Apple humbi 113 miliardë dollarë në vlerën e tregut pas padisë së rregullatorit amerikan

BOTA


Aksionet e kompanisë Apple ranë me 4.1 përqind në mbylljen e bursës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke humbur rreth 113 miliardë dollarë nga vlera e saj e tregut.

Sipas “Bloomberg”, kompania po përballet me probleme në të dy anët e Atlantikut, pasi Departamenti Amerikan i Drejtësisë ngriti një padi kundër saj të enjten për një monopol në tregun e smartfonëve, ndërkohë që kompania pritet të hetohet nga BE për shkelje të mundshme të Aktit për Tregjet Dixhitale (DMA).

Padia vjen pas vitesh pretendimesh nga kritikët se Apple po dëmton konkurrencën për shkak të kushteve kufizuese të dyqanit të saj të aplikacioneve, tarifave të larta dhe aksesit të kontrolluar në harduerin dhe softuerin e saj.

“Apple po minon aplikacionet, produktet dhe shërbimet që përndryshe do t’i bënin përdoruesit më pak të varur nga iPhone-ët e tyre”, tha në një deklaratë Departamenti Amerikan i Drejtësisë.

Sipas paditësit, Apple përdor monopolin e saj “për të nxjerrë më shumë para nga konsumatorët, zhvilluesit, krijuesit e përmbajtjes, artistët, botuesit, bizneset e vogla dhe shitësit me pakicë”./abcnews.al



Skip to toolbar