Ankandi/ Kryevepra e Max Liebermann shitet për 720,000 euro

BOTA


Një pikturë e artistit gjerman impresionist, Max Liebermann u shit sot në ankand në qytetin e Këlnit për 720,000 euro.

Çmimi i vlerësuar ishte ndërmjet 700,000 euro dhe 1 milion euro.

Vepra titullohet “Kopshti i birrës pranë Wannsee (Shtëpia në Liqen)” dhe përshkruan zonën e jashtme të një restoranti në brigjet e liqenit afër Berlinit me varkat me vela në sfond.

Ajo e ka origjinën nga një koleksion privat gjerman dhe është pjesë e veprave të mëvonshme të piktorit.

Max Liebermann (1847-1935) ishte një nga impresionistët gjermanë më të rëndësishëm dhe një përfaqësues kryesor i skenës së artit gjerman gjatë Republikës së Vajmarit.

Pas ardhjes në pushtet të nazistëve në 1933, ai u margjinalizua dhe u mënjanua si një hebre dhe një demokrat i përkushtuar, duke jetuar deri në vdekjen e tij në izolim dhe zhgënjim të thellë në vilën e tij në Wannsee. A.K.



Skip to toolbar