Analisti Arjan Vasjari ka qenë i ashpër në deklaratat e tij, teksa në studion e “Real Story” në News24 diskutohet 21 janari i 2011 pas deklaratave të dy personave kyç në ngjarjet e asaj dite, Agron Malajt dhe Ndrea Prendit.
Vasjari u shpreh i bindur se kjo çështje nuk do të zbardhet më dhe nuk do ketë kurrë një emër ligjor. Sipas tij, është një njollë turpi për të gjithë.
“Dua të jem i drejtpërdrejt dhe të them që nuk shikoj sot në vitin 2021, 10 vjet pas 21 janarit 2011, nuk shikoj asnjë lloj mundësie objektive dhe subjektive që të ketë një emër të qartë ligjor 21 janari. Sfidoj cilindo sot që mund të thotë se kjo çështje mund të zbardhet. Kjo çështje nuk do të zbardhet më. 21 janari nuk do ketë kurrë një emër ligjor. Për emrat politik provoj neveri. Luhet politikisht por nuk bëhen përpjekje që të zgjidhet. Sot ka vetëm dy fakte, vetëm dy, nga ai 21 janar. Fakti i parë është që kemi 4 viktima dhe fakti i dytë është që kemi 8 vite që partia që premtoi që do ta zbardhte ngjarjen nuk e zbardhi. Nuk e di nëse do kishte mundësitë praktike të ndikonte për ta zgjidhur ngjarjen, por tek mua ka lënë një shije të hidhur që përpiqen të përfshijnë policinë e shtetit që nuk ka mbledhur prova. Nuk do ndihmojë aspak në zbardhjen e asaj date. Kemi shumë data në historinë tonë demokratike të cilat nuk kanë një të vërtetë dhe ne do vijojmë të jemi një shoqëri e gjysmë të vërtetave. 21 janari është një njollë turpi tek të gjithë, 360 gradë, si një datë që prodhoi 4 viktima dhe një gënjeshtër të madhe”, deklaroi Vasjari.