Mbi 4,500 fluturime u anuluan në gjithë botën më 25 dhjetor dhe mijëra të tjerë janë shtyrë për shkak të variantit të ri të koronavirusit, Omicron.
Sipas ueb-faqes, Flightaware.com, së paku 2 mijë fluturime u anuluan në ditën e Krishtlindjeve vetëm në aeroportet amerikane, e më shumë se 1,500 janë shtyrë.
Një ditë më parë u anuluan rreth 2,400 fluturime dhe 11 mijë ishin shtyrë. Rreth 600 fluturime sipas ueb-faqes, Flightwave.com parashihet të anulohen më 26 dhjetor.
Pilotët dhe punëtorë të tjerë në aeroporte, në masë duhet të karantinohen për shkak të ekspozimit ndaj virusit derisa kompanitë si Lufthansa, Delta, United Airlines dhe shumë të tjera u detyruan të anulonin fluturimet në periudhën më të ngarkuar të vitit.
Të dhënat nga Flightaware tregonin se kompania United u desh të anulonte rreth 200 fluturime më 24 dhe 25 dhjetor apo 10 për qind të fluturimeve të parapara.
Ngjashëm, kompania Delta anuloi rreth 260 fluturime të shtunën dhe rreth 170 të premten duke shtuar se “shfrytëzoi të gjitha resurset”.
Ndërkaq më së shumti fluturime të anuluara pësuan kompanitë kineze, me 480 fluturime të cilat i takonin vetëm kompanisë, China Eastern derisa, Air China anuloi rreth 15 për qind të udhëtimeve të parapara.