DW: Negociatat në Maj

AKTUALITET


Komisioni i BE-se dëshiron ta ketë mirë me të gjithë: Edhe të marrë parasysh kërkesën e Francës për reformimin e zgjerimit, edhe të ruajë perspektivën e anëtarësimit për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Franca, Vendet e Ulëta dhe Danimarka e kanë bllokuar hapjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë që nga tetori i vitit të kaluar. Kjo do të duhej të kishte ndodhur prej kohësh, sepse edhe Komisioni i ri i BE-së vërteton se të dy vendet e Ballkanit Perëndimor janë gati për çeljen e negociatave. Për të lehtësuar bllokadën, Komisioneri i ri i BE-së për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, prezantoi të mërkurën, 5.2.2020, në Bruksel metodologjinë për vendet e ardhshme kandidate. Në thelb, Varhelyi propozon që

– 35 kapitujt e negociatave të përmblidhen në gjashtë grupe tematike. Në këtë mënyrë shpresohet të përshpejtohen negociatat dhe të përmirësohet “kontrolli politik”;

– vendet anëtare kritike të përfshihen më shumë në verifikimin e kandidatëve: Komisioni i BE-së dhe përfaqësuesit e 27 anëtarëve do të udhëtojnë së bashku në vendet e kandidate për të kontrolluar rezultatet e reformave. Kështu do të shmangen “surprizat” e mundshme në metrat të fundit, tha Oliver Varhelyi në Bruksel;

– të ngadalësohen, pezullohen ose edhe ndërpriten negociatat nëse kandidatët janë më pak të prirur për reforma. Sidomos presidenti francez, Emmanuel Macron, kishte kërkuar sanksione. Vënia e sanksioneve është e mundshme edhe në metodologjinë aktuale, por ajo praktikohet rrallë;

– kushtet që duhet të përmbushin kandidatët duhet të bëhen publike, të jenë më të qarta dhe më të detajuara. Sundimi i ligjit duhet të jetë në fokus në fillim dhe në fund të diskutimeve për secilën nga gjashtë paketat tematike.

– negociatat do të fillojnë përpara samitit në maj.

Komisioneri i zgjerimit e bëri të qartë se ai dëshiron t’i çelë negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë sa më shpejt që të ishte e mundur. Në fund të muajit, Komisioni i BE planifikon të paraqesë një progres-raport tjetër pozitiv për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë për të hequr kështu dyshimet e Francës, Danimarkës dhe Hollandës. Dyshime ka edhe në shtetet e tjera anëtare, tha Oliver Varhelyi në Bruksel. “Vetëm se askush nuk dëshiron ta thotë publikisht për momentin.” Sidoqoftë, ai tha se ishte optimist se të dy vendeve, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, do t’u caktohej një datë për çeljen e negociatave para samitit special për strategjinë e zgjerimit në Zagreb, në fillim të majit.

Serbia dhe Mali i Zi mund të zgjedhin

Rastësisht, metoda e re e negociatave, e cila tani duhet të miratohet nga 27 vendet anëtare, nuk duhet të zbatohet në diskutimet tashmë të ngadalta me Serbinë, Malin e Zi dhe Turqinë. „Nuk mund t‘i ndryshojmë rregullat në mes të lojës,” tha Oliver Varhelyi. Sidoqoftë, Mali i oliverVarhelyZi dhe Serbia do të kenë mundësi të zgjedhin në se dëshirojnë të përdorin metodën e re. Bisedimet me Turqinë, të cilat kanë vazhduar që nga 2005, tashmë janë në pritje për shkak të konflikteve të ndryshme me BE.

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov, po shpreson për një vendim të BE para zgjedhjeve në vendin e tij në prill. Komisioneri i BE-së për Zgjerimin Oliver Varhelyi pranoi se shtetet e BE-së gjithashtu janë të detyruara të mbajnë premtimet nëse Ballkani i përmbush të gjitha kërkesat. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dëshiron një proces me më shumë qartësi dhe drejtësi. Kritika dhe dëshira e presidentit francez Macron për reformë mund të “frymëzojë jetën e re në një proces mjaft pengesash”.

Perspektiva për Kosovën dhe Bosnjën

Edhe Kosovës, e cila nuk njihet nga të gjitha vendet e BE-së, dhe Bosnje-Hercegovinës, struktura shtetërore e së cilës është e dobët, duhet t’u ruhet perspektiva e tyre për anëtarësim, tha komisioneri i zgjerimit Varhelyi. “Një perspektivë e besueshme anëtarësimi është çelësi për stabilitetin politik dhe zhvillimin në rajonin tonë,” tha Varhelyi.

Se a do të pranojë Franca tani të çelen negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, kjo mbetet për t‘u parë. Një diplomat i BE-së tha në Bruksel se, në parim, kriteret dhe procedurat e pranimit kishin ndryshuar pak. “Ka ndryshuar fasada, por substanca ka mbetur e njëjtë. Franca tani e mori atë që donte dhe duhet të bëjë lëshime”. /DW/



Skip to toolbar