Arrin në 1 milion litra nafta kontrabandë nga Tunizia, kapet anija e dytë në Durrës

AKTUALITET


Brenda 24 orëve në Durrës është finalizuar një tjetër operacion kundër kontrabandës së naftës nga Tunizia. Pas 670 mijë litrave të sekuestruara pasditen e djeshme, operacioni “Ari i zi” ka vijuar me sekuestrimin e 400.000 litra naftë dhe anijes në balastrat e së cilës ishte fshehur kjo sasi.

“Në vijim të veprimeve policore, me qëllim goditjen e rasteve të kontrabandimit të sasive shumë të mëdha të naftës, nga Tunizia, me anije, Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare i DVP Durrës, Antikontrabanda dhe Seksioni për Mbështetjen Operacionale të Hetimit të DVP Durrës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare e DPPSh-së, Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit Durrës, Guardia di Finanza Durrës, si dhe Dega e Doganës Durrës, finalizuan operacionin policor të koduar “Ari i zi 2”. Gjatë operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit sirianë M. S., 56 vjeç, kapiteni i anijes, Ë. B., 42 vjeç, ndihmës i oficerit të parë, H. B., 47 vjeç, shefi i inxhinierëve, S. Sh., 25 vjeç, shefi i ofiçinës, F. I., 23 vjeç, mirëmbajtës i pompave të naftës, si dhe shtetasi shqiptar N. M., 34 vjeç, oficer i parë i anijes. Nga kontrolli në anije, në balastrat që shërbejnë për balancimin e mjetit, u gjetën 400 000 litra naftë e dyshuar e kontrabanduar nga Tunizia”, informon policia.

Për anijen e dytë me naftë kontrabandë kanë rënë në prangat e policisë 6 shtetas dhe nën hetim janë 5 sirianë, egjiptianë dhe shqiptarë, pjesëtarë të ekuipazhit të anijes.

Të arrestuar janë Mohammed Sallit, Wissan Broud, Hassan Broud, Sami Shanta, Faez Ismaeil dhe Nedio Mejdani.

Ndërkohë janë shpallur në kërkim 2 organizatorët e dyshuar të rastit.

“Gjithashtu, u identifikuan dhe u shpallën në kërkim organizatorët e dyshuar të këtij rasti, shtetasit J. K., 31 vjeç, banues në Tiranë, dhe S. S., 32 vjeç, banues në Durrës. Vijon intensivisht puna për lokalizimin dhe kapjen e tyre”, njofton policia.

A2 mëson se në kuadër të operacionit “Ari i zi” vijon puna për kapjen e shtetasve Eduart Skora dhe Florian Biba, ndërsa në kuadër të operacionit “Ari i zi 2”, vijon puna për kapjen e shtetasve Juxhin Koka dhe Serxha Sula.



Skip to toolbar