Argjentina e Lionel Messit me shokë është gjysmëfinalsitja e dytë e Kupës së Amerikës. ‘Albicelestët’ kanë mposhtur pastër 2-0 Venezuelën në çerekfinale dhe në raundin tjetër do të përballen me Brazilin, në një takim që do të pritet me interes nga të gjithë futbolldashësit në botë. Në takimin e zhvilluar në ‘Maracana’ të Rio De Zhaneiro, fillimisht ishte njeriu i momentit te Argjentina Lautaro Martinez ai që zhbllokoi shifrat. Sulmuesi që aktivizohet me Interin gjatë zhvillimit të një goditje këndi në minutën e 10 gjeti golin duke finalizuar me thembër. Në minutat në vijim si Argjentina ashtu edhe Venezuela pretenduan për penallti, por në të dyja rastet ndërhyri ‘VAR’, duke vijuar lojën. Goli që do të vuloste shifrat do të vinte në minutën ‘74, me Lo Selso-n që konkretizoi një aksion të gjatë të kombëtares.
Në orët e vona të mesnatës së të premtes është mësuar edhe gjysmëfinalistja tjetër që doli nga sfida Kolumbi-Kili. Kampionët aktualë, Kili, janë kualifikuar për me tej falë penalltive, ku kanë triumfuar 4-5.
Për kolumbianët i vetmi që gaboi ishte futbollisti Tesillo, ndërsa penalltinë vendimtare për Kilin e realizoi Sanchez.
Të shtunë në mbrëmje, në orën 21:00 do të luhet çerekfinalja e fundit mes Uruguajit dhe Perusë.