Ambasada amerikane në Tiranë ka reaguar me një thirrje për qytetarët e saj që të shmangin zonat ku do të mbahet sot tubimi apo protesta e paralajmëruar për këtë të mërkurë kundër rritjes së çmimit të naftës dhe produkteve të tjera ushqimore.
Sipas asaj që thuhet në reagimin e ambasadës së SHBA, “kjo protestë mund të zhvendoset në zona të tjera në Tiranë, ose tubime të ngjashme mund të mbahen në zona të tjera të qytetit. Kohëzgjatja e tubimit të pritshëm është e panjohur”.
Njoftimi i ambasadës amerikane:
Një protestë eshte njoftuar pranë zyrës së Kryeministrit. Kjo protestë mund të zhvendoset në zona të tjera në Tiranë, ose tubime të ngjashme mund të mbahen në zona të tjera të qytetit.
Kohëzgjatja e tubimit të pritshëm është e panjohur. Qytetarët amerikanë këshillohen të shmangin çdo tubim të madh në qytet.
Ndërsa shumë organizime të mëdha publike mund të zhvillohen në mënyrë paqësore, disa situata mund të ndryshojnë shpejt dhe në mënyrë të paparashikueshme.
Monitoroni mediat lokale dhe ndiqni udhëzimet e autoriteteve vendore të zbatimit të ligjit për informacionin më të fundit.