Katër astronautë janë kthyer të sigurt në Tokë këtë të enjte, 15 janar, duke përmbyllur para kohe një mision në hapësirë. Për shkak të një problemi shëndetësor brenda ekuipazhit, ata u detyruan të largoheshin nga Stacioni Hapësinor Ndërkombëtar rreth një muaj më herët nga sa ishte planifikuar.

Astronautët e NASA-s Zena Cardman, Mike Fincke, Kimiya Yui dhe Oleg Platonov u ulën në Oqeanin Paqësor pas një udhëtimi që zgjati 11 orë. Ky është rasti i parë në 25 vite funksionimi të stacionit që një mision përfundon para afatit për shkak të një shqetësimi shëndetësor.
NASA nuk ka bërë të ditur se cili prej astronautëve u prek apo natyrën e problemit, por ka theksuar se situata ishte nën kontroll dhe nuk përbënte emergjencë. Për pasojë, u anulua edhe një shëtitje e planifikuar në hapësirë më 8 janar, gjatë së cilës Cardman dhe Fincke do të kryenin punime riparimi në pjesën e jashtme të stacionit.

Para nisjes drejt Tokës, Mike Fincke deklaroi se ai dhe pjesa tjetër e ekuipazhit “ishin mirë, të sigurt dhe po merrnin kujdesin e nevojshëm”.
Kthimi në Tokë u zhvillua pa incidente. Ekuipazhi i misionit Crew-11 kishte kaluar gjithsej 165 ditë në Stacionin Hapësinor Ndërkombëtar, ku kishte mbërritur në muajin gusht dhe ishte planifikuar të qëndronte deri në fund të shkurtit.

Aktualisht, në stacion kanë mbetur vetëm tre persona: astronauti Chris Williams dhe kozmonautët Sergey Kud-Sverchkov dhe Sergei Mikaev. Misioni i ardhshëm ishte parashikuar të nisej jo më herët se 15 shkurti, por NASA po shqyrton mundësinë e shtyrjes së tij.

