Anonymous Albania, faqja e njohur e hakerave shqiptarë ka sulmuar faqen online të Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA) dhe Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) duke i nxjerrë jashtë funksionit.
Autorësinë e këtij veprimi e kanë konfirmuar vetë administratorët e Anonymous Albania, të cilët shprehen se ky vendim vjen në shenjë proteste kundër paketës së “Anti Shpifje”, që i jep të drejtën AMA-s që të bllokojë mediat dhe t’i gjobisë ato.
“Autoriteti Mediave Audiovizive (AMA) është sulmuar nga ne sepse AMA pretendon se ka të drejtën të mbyllë mediat edhe t’i gjobisë ato. AMA s’ka të drejtë të ndalojë lirinë e fjalës, sepse Shqipëria është një shtet demokratik! Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) të tërhiqet nga kjo padrejtësi që po bën qeveria duke kërcënuar gazetarët. Anonymous Albania do të mbrojë lirinë e fjalës dhe të drejtat e njeriut në Shqipëri”, shprehet Anonymous Albania.
AMA ka arritur të heqë nga faqja mesazhin e Anonymous, por ajo ende nuk është hapur si faqe. PO ashtu edhe AKEP vazhdon të jetë e mbyllur. Nëse klikojmë në adresën zyrtare të AKEP shfaqet ky mesazh në anglisht “It appears you don’t have permission to access this page” (Nuk keni leje për të hyrë në faqe).
Anonymous Albania është një grup i njohur shqiptar, që më herët ka sulmuar edhe faqe zyrtare të Policisë së Shtetit me argumentin se janë të korruptuar dhe shpërdorojnë detyrën. Ato kanë hakeruar edhe faqen e ambasadës Serbe në Shqipëri pasi nuk kishin simbolet shqiptare, apo të kryeministrisë pas arrestimit të 23 protestuesve kundër vendosjes së taksës në Rrugën e Kombit.