Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, ka reaguar nga Elbasani në lidhje me atentatin mafioz të ndodhur mbrëmjen e së martës në Tiranë, ku u plagos Preng Gjini nga një sasi eksplozive të vendosur në autoveturën që drejtonte.
Sipas Lleshajt, ngjarja ishte një goditje e pabesë ndaj rendit dhe sigurisë publike, ndërsa deklaroi se ka urdhëruar vënien në dispozicion të hetimeve të të gjitha aseteve për zbardhjen dhe identifikimin e autorëve.
“Një goditje e shëmtuar dhe e pabesë ndaj sigurisë publike, që provon se krimi mbetet kërcënim dhe sfidë me të cilën duhet të përballemi në mënyrë të pandërprerë. I kam kërkuar drejtuesve të Policisë së Shtetit të angazhojnë të gjitha burimet e nevojshme për kapjen e autorëve”, deklaroi ministri nga Elbasani.
Por ndërsa ministri pret rezultatet e hetimit të policisë dhe prokurorisë, për drejtuesin politik të qarkut të Elbasanit, Taulant Ballën, publiku duhet të tregojë pak durim, pasi policia do t’i identifikojë dhe arrestojë në kohën e duhur autorët e atentatit mafioz në Tiranë.
Goditje dhe sulme kriminale si ai i djeshmi ndodhin në çdo kryeqytet të botës, durim se policia do t’i vërë autorët para përgjegjësive”, deklaroi Balla.
Sakaq vetë ministri Lleshaj që pas deklaratës së dhënë në Vlorë ku u shpreh i sigurt që nuk do të jetë më ministër i Brendshëm, duket se ka ndryshuar mendje. “Nuk dorëhiqem, kam një mision për të kryer”, deklaroi ai.