Presidenti Ilir Meta ka dekoruar sot me Dekoratën e Flamurit Kombëtar, më të lartën e Republikës, Heroin e Popullit, Avni Rustemi, pas vdekjes.
Vlerësimi vjen në 125 vjetorin e lindjes së tij, ku përmes një postimi në facebook, kreu i Shtetit shpreh mirënjohje të thellë për aktin e tij patriotik.
“Akti i tij burrëror dhe mbrojtja dinjitoze e çështjes shqiptare në gjyqin historik të Parisit, patën një jehonë të gjerë ndërkombëtare dhe u bënë burim frymëzimi për qëndresën mbarë shqiptare kundër pushtuesve të huaj dhe bashkëpunëtorëve të tyre, gjë që u manifestua në Luftën Kombëtare të Vlorës.” shkruan Meta në postimin e tij.
Postimi i plotë:
Me rastin e 125-vjetorit të lindjes, në vlerësim dhe mirënjohje të thellë për aktin e Tij të lartë patriotik, që kreu 100 vjet më parë, duke asgjësuar armikun kryesor të brendshëm, që mbante peng procesin e rivendosjes se Pavarësisë e të sovranitetit të shtetit shqiptar të shpallur nga Ismail Qemali, kam sot nderin dhe privilegjin të vlerësoj Heroin e Popullit, Avni Rustemi, me Dekoratën e Flamurit Kombëtar, më të lartën e Republikës.
Akti i tij burrëror dhe mbrojtja dinjitoze e çështjes shqiptare në gjyqin historik të Parisit, patën një jehonë të gjerë ndërkombëtare dhe u bënë burim frymëzimi për qëndresën mbarë shqiptare kundër pushtuesve të huaj dhe bashkëpunëtorëve të tyre, gjë që u manifestua në Luftën Kombëtare të Vlorës.