Analisti Fatos Lubonja i ftuar në emisionin “Real Story” të Sokol Balla në “News 24” deklaroi se ligji antishpifje nuk bëhet për të mirën e medias.
“Problemi më i madh i ligjit është që ligji shkoi tek AMA, që është kontrolluar nga shteti. Edhe reforma në drejtësi, prsh i jepte ministrit të Drejtësisë kompetenca të jashtëzakonshme. Kapja e drejtësisë ishte e para gjë që bëri Edi Rama. Ky ligj është në vazhdën e një partie dhe kryetari i një partie që do pushtet absolut për të kërcënuar këdo dhe jo për të mirën e medias. Ky moment tregon se “hajd’ do ia hedhim prapa”. Kur ke vullnet të keq, edhe me ligj të mirë bën keq. Këtu kemi qëllim të mbrapshtë dhe kjo është për të goditur. Shqipëria po zbret në lirinë e medias në të gjitha treguesit”, tha Lubonja.
Fatos Lubonja theksoi se Edi Rama bën vetëm propagandë, ndërsa nënvizoi se vazhdon të drejtojë sipas mendësisë së tij, pa pyetur askënd.
“Unë më përpara dua të them se sepse u bë ky ligj, sipas mendimit tim. Nuk mendoj se ky ligj u bë për të mirën e mediave. Ai ligj duhet parë në kontekstin e sjelljes së kryeministrit ndaj medias, me problemet e mëdha që ai ka mediat si pasqyrë e realitetit. Pra, nuk duhet parë jashtë kontekstit ndaj gjyqeve që ka hapur Rama. Nuk duhet parë jashtë kontekstit të ERTV, që është televizioni që shpërndan të vërtetën shqiptareve sipas kryeministrit. Janë të gjitha këto që janë një propagandë dhe nuk dëgjon mendim kundër. Tani këtu dëgjojmë se paska pasur debate. Nuk e di në ka pasur debate, por di se askush në këtë parti nuk del të flasë kundër kryeministrit. Ligji u imponua nga kryeministri”, u shpreh Lubonja.