Albin Kurti heq taksën 100%. Serbia ka afat 90 ditë për të reflektuar

KOSOVA


Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që tarifa për lëndën e parë që vjen në Kosovë nga Serbia dhe Bosnja, të hiqet nga data 15 mars.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media ka thënë se pas takimeve me Odat dhe Shoqatat e ndryshme të ndërmarrësve vendorë dhe pas analizës, ka vendosur që nga data 15 mars të hiqet taksa për lëndën e parë që importohet nga Serbia dhe Bosnja.

Ai ka thënë se pas kësaj kërkojnë nga Serbia ta ndalojë fushatën për çnjohje të pavarësisë së Kosovës, duke shtuar se nëse pala serbe zotohet dhe dëshmon përkushtim të mirëfilltë dhe zotohet për heqje të shpejtë të barrierave, duke filluar nga data 1 prill do ta heqë tarifën komplet për një periudhë prej 90 ditësh.

“BE ta vlerësojë lart heqjen e tarifës duke ofruar liberalizimin e vizave para Samitit të Zagrebit. Nëse Serbia nuk e përfill qëndrimin e Kosovës dhe nuk fillon heqjen e barrierave, me fillim nga data 1 prill do të nisë zbatimi i reciprocitetit, njëherë me fushën e tregtisë e pastaj në fushën ekonomisë. Në rast se pala serbe nuk reflekton as pas një periudhe 90 ditësh për heqjen e tarifës për lëndën e parë, atëherë Qeveria nga data 15 qershor do ta kthejë tarifën, deri në zbatimin e reciprocitetit”, ka thënë kryeministri Kurti, raporton Koha.net.

Ai ka thënë se SHBA-ja dhe BE-ja duhet të dalin që në fillim me instrumente të detajuara dhe afate kohore që listojnë benefitet nga angazhimi i sinqertë i palëve për kalimin e barrierave ekonomike.

“Rivlerësimi i këtij vendimi varet nga rezultatet që prodhohen nga arritja e këtyre objektivave. Reciprociteti i plotë tregtar dhe ekonomik instalohet pas 15 qershorit”, ka thënë Kurti.

Ai ka thënë se nga Ministria e Ekonomisë është mësuar se ka një dosje të madhe të shkeljeve të marrëveshjeve të CEFTA-s nga ana e Serbisë.

“Unë kam pasur një takim me zëvendëskryeministrin Hoti dhe e kam njoftuar në vija të trasha për heqjen e tarifës për lëndën e parë dhe reciprocitetin në anën tjetër”, ka thënë ai.

Kurti tutje ka shtuar se me konceptin e reciprocitetit kanë garuar dhe i kanë fituar zgjedhjet.

Ai thotë se ky është princip i rregullimit të marrëdhënieve ndërkombëtare, duke shtuar se reciprociteti është derivat i barazisë.

Kurti ka thënë se kjo nuk është ide e re për aleatët e vendit dhe se shumicës së tyre ua ka shpalosur idenë e reciprocitetit dhe heqjen e tarifës për lëndën e parë.

Ai ka shtuar se i dëgjon kërkesat e faktorëve ndërkombëtar, por se është i thirrur që të mbrojë interesat e qytetarëve të Kosovës.

“Unë dëgjoj me vëmendje kërkesat e faktorëve ndërkombëtarë, jam shumë i durueshëm e shumë bashkëpunues por në fund të fundit jam kryeministër i Kosovës, jam i thirrur që të mbroj interesat e qytetarëve të Kosovës. Besnikëria ime e pakushtëzuar është e lidhur me ata qindra mijëra votues dhe para së gjithash unë i përgjigjem atyre gjithnjë në koordinim me faktorin ndërkombëtar”, ka thënë ai.



Skip to toolbar