Arrihet marrëveshja mes Shqipërisë e Italisë për njohjen e patentave

AKTUALITET


Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Itali, ku është pritur nga homologu i saj italian, Luigi Di Maio. Ministrja Xhaçka dhe Di Maio, konfirmuan në takim se kanë përfunduar zyrtarisht procedurat për njohjen reciproke të lejeve të drejtimit të automjeteve mes dy vendeve.

“Arritëm marrëveshjen për njohjen reciproke të lejeve të drejtimit, me qëllim konvertimi. Nënshkrimi i marrëveshjes javën e ardhshme në Tiranë mes strukturave përgjigje. Veprime konkrete si ky, ofron një impakt konkret për qytetarët. I shpreh Di Maios dhe qeverisë italiane mirënjohje për solidaritetin dhe kontributin e dhënë”, tha Xhaçka.

Ministrja Xhaçka theksoi më tej se duhet të nxitet bashkëpunimi ekonomik dhe shkëmbimet tregtare të dy vendeve. Ajo e cilësoi shtetin italian, si një avokate të palodhur në integrimin e Shqipërisë në BE.

“Komuniteti arbëresh në Itali, urë lidhëse mes dy popujve tanë. Nxisim bashkëpunimin ekonomik dhe shkëmbimet tregtare mes dy vendeve. Shumë shpejt nis punën Komisioni i Përhershëm Ekonomik Shqipëri – Itali. Shteti italian për ne, është si një avokat i palodhur i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, tha Xhaçka.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm italian, Luigi Di Maio, u ndal tek zgjedhjet e 25 prillit dhe i ka bërë thirrje partive politike që të japin prova demokratike.

“Të gjitha forcat politike duhet të japin prova demokracie. Zgjedhjet, forcat politike të japin mesazhin se interesi kombëtar qëndron mbi interesat partiake”, u shpreh Di Maio.



Skip to toolbar