Ambasadorët shkojnë te problemi, Meta premton të rrijë urtë për zgjedhje

Më të fundit


Teksa na ndajnë 48 orë nga zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, Presidenti Ilir Meta ka pritur në takim ambasadoren e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, dhe ambasadorin e Delegacionit të BE, Luigi Soreca, së bashku me ambasadorët e vendeve anëtare të BE në Tiranë.

Në fokus të takimit të Metës me diplomatët e huaj kanë qenë zgjedhjet e 25 prillit, ku mes të tjerash Kreu i Shtetit është shprehur se “Precedentët famëkeq të dosjeve të Shijakut dhe Dibrës kanë zgjuar aktivizmin dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve për të mos lejuar deformimin e votës së lirë duke iu drejtuar në kohë dhe përmes provave, organeve të drejtësisë dhe atyre të zbatimit të ligjit”.

Ndërsa gjatë fushatës Ilir Metën e kemi parë shpesh të dalë në konferenca të jashtëzakonshme e të flasë me tone të larta e të ashpra  sot sallën duket s’e e kishte të zënë, dhe tonet më të zbutur, duke premtuar se do të ‘rrijë urtë më 25 prill’.

Njoftimi:

Në vijim të komunikimit të vazhdueshëm mbi ecurinë e fushatës zgjedhore, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, zhvilloi dje një takim me Ambasadoren e SHBA, Yuri Kim, dhe sot me Ambasadorin e Delegacionit të BE, Luigi Soreca, së bashku me Ambasadorët e vendeve anëtare të BE në Tiranë.

Presidenti Meta i falenderoi Ambasadorët për angazhimin dhe interesin e tyre për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe vuri në dukje rritjen e ndjeshme të numrit të rasteve të denoncuara nga qytetarët dhe partitë politike për parregullsitë e konstatuara gjatë kësaj fushate, krahasuar me zgjedhjet e kaluara.

Precedentët famëkeq të dosjeve të Shijakut dhe Dibrës kanë zgjuar aktivizmin dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve për të mos lejuar deformimin e votës së lirë duke iu drejtuar në kohë dhe përmes provave, organeve të drejtësisë dhe atyre të zbatimit të ligjit.

Duke patur parasysh rëndësinë thelbësore, që kanë zgjedhjet e lira dhe të ndershme për të ardhmen europiane të Shqipërisë, Kreu i Shtetit theksoi domosdoshmërinë e dekurajimit, në kohë, të çdo veprimi, që cënon integritetin e procesit, dhe kërkoi praninë e vëzhguesve ndërkombëtarë, veçanërisht në qarqet e Durrësit, Elbasanit dhe Vlorës, të trysnuara edhe në zgjedhjet e kaluara nga krimi i organizuar.

Presidenti Meta veçoi rëndësinë e jashtëzakonshme, që ka sjellja profesionale dhe vetëm sipas ligjit nga ana e Policisë së Shtetit dhe institucioneve gjyqësore. Vetëm reagimi proaktiv, i menjëhershëm dhe i pavarur ndaj çdo akti që cenon paprekshmërinë e votës së lirë, mund të parandalojë përsëritjen dhe përhapjen e krimit zgjedhor.

Kushdo që provokon tension artificial, duke synuar dekurajimin e votimit masiv apo tjetërsimin e votës së qytetarëve, duhet të marrë përgjigjen e menjëhershme dhe të prerë të forcës së ligjit.

Kreu i Shtetit shprehu besimin se pavarësisht problemeve të deritanishme, e diela do të jetë një ditë feste për të gjithë shqiptarët, pasi në këto zgjedhje ata do të kenë mundësinë e përzgjedhjes jo vetëm të alternativës më bindëse për secilin por edhe të kandidatit që ata besojnë më shumë.



Skip to toolbar