Persona të paidentifikuar kanë organizuar një atentat në derën e shtëpisë ndaj një anëtari të bandës së Niklës, ngjarje nga e cila ka mbetur e vrarë halla e objektivit, ndërsa është plagosur vetë ai. Atentati ka ndodhur në orët e vona të natës, ku u plagosën Mariglen Haka dhe halla e tij Shpresa B., ndërkohë që kjo e fundit ndërroi jetë në spitalin e Traumës në Tiranë.

Ngjarja e rëndë ndodhi në orën 23:50 në fshatin Zezë të zonës së Niklës në Fushë Krujë. Shpresa B. dhe Mariglen Haka u qëlluan me armë në hyrje të shtëpisë. Pas kësaj, ata u nisën drejt spitalit, por gruaja e plagosur nuk ka mundur të mbijetojë. Ndërkohë, shoqërues i tyre në spital ka qenë Valter Bami, vëllai i Durim Bamit.
Sipas të dhënave, dy të plagosurit i ka çuar në spital me makinë private, Valter Bami, vëllai i Durim Bamit. Edhe vetë Valter Bami është pjesë e grupit të arrestuar të bandës së Niklës në 2018-ën. Dyshimet e para të policisë, janë se kemi të bëjmë me një atentat të mbetur në tentative për motive hasmërie. “Grupi hetimor po punon për identifikimin e autorëve dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, thotë policia në një njoftim paraprak për ngjarjen.
I plagosuri Mariglen Haka nuk është një emër i panjohur për Policinë pasi në 13 qershor 2011 është shoqëruar si i dyshuari kryesor për vrasjen e biznesmenit të kromit Nadien Zeneli, në zonën e Bllokut. Haka u tha në atë kohë se kishte vrarë biznesmenin pasi dyshonte se ai ishte i përfshirë në vrasjen e vëllait të tij, Roland Haka, në vitin 2004.
Mariglen Haka është pjesë e grupit të Niklës, arrestuar më herët më 12 shtator të vitit 2018. Në prill të këtij viti Gjykata e Krujës ka dënuar me 1.6 vite burg Mariglen Hakën, nga 2.6 vite heqje lirie që kishte kërkuar prokurori i çështjes. Pjesë e këtij grupi ishte edhe Valter Bami, vëllai i Durim Bamit, i cili është dënuar me 1 vit burgim. Është pikërisht personi që shoqëroi në spital të plagosurit. Haka dhe Bami akuzohen si pjesë e një grupi që kishin armatime dhe municione luftarake pa leje si dhe për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike. Ata janë arrestuar gjatë një aksioni që reparti RENEA dhe FNSH bënë në fshatin Nikël duke arrestuar në mesnatë 4 persona. Durim Bami është personi që u dënua me 8 muaj për kallëzim të rremë ndaj atentatit të ish-deputetit Tom Doshi.
