Presidenti Joe Biden dhe ish-Presidenti Donald Trump po e përqendrojnë fushatën tek sulmet ndaj njëri tjetrit, dhe një anketë e re arrin në përfundimin se arsyeja është se nuk kanë shumë arritje për të cilat të krenohen.
Sipas anketës, amerikanët në përgjithësi mendojnë se kandidatët Biden dhe Trump kanë bërë më shumë dëm sesa mirë në çështjet kryesore gjatë mandateve të tyre në Shtëpinë e Bardhë.
Por të dy kandidatët kanë pika të ndryshme të dobëta. Për Presidentin Biden, ka shumë pakënaqësi për dy çështje: ekonominë dhe emigracionin. Ndërsa për ish Presidentin Trump, një pjesë e madhe elektoratit mendojnë ai e ka dëmtuar vendin në një sërë çështjesh. Një sondazh i ri nga Qendra për Studimin e Çështjeve Publike, NORC dhe agjencia e lajmeve Associated Press tregon se më shumë se gjysma e të rriturve amerikanë mendojnë se gjatë mandatit të Presidentit Biden ka patur një rritje të kostos së jetesës dhe rritje të emigracionit, ndërsa gati gjysma mendojnë se ish Presidenti Trump, në kohën kur ishte në Shtëpinë e Bardhë, e dëmtoi vendin në çështjet e votimit, sigurinë e zgjedhjeve, marrëdhëniet me vendet e tjera, ligjet për abortin dhe ndryshimet klimatike.
“Duke marrë parasysh çmimin e karburantit, çmimin e produkteve ushqimore, ekonominë isha më mirë gjatë atyre katër viteve”, thotë 60 vjeçarja Christina Elliott, një republikane nga Teksasi, duke iu referuar periudhës së mandatit presidencial të zotit Trump.
“Nuk kisha nevojë të shqetësohesha për furnizimin e makinës me karburant apo se duhet të shpenzoja gjysmën e rrogës në një dyqan ushqimor.”
Por, zonja Elliott nuk është e kënaqur për mënyrën se si ish Presidentit Trump flet për çështjen e abortit dhe për retorikën e tij.
“Ai thjesht duhet të mësojë se si të jetë me takt”.
“Por përveç kësaj, siç thashë, kam qenë shumë mirë gjatë viteve të presidencës Trump”, shtoi ajo.
Sondazhi nënvizon pse disa çështje, si aborti për zotin Biden dhe emigracioni për zotin Trump, kanë qenë tema qendrore. Ish-presidenti Trump flet rregullisht për numrin e azilkërkuesve që kanë mbërritur në Shtetet e Bashkuara gjatë mandatit të Presidentit Biden, duke përdorur fjalë të rënda dhe të zymta për situatën në kufirin SHBA-Meksikë. Presidenti Biden ka nisur një ofensivë kundër zotit Trump për çështjen e abortit, veçanërisht pas vendimit të kësaj jave nga Gjykata e Lartë e Arizonës që në thelb kriminalizoi abortin në këtë shtet. Kur u pyetën se cili president bëri më shumë për të ndihmuar njerëzit si ata, afërsisht një e treta thanë Donald Trump dhe rreth një e katërta thanë Joe Biden.
Megjithatë, 30% e të rriturve thonë se ata nuk përfituan as nga politikat e zotit Biden dhe as ato të zotit Trump. Kjo është një tjetër pjesë e të dhënave që pasqyron një elektorat që ka qenë kryesisht i zhgënjyer me kandidatët e zgjedhjeve të përgjithshme të këtij viti.
Amerikanët kanë vlerësime negative për zotin Biden lidhur me disa çështje specifike. Vetëm rreth 2 në 10 amerikanë mendojnë se presidenca e tij ndihmoi “shumë” ose “pak” në çështjet si kostoja e jetesës dhe 16% në atë të imigracionit dhe sigurisë kufitare. Gati 6 në 10 amerikanë thonë se presidenca e tij dëmtoi shumë ose pak përpjekjet për zgjidhjen e këtyre çështjeve. Ndërsa 46% e amerikanëve thonë se presidenca e zotit Trump ndihmoi shumë ose pak në trajtimin e çështjeve të emigracionit dhe sigurisë kufitare. Katër në 10 thonë se presidenca e tij ndihmoi në uljen e kostos së jetesës.
Pandemia e dëmtoi zotin Trump për sa i përket punësimit pasi 2.7 milionë njerëz humbën vendet e punës gjatë mandatit të tij. Por masat kufizuese gjatë pandemisë gjithashtu frenuan në mënyrë dramatike inflacionin. Njëkohësisht, normat e ulëta të interesit dhe nivelet historike të nxitësve qeveritar përmirësuan gjendjen ekonomike të shumë familjeve gjatë administratës së Presidentit Trump.
Në fund të pandemisë së koronavirusit, Presidentit Biden i dha ekonomisë një nxitje me stimuj financiarë shtesë, që ndihmuan në krijimin e 15.2 milionë vendeve të punës. Por problemet në zinxhirin e furnizimit, agresioni i Rusisë në Ukrainë dhe ndihmat për Kievin gjykohen nga shumë ekonomistë si shkaktarë të rritjes së inflacionit, duke dëmtuar mbështetjen e amerikanëve për demokratët.
Epërsia e zotit Trump në çështjen e kostos së jetesës dhe atë të emigracionit nxitet pjesërisht nga mungesa e entuziazmit të demokratëve për politikat e zotit Biden. Rreth një e treta e demokratëve, për shembull, mendojnë se gjatë presidencës së zotit Biden pari një rritje të kostos së jetesës dhe një e treta tjetër mendojnë se nuk pati asnjë ndryshim në këtë çështje. Rreth 3 në 10 demokratë mendojnë se presidenca e zotit Biden ndihmoi në trajtimin e çështjeve të emigracionit dhe sigurisë kufitare, një përqindje e ngjashme mendojnë se presidenca e tij e dëmtoi atë dhe rreth 4 në 10 mendojnë se nuk kishte asnjë ndryshim në këtë çështje gjatë mandatit të tij. Gati 6 në 10 të pavarur thonë se gjatë mandatit të Presidentit Biden ka patur një rritje të kostos së jetesës.
Rreth 4 në 10 të pavarur thonë se gjatë mandatit të Presidentit Biden është rritur edhe kostoja e kujdesit shëndetësor dhe janë dëmtuar marrëdhëniet me vendet e tjera. Donald Trump ka një problem tjetër. Pothuajse gjysma e amerikanëve mendojnë se presidenca e tij ka dëmtuar përpjekjet kundër ndryshimeve kimatike, mbrojtjes së të drejtave të votimit, sigurinë e zgjedhjeve, ligjeve për të drejtën e abortit dhe marrëdhëniet me vendet e tjera.
Çështja më pozitive për zotin Biden dhe zotin Trump në përgjithësi është krijimi i vendeve të punës. Zoti Trump ka një epërsi të vogël në këtë çështje. Gati gjysma e të anketuarve thanë se gjatë mandatit të tij presidencial, zoti Trump ndihmoi në krijimin e vendeve të punës, krahasuar me 36% që thanë të njëjtën gjë për Presidentin Biden. Rreth gjysma e amerikanëve gjithashtu mendojnë se presidenca e zotit Trump ndihmoi në uljen e emigracionit dhe 4 në 10 amerikanë mendojnë se presidenca e tij ndihmoi në uljen e kostos së jetesës. /VOA