Integrimi, hapja e negociatave dhe paketa anti-KÇK janë disa nga çështjet që kryeministri Edi Rama diskutoi me presidentin e Parlamentit Evropian David Sassoli. Në konferencën për median Sassoli nënvizoi edhe një herë se është koha e integrimit.
“Ndodhi një ngadalësim përpara fundit të vitit por procesi i anëtarësimit duhet të nisë. Është i bindur parlamenti, KE dhe shumë vende anëtare. Jam i bindur dhe unë që është vetëm një vonesë, por që po mbushet me nisma të mëdha nga ana e qeverisë, si lufta kundër krimit të organizuar. Ju e dini zhgënjimin që ndjeu shoqëria civile të njëjtën gjë që kemindjerë dhe ne. tami duhet të kapërcej,më disa pyetje. Kemi kohën e duhur hapësirën që përgjigjet të jenë pozitive”, deklaroi Sassoli.
Presidenti i PE tha se duhen kapërcyer disa pyetje që i janë bërë Shqipërisë dhe se është koha e duhur për tu përgjigjur dhe për ti bindur të gjithë për atë rrugë që duhet bërë së bashku, duke nënvizuar se e ardhmja është e përbashkët.
Sa i takon paketës “anti-KÇK”, deklaroi se do të shtojë sigurinë për Shqipërinë.
“Ne e dimë që pozicioni i disa qeverive ishte që të rishikohej metodologjia e proceseve të anëtarësimeve. Ne jemi të bindur se paketa duhet të ecë njëkohësisht për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Jemi të bindur se pasi të jenë rishikuar disa mekanizma të metodologjisë të gjitha vërejtjet do të kapërcehen. Përse ishte e rëndësishme reforma që u miratua javën e kaluar nga qeveria? Sepse kishte të bënte me luftën kundër krimit të organizuar. Kjo do të shtojë jo vetëm sigurinë për Shqipërinë por edhe aftësinë e kapacitetin e bashkëpunimit të Shqipërisë me BE. Jam i kënaqur se mbi këtë reformë ka dhe pak frymë italiane. Ne prej 10 vjetëve jemi gjendur në kushtet e luftës kundër krimit të organizuar në shumë vende të Italisë dhe kjo përvojë mund të jetë e dobishme dhe për të tjerët. Do të jemi së bashku në luftën kundër kapitaleve të paligjshme”, deklaroi Sassoli.
Lidhur me pasojat e tërmetit ai tha se BE u tregua e gatshme me ndihmat, dhe se nuk do tërhiqet deri në rimëkëmbje.