Arrihet pakti në Kosovë, LDK pranon ofertën e fundit nga Vetëvendosja

KOSOVA


Dy partitë fituese të zgjedhjeve në Kosovë kanë arritur më në fund një marrëveshje për krijimin e qeverisë dhe zhbllokimin e situatës politike në vend. Lidhja Demokratike e Kosovës ka njoftuar pranimin e një oferte të fundit nga VV gjatë mbrëmjes së djeshme.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i ka dërguar mbrëmë vonë ofertën e fundit, kryetarit të LDK-së, Isa Musatafa. Në këtë ofertë, të cilën e ka siguruar Insajderi, Kurti ka propozuar rritjen e numrit të ministrive nga 12 në 14. Kësisoj, LDK do të ketë gjashtë ministri, VV pesë, ndërsa minoritetet tri ministri. Oferta nga Kurti tek Mustafa ka shkuar të hënën rreth orës 22:00. Në këtë ofertë janë detajuar të gjitha pozitat që do të mbante secili subjekt.

“Kryeministri, kryetari i Kuvendit, zëvendëskryeministri dytë, një nënkryetar Kuvendi, 5 ministri do t’i takojnë VV-së”, thuhet në propozim.

Vetëvendosja, në këtë propozim ka ofruar që LDK të ketë zëvendëskryeministrin e parë, nënkryetarin e parë të Kuvendit, 6 ministri, dy zëvendësministra më shumë.

Po ashtu Vetëvendosja është pajtuar që LDK ta propozojë kandidatin për President, i cili plotëson të gjitha kushtet dhe te gjitha kriteret kushtetuese. “Nëse, për çfarëdo arsye nuk zgjidhet Presidenti, atëherë LDK do ta marrë një ministri shtesë”, thuhet në propozim.

Ndërsa sot, përmes një komunikate për mediat, LDK nuk dha detaje për marrëveshjen, por tha se propozimi është shumë i ngjashëm me atë të paraqitur në takimin e fundit mes liderëve. “Dje nga LVV-ja kemi pranuar një propozim shumë të ngjashëm me atë të paraqitur nga ata në takimin e fundit të javës së kaluar, me disa ndryshime të vogla, të cilat do të shqyrtohen në ditët në vijim”, ka bërë të ditur zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa.

Që nga e enjtja e javës së kaluar, nuk ka pas më një takim LDK-VV. Pas këtij takimi të fundit të dy liderët e këtyre partive, ikën duke mos u prononcuar para mediave. Ndërkaq dje, pas vizitës së ambasadorit amerikan Philip Kosnett në LDK, ku ai iu bëri thirrje të dy partive që ta formojnë sa më shpejt qeverinë, një prononcim të shkurtër e dha kryetari i LDK-së Isa Mustafa.



Skip to toolbar