Alvin Berisha del nga kampi në Siri. Së shpejti do të bashkohet me babanë e tij

AKTUALITET


11 vjeçari shqiptar Alvin Berisha është tërhequr nga kampi Al Haul në Siri dhe falë ndihmës së dhënë nga Gjysmë Hëna e Kuqe aktualisht Alvin ndodhet në Damask dhe më pas do të udhëtojë drejt Italisë për t’u bashkuar me babanë e tij.

Lajmi është konfirmuar nga babai i Alvin për News 24.

Historia e Alvin Berishës theu zemrat e shumë personave, pasi babai i tij, Afrim Berisha, e kërkonte prej vitit 2014, kur nëna e tij shqiptare, braktisi familjen në Itali ku jetonin prej vitesh dhe e mori Alvinin, në atë kohë 6 vjeç, në kampin Al Haul në Siri. Nëna e tij Valbona Berisha vdiq në Siri gjatë një shpërthimi ku u plagos rëndë edhe Alvin, por fatmirësisht shpëtoi.

Alvini mbeti i vetëm, dhe pas përpjekjeve të shumta të babait të tij, emisioni investigativ “le Iene” arriti të gjejë 11-vjeçarin.  Pas shumë përpjekje diplomatike Alvin tani pritet të bashkohet me babanë e tij.

Afrim Berisha babai i Alvinit tha se kishte folur në telefon me të birin dhe se aktualisht ndodhej në Damask dhe do të fluturonte drejt Romës.

“Tani është në Damask. Unë jam nisur ta pres në Romë. Nuk kam konfirmim kur mbërrin por po presim.

Shumë faleminderit të gjithë ata që janë marrë me djalin. Si Shqipëria, si Italia. Kanë 5 vjet autoritetet në Milano që merren me mua dhe djalin. Tani e kanë ata në dorë. Faleminderit ambasadorit në Romë, presidentit, kryeministrit. Të gjithëve.

Lajmin ma kanë dhënë karabinierët e ROS. I kam me video, i kam të gjitha në dorë. Janë duke filmuar çdo gjë që ai bën. Faleminderit kryqit të kuq, gjysmëhënës siriane” u shpreh Berisha.

I pyetur se kush e shpëtoi Alvinin, Afrimi thotë se e kanë ndihmuar shumë Karabinierët ROS, të cilët ndodhen në Siri prej 15 ditësh, por edhe autoritetet shqiptare,  Kryqi i Kuq ndërkombëtar dhe  Gjysmëhëna siriane.

“Më ka lajmëruar në telefon dhe ministri i Brendshëm i Shqipërisë. Më ka telefonuar dhe Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, e falënderoj shumë”, thotë Afrimi.

I pyetur se si është Alvini, babai tregon se mezi pret ta shohë, por e di që këmbën e ka të plagosur.

“Mirë thonë por deri sa ta shoh vetë. Kur ecën, ecën pak me këmbën se e ka të plagosur. Por është mirë. Është një doktoreshë që rri me të, deri kur të vijë në Itali. Është e kryqit të kuq. Ka 6-7 muaj që është plagosur.

Kam folur me të në telefon vazhdimisht, nga dje pasdite që ka dalë, nga ora 2 dje ka dalë, e kanë marrë nga kampi. Ma kanë dhënë, kam folur në telefon me të.

Më tha ‘babi jam tu ardh’. I thashë babi është këtu afër, mos u mërzit se ata janë shokët e babit, mos u tremb. Më tha ‘mirë babi unë jam tu ardh’. Mbrëmë në orën 10 kam folur që mbërriti në hotel në Damask. Është i trembur se ai nuk i njeh, nuk e di ku po e çojnë. Mbrëmë fola me karabinierët Ros dhe i thashë babi mos u mërzit se ata janë shokët e babait. Tani po pres që ata të marrin avionin, të shkojnë nga Damasku në Libi dhe në Libi mund të më tregojnë se në çfarë ore do mbërrijë në Itali.

Kam dy vajza. Vajza e madhe 17 vjeç, e dyta 16. Mezi po presin vëllain. Po presin gjithë shqiptarët. Kam pasur shumë shumë telefonata. Shumë shumë faleminderit gjithë shqiptarëve, kush është marrë me këtë punë.

Kërkoj që siç janë marrë me djalin tim, të merren dhe me të gjithë ata fëmijë që janë atje, të kthehen të gjithë sa më shpejt”, tha për News 24 babai i Alvinit, Afrim Berisha.



Skip to toolbar