Arrestohet trafikanti gjerman, tentoi të largohej nga Shqipëria me pasaportë të një shtetasi tjetër

AKTUALITET


Policia Kufitare e Shqipërisë ka arrestuar një 41-vjeçar gjerman, shtetasin M.W., i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Wiesbaden për trafikim të lëndëve narkotike. Ngjarja ndodhi në portin e Durrësit, ku i kërkuari tentoi të dilte nga Shqipëria duke përdorur një pasaportë të një shtetasi tjetër, me të cilin kishte ngjashmëri fizike.

Gjatë kontrolleve të thelluara, të kryera në bashkëpunim me Interpolin, Policia Kufitare verifikoi identitetin e vërtetë të 41-vjeçarit, që rezultoi i kërkuar nga Gjykata e Lorrach në Gjermani. Gjykata kishte caktuar për të masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike, në përputhje me Kodin Penal gjerman.

Në momentin e ndalimit, 41-vjeçari mbante edhe një pasaportë me gjeneralitetet, të dyshuar të falsifikuar. Dokumentet e sekuestruara do të përdoren si prova materiale në procesin hetimor. Ndaj tij janë ngritur edhe akuza për falsifikimin e letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave dhe falsifikimin e dokumenteve.

Materialet procedurale i janë dorëzuar Prokurorisë së Durrësit, e cila ka filluar procedurat për ekstradimin e tij drejt Gjermanisë, në bashkëpunim me Interpol Tiranën dhe autoritetet homologe. Ky rast tregon angazhimin e përforcuar të Policisë Kufitare për të ndaluar hyrje-daljet e personave të kërkuar ndërkombëtarisht, duke forcuar sigurinë në kufijtë e vendit.



Skip to toolbar