Milan i është rikthyer pistës Armando Broja. Kuqezinjtë italianë po tentojnë të sigurojnë një numër 9 në ditët e fundit të merkatos. Dhe sulmuesi i talentuar shqiptar është një nga dy alternativat e “Djallit”.
Për sulmin e skuadrës së Stefano Piolit pëlqehet edhe Hugo Ekitike, sulmuesi 21-vjeçar i PSG-së. Për kartonin e të cilit kampionët e Francës kërkojnë rreth 20 mln euro.
Pista tjetër është ajo që të dërgon te Broja. Me Milanin që ka raporte të shkëlqyera me Chelsea dhe kërkon 21-vjeçarin shqiptar në huazim. Opsion që u pëlqen edhe londinezëve.
Shtypi italian shkruan se e vetmja dilemë lidhet me faktin që Broja nuk është ende në 100%. Pasi po punon fort për të arritur formën e duhur sportive pas dëmtimit të rëndë që pësoi në gju gjatë muajit dhjetor.
Kjo nuk është hera e parë që emri i “yllit” shqiptar lidhet me një transferim të mundshëm në Serie A te “gjiganti” italian.