Analisti Skënder Mixhozi thotë se heroi e vitit në Shqipëri është drejtuesi i SPAK Altin Dumani.
“Në bazën e të gjitha sondazheve, do të ishte Altin Dumani figura e vitit. Edhe si gazetar po ta shohim, në funksion të sasisë së lajmeve që ka prodhuar institucioni në përmasa dhe në personel, them që Dumani është jo vetëm heroi por edhe personazhi sepse ka arritur që te mbledhë të vetvetja një sasi të tillë vëmendjeje publike, por edhe pritshmërish, shpresash, dhe urrejtje. Gjithçka, çdo ndjesi që për mua e bëjnë hero dhe personazhin e vitit.“, shtoi Minxhozi.
Analisti Mentor Nazarko theksoi se Dumani, duke udhëhequr SPAK, ka bërë revolucion në jetën publike shqiptare pasi ka goditur konceptin e pandëshkueshmërisë. Nazarko shtoi gjithashtu se Dumani ka arritur që të bashkëpunojë në mënyrë të shkëlqyer me perëndimorët.
“Në Shqipëri, mendoj se është Dumani si udhëheqësi i një institucioni tërësisht të ri në mënyrën e funksionimit në grehinën tonë juridike dhe kushtetuese. SPAK, i udhëhequr nga Dumani, ka bërë revolucion në jetën tonë publike. Së pari, përveç konceptit të paprekshmërisë, e cila është goditur dhe prekur shumë. Figura të mëdha i janë nënshtruar gjykimit publik. Kanë shkuar te prokurori, te policia, kanë qenë në procese të gjata hetimore, në arreste shtëpiake apo arreste të dhunshme si Meta. Kanë goditur mënyrën e funksionimit të politikës në nivel lokal apo qendror, janë goditur figura të rëndësishme në feudët e politikës.
SPAK ka goditur raportet e politikës me krimin, e krimit me biznesit dhe për një shoqëri të kalcifikuar për shkak të qëndrimit të gjatë në pushtet të një partie, efektet e veprimet të SPAK kanë qenë shumë planëshe. Ka modifikuar ligjërimin politik, prokurimin publik.“, shtoi Nazarko.
Ndërkohë, Frrok Çupi e cilësoi Dumanin si hero por jo një personazh të vitit.
“Altin Dumani është hero, dhe për arsye se është hero është i rrezikuar. Jo thjesht për jetën, por edhe për atë që përfaqëson. Është hero sepse publiku shqiptar kërkon drejtësi. Publiku ka parë te Dumani një njeri të drejtë, me kredenca të larta, të përmbajtur, dhe ka një shpresë. Mirëpo, a shkon dumani deri në kufirin e personazhit të vitit, kam përshtypjen se nuk ia kërkojmë këtë gjë. Nëse shkon te personazhi, ai falimentoi. Drejtësia jonë falimenton në momentin që ky njeri tenton që të bëhet një personazh.”, tha analisti./abcnews.al