“Artemis II” në rrugën e kthimit/ Hyn në atmosferën e Tokës, ulet në Paqësor më 11 prill

BOTA


Katër astronautët e misionit historik Artemis II, folën për emocionet e tyre, teksa përgatiten të rihyjnë në atmosferën e Tokës dhe të ulen në Oqeanin Paqësor.

Ekuipazhi i Artemis II, që fluturon në kapsulën e tyre Orion, do të zbresë në brigjet e Kalifornisë Jugore të premten në mbrëmje me kohën lokale, pra rreth orës 2 pas mesnate me orën në Shqipëri. Ata shkuan përtej anës së errët hënore duke thyer një rekord për distancën më të largët nga Toka të arritur ndonjëherë.

Gjatë udhëtimit për në shtëpi, ata do të arrijnë shpejtësi deri në 38 mijë e 365 km/orë ndërsa hyjnë në atmosferën e Tokës, një fazë me rrezik të lartë e misionit që do ta vërë në provë mburojën termike të Orionit, ndërsa ajo goditet nga fërkimi intensiv atmosferik.

Piloti i misionit Victor Glover tha se ka menduar për hyrjen në atmosferë që kur iu caktua ky mision tre vjet më parë. Specialistja e misionit Christina Koch e paraqiti serinë e misioneve si një garë stafetash, duke u thënë gazetarëve se ata planifikojnë t’ia dorëzojnë ato ekuipazhit të ardhshëm që do të vazhdojë këto misione historike.

Misioni i ardhshëm, Artemis III, do të përfshijë një provë ankorimi në orbitën e ulët të Tokës midis kapsulës Orion dhe të dy anijeve hënore të astronautëve që NASA planifikon t’i përdorë për të dërguar astronautët e saj në hënë në misionet e mëvonshme.

Artemis IV, e synuar për vitin 2028, do të jetë ulja e parë hënore me ekuipazh e programit dhe e para që nga Apollo 17 në vitin 1972. Shkencëtarët e shohin misionin Artemis II si një hap të hershëm të rëndësishëm në zbulimin e mistereve rreth formimit të sistemit diellor.



Skip to toolbar