Ish-deputeti dhe ish ministri socialist Arben Malaj ka vendosur të kthehet sërish në politikën aktive pasi u shkarkua nga Kuvendi nga posti i anëtarit të Bordit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Arben Malaj ka njoftuar se i është bashkuar Partisë Agrare Ambientaliste që drejtohet nga Agron Duka për të kontribuar si këshilltar strategjik.
“Një angazhim konkret me Partinë Agrare Ambientaliste. E mirëprita ftesën e kolegut të nderuar Agron Duka për të kontribuar si këshilltar strategjik për platformën dhe organizimin e PAA për zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe lokale”, shkruan Malaj.
Kujtojmë se Arben Malaj disa muaj më herët, pikërisht në korrik të vitit që lamë pas njoftoi se kishte aplikuar online për t’iu bashkuar sërish PS-së.
Aplikimin për t’u rikthyer në PS ai e bëri të ditur në “Facebook” ku shkruante se kur të tjerët do të fillojnë të braktisin PS, ai do të kthehet në këtë parti. “Kur të tjerët do të fillojnë ta braktisin, sapo PS të dalë në opozitë, vendosa të kthehem në PS, me integritetin e pa cenuar, me profesionalizim e thelluar dhe me dashurinë e shtuar. Nga mençuria dhe krenaria labe jam inspiruar përherë në vendimmarrjet e mia” shkruante Malaj.
Kuvendi miratoi pak kohë më parë shkarkimin e Arben Malajt nga posti i anëtarit të Bordit Mbikqyrës së Bankës së Shqipërisë, me argumentin se ai ka shkelur etikën duke mbajtur qëndrime politike, gjë që bie ndesh me postin. Arben Malaj me qëndrimet e tij ka dalë shpeshherë kundër vendimeve të qeverisë së PS-së. Më herët ai është bashkuar me protestën e disa aktorëve dhe PD-së për të bllokuar fillimin e punimeve për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar. Qëndrimet e Malajt dhe qeverisë sociale janë aq të ndryshme sa ai ka vendosur që t’i bashkohet PAA-së së Agron Dukës, një parti aleate me koalicionin opozitar.