Atalanta e Berat Gjimshitit, i rikthyer titullar pas qëndrimit në stol në ndeshjen e Champions League kundër Shakhtar-it, nuk mund të ndalet në Itali. Zikaltrit kanë marrë fitoren e tretë radhazi në kampionat pasi kanë mundur 3-1 Lecce-n falë golave të Zapata (35′), Gomez (40′) dhe Gossens 56′). Goli i puljezëve është realizuar nga Lucioni (87′). Bergamaskët kanë shkuar në 16 pikë dhe kanë kapur Juventus-in në vendin e dytë, por bardhezinjtë kanë një ndeshje më pak.
Ndërkohë, këtë të diel kanë ngecur Roma dhe Lazio, që kanë barazuar ndeshjet respektive të luajtura kundër Cagliari-t dhe Bologna-s. Ndeshja e luajtur në Olimopico është mbyllur me rezultatin 1-1, me të dy golat që janë realizuar nga miqtë. Joao Pedro ka kaluar në avantazh Cagliari-n me penallti në minutën e 26-të para se Ceppitelli të fiksonte barazimin me një autogol. Roma ka shënuar golin e fitores me Kalinic në minutat e fundit, por që është anuluar nga VAR.
Për sa i takon ndeshjes së luajtur në Dall’Ara, gjithçka është vendosur në pjesën e parë, në të cilën janë realizuar katër gola. Krejci (21′) ka zhbllokuar takimin në favor të kuqebluve, ndërsa Immobile (23′) ka barazuar për ekipin e Lazio-s.
Palacio (31′) ka kthyer në avantazh vendasit, por bardhekaltrit kanë reaguar përsëri me Immobile-n (40′). Rezultati ka mbetur i pandryshuar deri në fundin e takimit, me dy skuadrat që kanë mbetur me 10 lojtarë pas kartonëve të kuq të marrë nga Medel i Bologna-s dhe Leiva i Lazio-s në pjesën e dytë. Skuadra e Inzaghit ka pasur një mundësi të artë për të marrë tri pikët në minutën e 88-të, por penalltia e Correa-s është ndalur nga traversa.