Arrestohet politikani polak që takoi Berishën/ Në shtator i shkoi në shtëpi, u prit me raki e tortë

Më të fundit


Sali Berisha që prej fundit të dhjetorit kur u vendos nën arrest shtëpi, ka thyer disa herë masën e sigurisë, duke ftuar në banesën e tij politikanë të huaj.

Një prej tyre është dhe ish-deputeti polak, Ryszard Czarne(RESHARD ÇARNE), emri i të cilit vjen në vëmendjen e Tiranës pasi është arrestuar, së bashku me bashkëshorten e tij, për akuzën e korrupsionit.

Takimi i tij me Berishën ka ndodhur në muajin shtator të këtij viti, për të cilin ai ka bërë një shkrim, mbi kushtet ku ndodhet ish-kryeministri dhe pritjen që i ka bërë në banesën e tij, më pamundësi për ta pritur në selinë e PD-së.

“Në tavolinë shfaqet një alkool i fortë shqiptar – raki dhe tortë. Problemi është se presidenti Berisha nuk mund të më caktojë takim në restorantin e tij të preferuar në Tiranë apo në selinë e Partisë Demokratike”, thotë ish-eurodeputeti polak, në një prej dy shkrimeve që ai ka bërë për Shqipërinë.

Mediat polake ndërkohë shkruajnë se ish-deputeti Czarnecki u arrestua të mërkurën e 11 shtatorit nga Byroja Qendrore Kundër Korrupsionit në aeroportin Chopin në Varshavë.

Ai është arrestuar në lidhje me rastin e tregtimit të diplomave në universitetin privat “Collegium Humanum”.

Prokurori ngriti dy akuza kundër Czarneckit; e para ka të bëjë me ndikimin të paligjshëm në Ministrinë e Arsimit dhe përfitime financiare në vlerën e 21 mijë eurove.

Ka pasur edhe përfitime personale, shkruajnë mediat polake,  të cilat konsistonin në marrjen e dokumenteve të rreme nga bashkëshortja, që vërtetonin përfundimin e studimeve pas-universitare në këtë universitet. Në këmbim, sipas prokurorit që zhvillon hetimet, Ryszard Czarnecki ka vepruar si ndërmjetës në marrjen e vendimeve, vlerësimeve dhe opinioneve pozitive për universitetin, duke përfshirë pëlqimin për krijimin e një dege të huaj.

Akuza e dytë ka të bëjë me pastrim parash. Edhe bashkëshortja e tij ka akuza të ngjashme pasi dyshohet se ajo ka vepruar bashkërisht dhe në konsultim me bashkëshortin e saj. Kjo dosje me tregtimin e diplomave ka qenë nën hetim që prej marsit të 2023.



Skip to toolbar