Kryebashkiaku i Rrogozhinës, Edison Memolla, është dënuar me 1 vit burg, me vendim të Gjykatës së Posaçme të Apelit, për veprën penale të “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim.
Vendimi i Gjykates:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Florjan Kalaja (kryesues), Daniela Shirka (anëtare) dhe Igerta Hysi (anëtare), sot më 09.02.2026, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 5/70 akti, datë 14.11.2025 regjistrimi, mbi ankimet e të pandehurve B.Xh., I.T., E.M., N.T., ndaj vendimit nr. 41, datë 17.06.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, disponuar si vijon:
“1. Deklarimin fajtor të të pandehurit E.M. për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 328 dhe 25 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 1 (një) vit burgim.
2. Dënimi të fillojë nga dita e ekzekutimit të vendimit penal dhe të vuhet në një burg të sigurisë së zakonshme.
3. Në zbatim të nenit 35 të K.Penal, heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike për të pandehurin E.M. për një periudhë 5 (pesë) vjeçare.
4. Deklarimin fajtor të të pandehurit N.T. për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” parashikuar nga neni 328 të K.Penal dhe dënimin e tij me 1 (një) vit burgim.
5. Dënimi të fillojë nga dita e ekzekutimit të vendimit penal dhe të vuhet në një burg të sigurisë së zakonshme.
6. Deklarimin fajtor të të pandehurit B.Xh. për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 328 dhe 25 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 1 (një) vit burgim.
7. Deklarimin fajtor të të pandehurit B.Xh., për kryerjen e veprës penale “ Falsifikimit të dokumenteve”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 186, paragrafi dytë të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 8 (tetë) muaj burgim.
8. Në bashkim të dënimeve, në zbatim të nenit 55 të K.Penal, dënimin përfundimisht të të pandehurit B.Xh. me 1 (një) vit burgim.
9. Dënimi të fillojë nga dita e ekzekutimit të vendimit penal dhe të vuhet në një burg të sigurisë së zakonshme.
10. Deklarimin fajtor të të pandehurit I.T., për kryerjen e veprës penale “ Falsifikimit të dokumenteve”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 186, paragrafi dytë të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 8 (tetë) muaj burgim.
11. Në aplikim të nenit 59 të K.Penal, pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim për të pandehurin I.T. dhe vënien e tij në provë për një periudhë prej 1 (një) vit e 4 (katër) muaj, me kusht që gjatë kohës së provës i pandehuri të mos kryejë vepër tjetër penale dhe gjatë kësaj kohe i pandehuri detyrohet të mbajë kontakte me Drejtorinë e Shërbimit të Provës që mbulon vendbanimin e tij.
12. Në zbatim të nenit 190, pika 1 të K.Pr.Penale, provat materiale sipas urdhërit për bashkimin e provës materiale me fashikullin e gjykimit të datës 27.10.2023, konkretisht aparatet celularë të sekuestruar shtetasve B.Xh. dhe H.D. t’u kthehen këtyre të fundit, ndërsa provat e tjera materiale të mbeten pjesë e dosjes.
13. Shpenzimet procedurale gjatë fazës hetimore si dhe shpenzimet gjyqësore, sipas formularit bashkëlidhur, në ngarkim të të pandehurve në mënyrë solidare.
14. Kundër këtij vendimi lejohet ankim brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi të arsyetuar.”
Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:
1. Lënien në fuqi të vendimit nr. 8, datë 24.01.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së
Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
2. Shpenzimet procedurale u ngarkohen solidarisht të pandehurve.
3. Kundër këtij vendimi mund të ushtrohet rekurs brenda 45 ditëve në Gjykatën e Lartë,
duke nisur ky afat nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit të arsyetuar.
U shpall në Tiranë, më datë 09.02.2026
