Lirohet Cukali, s’ka prova për vrasjen e ish policit

AKTUALITET


Pas katër muajsh hetime prokuroria e Tiranës nuk ka mundur të bindte me prova gjykatën e Apelit për të mbajtur në burg Gjergji Cukalin, si personin e dyshuar për vrasjen e ish-policit Arben Bilali.

Lirimi Cukalit është bërë këtë të mërkurë në ora 10:29 minuta nga Gjykata e Apelit me trupë gjykuese Alaudin Malaj, Elbana Lluri dhe Gentian Shala.

Ish-efektivi policisë Bilali u ekzekutua sapo zbriti nga një makinë në zonën e Tiranës së Re pak para se të futej në banesëNgjarja ndodhi më 30 janar të këtij viti në zonën e Selitës, ndërsa arrestimi Cukalit u bë në fund të muajit maj.

Cukali është një nga emrat të njohur të krimit në Tiranë në këto 20 vitet e fundit. Ai njihet si një nga “të fortët” dhe protagonistët e bandës famëkeqe të rrugës “Myslym Shyri”, në Tiranë dhe si mik i Emiljano Shullazit. Edhe pse si i dyshuar për shumë aktivitetet të rënda kriminale si gjobëvënie, trafik droge dhe pjesëmarrës në ngjarje me vrasje, Cukali, i kishte shpëtuar drejtësisë shumë herë. Vetëm në 24 nëntor të vitit 2006, Gjykata e Krimeve të Rënda e dënoi atë pas akuzës për heqje të paligjshme të lirisë, pengmarrje, ndaj shtetasit Fajton Demirlika, ngjarje e ndodhur në vitin 2004.

Dënimi i dhënë ndaj Cukalit ishte dhjetë vjet burg, ndërkohë fajtorë u deklaruan edhe pesë persona të tjerë të pandehur në lidhje me ngjarjen e pengmarrjes së ndodhur në rrugën “Myslym Shyri”. Kjo ishte një nga ngjarjet më të bujshme dhe më publike, për të cilën Gjergji Cukali u akuzua, se kishte vënë një gjobë prej 100 mijë euro.

Ndërsa Arben Bilali, para se të mbetej i vrarë në atentat, mesditën e datës 30 janar, kishte qenë në shoqërinë e mikut të tij, shtetasit me iniciale A.Ç. Ky i fundit është marrë në pyetje si dëshmitar i ngjarjes dhe ka shpjeguar se si 50-vjeçari u vra sapo zbriti nga makina e tij tip “Golf 4”. Sipas materialit të referuar në Prokurori, A.Ç. ka deklaruar se bashkë me Arben Bilalin, ka shkuar për të dërguar makinën në servis, pasi kishte një defekt dhe në momentin që janë kthyer, ka ndodhur sulmi i menjëhershëm me armë.

Në pamjet e fokusuara nga një kamera sigurie në vendin e ngjarjes, pas automjetit tip “Golf 4”, ku 50-vjeçari ishte si pasagjer, është një makinë tjetër tip “Mercedes Benz CLS”. Në një moment, shoku i Bilalit ka ndaluar makinën vetëm për pak sekonda. Në këtë kohë, Arben Bilali ka zbritur dhe shfaqet duke kaluar mes dy makinave. Sipas pamjeve, viktima duket kur kalon para mjetit të atentatorëve, madje edhe shikon drejt tyre. Por sapo kalon rrugën dhe i afrohet trotuarit, makina e shokut të tij vijon rrugën drejt, ndërsa atentatorët i afrohen Bilalit dhe hapin zjarr drejt tij.

Nga pamjet nuk duken autorët, madje as arma e krimit, pasi ata janë kujdesur që të mos ndalojnë dhe as të mos nxjerrin kokën jashtë. Mësohet se në drejtim të 50-vjeçarit ka qëlluar njëri nga autorët, i cili nuk ka zbritur nga makina. Ai ka qenë i ulur në sediljen e pasme pas shoferit dhe pa nxjerrë kokën në dritare, ka ulur xhamin duke qëlluar.



Skip to toolbar