sali Berisha) . 

Nëse deri tani kishin alibira të tipit ‘’heqja e koalicioneve dhe vendosja e pragut 5% i shërben Partisë Socialiste’’, lëvizja e fundit e Edi Ramës iu uli edhe ato qe ulen vetem ne tualet.

Nëse Edi Rama është burrë i mirë apo burrë i keq, nëse e ka të sinqertë dëshirën për lista të hapura apo jo, këto mund t’i diskutojmë në një shkrim tjetër. Ajo që ndodhi sot, edhe në qoftë një lojë politike e llojit ‘’të hedhim në tregun politik diçka që kundërshtari do ta rrefuzojë me forcë dhe për këtë shkak ajo do të dështojë’’ tregon nivelin e tmerrit nga vota e hapur të lidershipit opozitar. Pasi i bëri të lëpijnë ku kishin pështyrë me neveri për më shumë se një vit rresht (qëndrimi ndaj opozitës parlamentare), i nxjerr sot përpara botës më të dobët se kurrë, më të frikësuar se kurrë, më qesharakë se kurrë.

Kjo në fakt tregon se ku është prioriteti i lidershipit opozitar. Të tmerruar nga Reforma në Drejtësi, të vetëdijshëm se në zgjedhjet e vitit të ardhshëm shanset e tyre janë zero dhe të paaftë të ruajnë lidershipin e tyre nëse listat hapen, ajo që mund të ruajnë duke mbajtur status quo-në është vetëm vula e partisë.

Numrat thonë se koalicioni opozitar mund të konkurojë me PS-në në zgjedhjet e ardhshme, por ylberi që formon këtë koalicion, me çamë e me grekë, me të djathtë e me të majtë, me liberalë e me konservatorë, me ballistë e me komunistë, me legalistë e me fashistë, e bën atë një bashkim pa asnjë filozofi, pa asnjë princip, pa asnjë program qeverisës e pa asnjë mbështetje ndërkombëtare (sepse partitë kryesore janë kundër Reformës në Drejtësi). Do të mjaftonte vetëm LSI për të parë se sa parime ka ky koalicion. Ishte me taksën e sheshtë në vitet 2009-2013, u bë me taksën progresive në vitet 2013-2017 dhe tani është përsëri me taksën e sheshtë. Nëse do të gjejnë më mirë mund të përkrahin edhe ndonjë taksë skiç, taksë 100% ose taksë zero. 

Nëse në prag të zgjedhjeve (pak rëndësi ka se me cilin sistem shkohet në zgjedhje) Edi Rama e sheh se nuk i bën dot 50% plus 1, atëherë ai mund t’i heqi këtij koalicioni aq ngjyra sa do t’i duhen për të përfunduar pikturën e tij të rradhës. Për këtë mjafton të japë pak pushtet. Këtë e di Edi Rama, e di z. Luli Basha, e di zonja Monika Kryemadhi, e dinë edhe të tjerët. 

Kishte shumë gjasa që lidershipi opozitar të qesharakëzohej edhe nëse do t’i pranonte listat e hapura. Nëse liderët opozitarë do të merrnin më pak vota se anëtarë të tjerë në partitë e tyre, nuk do të mund të ruanin vulat e partive pa u bërë qesharakë. Por ama ka një diferencë të madhë që humbësh në betejë (listat e hapura krijojnë betejë edhe brenda partisë) dhe të dorëzohesh pa luftë. Kjo që i ndodhi lidershipit opozitar ishte rrufe në qiell të hapur, çka mund të shpjegojë edhe përçartjen e tipit ‘’erdhi e më tha ti kryeministër, unë president’’. Ç’kuptim ka të kërkosh heqjen e koalicioneve nëse arrin një marrëveshje me kundërshtarin ?

Të humburit në këtë histori jemi ne, shqiptarët. Duhet të kesh minimumi dy alternativa kur shkon në dhomën e fshehtë të votimit, ndërkohë që falë kësaj opozite shqiptarët ose mund të zgjedhin pushtetin tashmë 8 vjeçar, ose këtë opozitë qesharake, ose të zgjedhin dikë tjetër dhe votën t’ua ‘’numërojnë’’ këta. 

Për të ruajtur vulën e partisë z. Luli Basha tradhëtoi çdo kauzë që ka proklamuar deri me sot. Tani ose mund t’i urojmë që kur të shkojë përpara SPAK të mos harrojë të marrë vulën me vete, ose si pleqtë e jugut ta mallkojmë të humbtë vula z. Luli Basha. 



Skip to toolbar