Amerika i quan sulmet izraelite të tmerrshme, në Gaza u vranë 140 persona, në Liban 77 viktima

BOTA


Tragjeditë me civilë në Gaza dhe Liban po marrin përmasa horror. Sipas asaj që raportohet nga mediat ndërkombëtare, të paktën 143 persona, shumica gra dhe fëmijë, u vranë nga sulmet e Izraelit në enklavën Palestineze. Ndërsa në Liban janë vrarë 77 persona në orët e fundit. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dënojnë ashpër sulmet vdekjeprurëse të Izraelit, veçanërisht ato në Rripin e Gazës që shënjestruan një bllok banimi për të zhvendosurit.

“Jemi shumë të shqetësuar nga humbja e jetës së civilëve në këtë incident. Është një zhvillim i tmerrshëm me rezultat horror. Nuk mund të flas për bilancin total të viktimave, por ka raportime për dhjetra fëmijë të vrarë në këtë incident. Nuk ka asnjë dyshim, një numër i konsiderueshëm prej tyre janë fëmijë që po kërkonin t’i shpëtonin efekteve të kësaj lufte prej më shumë se një viti tani. Kemi kontaktuar qeverinë e Izraelit dhe e kemi pyetur se çfarë ndodhi atje. Nuk i dime ende rrethanat, por nuk kemi marrë shpjegime të plota nga ata”, tha zëdhënësi i DASH, Miller.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit tha se humbja tragjike e jetës së civilëve është një tregues që kjo luftë duhet të përfundojë. Në drejtimin e paqes ka pasur një bisedë telefonike mes ministrave të jashtëm të Egjiptit dhe Katarit për të ulur armët në Gaza dhe Liban.

Ata folën për nevojën e një armëpushimi të menjëhershëm dhe lejimin e hyrjes së ndihmave humanitare, gjithashtu edhe shmangien e një zgjerimi të hartës së luftës në Lindjen e Mesme. Mediat ndërkombëtare raportojnë se presidenti amerikan, Joe Biden, mund të vizitojë Izraelin për të takuar kryeministrin Benjamin Netanjahu dhe zyrtarë të tjerë.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë do të diskutojë një armëpushim mes Izraelit dhe Hezbollahut në Liban. Sa i përket planit të paqes për Gazën, raportohet se në të përfshihet 1 muaj armëpshim në këmbim të lirimit të 11 deri në 14 pengje izraelite që janë në duart e Hamasit



Skip to toolbar