Arresti, Kushtetuesja rrëzon Berishën/ E cilëson masën “arrest në shtëpi” proporcionale, të përshtatshme dhe të nevojshme

AKTUALITET


TIRANË- Gjykata Kushtetuese vendosi të rrezojë ankimin e Kryetarit të PD, Sali Berisha për masën e arrestit të shtëpisë. Kërkesa e Berishës u rrezua për shkak se trupa gjykuese u nda ne 4 vota pro dhe 4 kundër, duke mos arritur shumicën e nevojshme vendimmarrëse.

Sipas vendimit, masa e arrestit të shtëpisë kërkuar nga SPAK dhe caktuar nga Gjykata e Posaçme, ishte legjitime pasi Berisha kishte kundërshtuar masën e mëparshme të detyrimit të paraqitjes, dhe ne këto kushte masa ishte e nevojshme, proporcionale si dhe në funksion të përshtatshmërisë dhe ashpërsisë.

Vetë Berisha e ka fituar lirinë momentale prej fundit të nëntorit të vitit të kaluar, me vendim të Gjykatës se Posaçme dhe Gjykatës se Posaçme te Apelit e cila i ka caktuar detyrim paraqitje 2 herë në javë.

Ndërsa, SPAK ka kërkuar në te dyja rastet kthimin e tij në arrest shtëpie. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është interpretim, por SPAK në këtë rast mund ta përdorë atë në përputhje edhe me kërkesën e saj, për të kërkuar rikthimin e Sali Berishës ne masën e arrestit të shtëpisë, ndërkohë që hetimet janë mbyllur, dhe e pret gjyqi me akuzën për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë të shtetit bashke me dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi për privatizimin e ish-kompleksit sportiv Partizani gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike, kur Berisha ishte kryeministër.

Njoftimi i vendimit:

Në datën 17.01.2025, Gjykata Kushtetuese (Gjykata) mori në shqyrtim çështjen me kërkues Sali Berisha, me objekt shfuqizimin e vendimeve nr. 520, datë 30.12.2023 dhe nr. 521, datë 27.12.2023, të Gjykatës së Posaçme së Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 15 (87-2024-23), datë 25.01.2024 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 00-2024-667 (94), datë 09.04.2024 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Gjykata, pasi shqyrtoi fillimisht kriteret e legjitimimit të kërkuesit, arriti në përfundimin se: ai legjitimohet si për kundërshtimin e vendimeve gjyqësore për zëvendësimin e masës së sigurimit personal, ashtu edhe për kundërshtimin e procedurës së ndjekur nga Kuvendi për dhënien e autorizimit për caktimin ndaj tij të masës së arrestit në shtëpi.

Gjykata vlerësoi se pretendimet në lidhje me pavarësinë dhe paanshmërinë e gjykatave të posaçme për shkak të ligjit nr. 95/2016 nuk mund të merret në shqyrtim pasi përbën gjë të gjykuar.

Po kështu pretendimet në lidhje me parimin e sigurisë juridike për shkak të paqartësisë së dispozitave procedurale penale që lidhen me kohën e ekzekutimit të masave të sigurimit, nuk mund të merren në shqyrtim pasi kërkuesi nuk kishte shteruar mjetet juridike.

Për sa i takon themelit të çështjes, duke mbajtur në konsideratë argumentet, parashtrimet dhe prapësimet e palëve, Gjykata vlerësoi se: 1. Në lidhje me pretendimin për procedurën parlamentare për dhënien e autorizimit nga Kuvendi, sipas nenit 73, pika 2, të Kushtetutës, Gjykata me shumice votash çmoi se ky pretendim është i pabazuar 2. Në lidhje me pretendimet për cenim të lirisë personale (neni 27 i Kushtetutës), të lidhur me te drejtën për t’u zgjedhur ( neni 45 i Kushtetutës), Gjykata i vlerësoi ato në dy aspekte: në aspektin procedural dhe aspektin substancial. A) Në aspektin procedural, Gjykata vlerësoi procesin gjyqësor në të cilin ishte vendosur zëvendësimi i masave të sigurimit me atë të arrestit në shtëpi në drejtimet e mëposhtme: i) parimi i paanshmërisë së gjykatës i lidhur me të drejtën e mbrojtjes efektive; ii) së drejtës së aksesit të lidhur me standardin e arsyetimit të vendimit.

Gjykata me shumicë votash vlerësoi se këto pretendime nuk janë të bazuara. B) Në aspektin substancial Gjykata vlerësoi proporcionalitetin e masës së arrestit ne shtëpi në drejtim të nevojës, përshtatshmërisë dhe ashpërsisë. Gjykata bazuar në nenin 73, pika 4, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, të ndryshuar, vendosi rrëzimin e kërkesës, për shkak të mosformimit të shumicës së nevojshme vendimmarrëse prej 5 gjyqtarësh. Në përfundim Gjykata vendosi rrëzimin e kërkesës.



Skip to toolbar