Analistët në Real Story të Sokol Ballës mendojnë se asnjë nga palët nuk e duan Gjykatën Kushtetuese, ndërkohë që avokati Sokol Azizaj shkon edhe më tej, duke thënë se ka një Pazar mes tre palëve për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.
Gazetari Sokol Balla ka ngritur për diskutim tezën e një marrëveshjeje të mundshme mes kreut të shtetit dhe mazhorancën për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjen e katër anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Kjo tezë është mbështetur nga Sokol Azizaj, i cili deklaroi se ka një Pazar mes tyre. “Po të ndiqni me vëmendje Presidentin, se ai flet edhe nëpërmjet këshilltarit, vini re se kur ishte në Francë nxorri këshilltarin e tij, i cili tha se do dekretonte të dytin sa të kthehej nga Franca. Pra, ai e paralajmëroi se do të e dekretonte të dytin. Por duhet pasur parasysh se ata po i bëjnë këto emërime për vete, jo për qytetarët shqiptarë, por për të bindur ndërkombëtarët, të cilët ua kërkojnë Gjykatën Kushtetuese. Politika nuk do që të krijohet Gjykata Kushtetuese, secila palë për interesat e veta. Unë mendoj se mes tyre ka një marrëveshje nga të tria palët për të zgjedhur 6 anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, me qëllim për ta bllokuar atë”, deklaroi Azizaj. Sipas tij, kjo do ndodhë, pasi kjo gjykatë do të marrë vendim për zgjedhjet e 30 qershorit, do të marrë vendim për shkarkimin e Presidentit, e vendime të tjera që u interesojnë palët. “Pra edhe pse thonë e ngritën me 6 anëtarë, ata do e bllokojnë në vendime funksionimin e saj. E kështu do bllokojnë edhe Gjykatën e Lartë”, shpjegoi Azizaj.
Ndërsa analisti Arian Vasjari nuk e beson të ketë një Pazar. Sipas tij, mund të ketë një marrëveshje mes palëve, por jo Pazar. Megjithatë, edhe ai bashkohet me faktin se politika nuk do të krijohet Gjykata Kushtetuese për të penguar reformën në drejtësi. “Gjykata Kushtetuese ka qenë i vetmi organizëm brenda pemës institucionale që kemi pasur ne. Gjykata Kushtetuese i vetmi organ që ka manifestuar integritet. Fati e solli që të bëhej reforma dhe një pjesë dërrmuese e tyre të iknin. E pranoj që palët duhet të kenë influencë në Kushtetuese, por ne e kemi të thjeshtë të arrijmë në deduksionin që nuk është e vërtetë që palët nuk duan ta ngrenë, por objektivi i tyre është ta kapin”, tha Vasjari.
Kurse avokati Jordan Daci pranon se mund të ketë një marrëveshje, por përjashton opozitën. Sipas tij, Gjykata Kushtetuese do disa muaj që të ngrihet. “Unë mendoj se opozita nuk është pjesë e lojës, sepse mendoj se opozita do që të ngrihet Gjykata Kushtetuese. Madje, opozita shpresonte te një gjykatë, e cila gjëja e parë që do të gjykonte do të gjykonte votimet e datës 30 qershor. Kemi pasur kandidatura, njerëz që nuk kanë lidhje me Gjykatën Kushtetuese. Unë jam i bindur se Kushtetuesja nuk do ngrihet për disa muaj. Një gjykatë ku do të votohej 5:0 nuk ka kuptim, është ushtar. Kemi njerëz që kanë konflikte interesi. Ka persona që kanë konflikte, janë persona që duan të imponojnë sistemin. Kjo maxhorancsë e para që ka interes të mos ngrihet Gjykata Kushtetuese, edhe për korporatën”, tha Daci.
Edhe analisti Roland Lami, duke besuar për një marrëveshje mes palëve, tha se palët politike në Shqipëri nuk e duan reformën në drejtësi dhe nuk ka një vullnet për të ngritur Gjykatën Kushtetuese nga palët, por po ashtu edhe nga presidenti. “Në thelb nuk ka vullnet për të ngritur Gjykatën Kushtetuese. Mendoj se të gjitha palët nuk kanë vullnet, por edhe presidenti i Republikës. Unë e shoh lojë për të bllokuar Kushtetuesen. Kjo sepse nuk duhet reforma në drejtës”, tha Lami.