Aleatët në një mendje me Bashën: Në fillim kriza, pastaj reforma

POLITIKË


Opozita e bashkuar ka preferuar të shprehet se “është në një mendje me Bashën” në lidhje me ftesën e kryeministrit Rama për të nisur një dialog me pjesëmarrjen e të gjitha partive politike për Reformën Zgjedhore. Pas një takimit të zhvilluar në selinë blu për më shumë se 60 minuta mes Bashës dhe aleatëve të tij,  ku ndër të tjera është diskutuar edhe për dialogun për reformën zgjedhore, aleatët thanë shkurt se në fillim duhet të zgjidhet kriza. Pas përfundimit të takimit, ka qenë kryetarja e LSI Kryemadhi, por edhe kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, të cilët deklaruan se opoizta ndan të njëjtat qëndrime si Basha.

Kryemadhi është shprehur për mediat se opozita e bashkuar shumë shpejt do të bëjë publike Planin Kombëtar për të dalë nga kriza, ndërsa për ftesën për dialog përgjigjen e ka dhënë më herët Basha.

Ajo çfarë zoti Basha deklaroi 3 orë më përpara është përsëritje e çdo gjëje pas një akordimi që kemi pasur nëpërmjet telefonatave të të gjithë bashkëkryetarët e Frontit Opozitar. Ne jo vetëm që nuk lëvizim asnjë presje nga qëndrimet tona, por do të vazhdojmë të ecim përpara me platformën që opozita ka gati për zgjidhjen e krizës. Jemi duke punuar grupet e punës për platformën, e sigurisht në tryezë nuk ulet vetëm një njeri, por janë të gjithë personalitetet, njerëzit me integritet dhe me vlera të të gjithë partive politike. Mos harroni se Fronti Opozitar tashmë është 85 përqind e shqiptarëve” ka thënë Kryemadhi.

Ndërsa Idrizi është shprehur se “Padyshim që ftesa për dialog ishte pjesë e diskutimeve dhe ajo që tha zoti Basha është qëndrimi i të gjithë opozitës”.

Ashtu si Basha edhe aleatë e tij vlerësojnë se Reforma Zgjedhore të bëhet në një moment të dytë, pas zgjidhjes së krizës. Më herët kreu i PD, Basha tha se Reforma Zgjedhore nuk ishte shkaktarja e krizës, prandaj para saj duhet të zgjidhet kriza përmes vullnetit politik. Ai gjithashtu kërkoi nga mazhoranca të mos tallet me tryezën e dialogut, duket emëruar kryetar të saj Damian Gjiknurin, të cilin demokratët e akuzojnë si një nga emrat e dalë nga përgjimet e Bild për dosjen 184 për shit-blerjen e votës. Kjo na lë në një situatë ku të gjithë ende pyesin “do pranojë apo jo opozita ftesën e Ramës?”

Paraditen e të mërkurës, Rama u drejtohej me një ftesë publike drejtuesve të partive të opozitës jo parlamentare të marrin pjesë në tryezën e dialogut për Reformën Zgjedhore. Një ftesë e të tillë pak më herët e kishte bërë edhe OSBE-ja, ku ftonte PD të ishte pjesë e tryezës së diskutimeve për Reformën Zgjedhore që do të mbahet më 25 shtator.

Nuk dihet se çfarë do të vendoset për tryezën e dialogut, pasi opozita është duke mbajtur një qëndrim shumë të paqartë. Megjithatë kryetari i grupit parlamente të PS, Taulant Balla ka theksuar disa herë se pavarësisht ftesë që i bëhet opozitës joparlamentare, reforma nuk do të mbetet peng i saj./ RealStory



Skip to toolbar