Specialisti i Krimeve dhe nën/komisar, Ermand Petova, pjesë e të arrestuarve të operacionit “Abuzuesit” për shpërdorim detyre duke lejuar ndërtime pa leje, akuzohet edhe se kam lënë të lirë një person i cili kërkohet për përdhunim.
Më 9 nëntor 2019, Petova, ka referuar materialet hetimore në ngarkim të Sami Hoxhës, një shtetas i akuzuar nga gruaja V.J., se e kishte përdhunuar në makinën e tij. Prokuroria ka nisur hetimet, duke ngarkuar specialistin të ndjekë rastin, për të bërë arrestimin e personit të akuzuar për këtë ngjarje. Sami Hoxha është shpallur më 5 nëntor 2019 në kërkim, ndërsa polici Ermand Petova ka raportuar se ka shkuar për kontroll në banesën e të akuzuarit, por nuk e ka gjetur atje. Ndërsa sipas hetimeve, nga data 6 deri më 8 nëntor, Sami Hoxha dhe Ermand Petova, kanë biseduar me njëri-tjetrin në telefon, për shkak të njohjes mes tyre.
Sipas verifikimeve, në këto data shihet se polici ka informacion se Sami Hoxha, në fakt është në shtëpinë e tij, por nuk kryen arrestimin e tij. Prokurori i çështjes, ka kërkuar të provohet fakti i përdhunimit, por njohja e policit me Hoxhën, nuk ka dhënë efekt për gruan që denoncoi se ishte përdhunuar.
Gjithashtu gjatë hetimeve të efektivit Petova u konstatua se ai nuk ka ndjekur edhe një denoncim tjetër që lidhej me vjedhjen e një dyqani më 10 nëntor 2019, por edhe pse kishte dijeni nuk ka ndërmarrë asnjë veprim ndaj autorëve për t’i çuar në prokurori.
Një tjetër ngjarje që rëndon mbi policin e arrestuar është edhe fakti se më 9 nëntor, përmes aplikacionit “Komisariati Dixhital”, është denoncuar ndërtimi i një godine në fshatin Shetaj dhe pasi kanë marrë denoncimin, nga operatorët, specialistët e krimeve nuk kanë kryer detyrën, por kanë marrë kamerat e sigurisë për të gjetur, kush ishte spiuni në fshatin Shetaj.
Operacioni i koduar “Abuzuesit” u finalizua pas hetimit tri mujor nga ana e SHÇBA dhe Prokurorisë së Durrësit. 10 policë të prangosur, 2 inspektorë të IMT-së, dhe 5 biznesmenë janë arrestuar, ndërsa 1 person është shpallur në kërkim, ndërsa një tjetër është pezulluar nga detyra. Të arrestuarit në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe duke abuzuar me kompetencat e ushtrimit të detyrës, dyshohet se kishin krijuar një mekanizëm korruptiv me qëllim përfitimin edhe në vlera monetare, i cili ka mundësuar dhe sjellë si pasojë ndërtime të shumta të paligjshme si objekte banimi, magazina, objekte biznesi etj.