Atentat ndaj Çapajve, Prokuroria: 22 vite burg për të akuzuarin

AKTUALITET


Prokuroria e Elbasanit ka kërkuar dënimin me 22 vite burg për Shkëlzen Hasanpapaj, njeriun që dyshohet nga grupi i hetimit se lëshoi dy breshëri automatiku në drejtim të Florenc Çapjas dhe Bledar Muçës, dy anëtarë të grupit “Çapja” në këtë qytet. Dy prokurorët e çështjes Neritan Hoxha dhe Ritvan Suka për gati 1 orë kanë lexuar konkluzionet përfundimtare, duke i kërkuar trupit gjykues, deklarimin fajtor të pandehurit Shkëlzen Hasanpapaj dhe dënimin e tij me 22 vite burgim për tentativën e vrasjes ndaj Bledar Muçës dhe Florec Çapjes dhe plagosjen e një punonjëse të policisë së Elbasanit. Vepra penale për të cilën akuzohet Hasanpapaj është ajo e “Vrasje me paramendim ndaj një ose më shume personave” e mbetur në tentative dhe “Mbajtje pa leje e armëve të zjarrit”.

Pas kryerjes së krimit, i dyshuari Hasanpapaj ishte larguar në drejtim të Holandës, ku është arrestuar dhe ekstraduar për llogari të drejtësisë në Shqipëri. Hasanpapaj kurrë nuk i ka pranuar akuzat e prokurorisë së Elbasanit, por grupi i hetimit pretendon se një analizë ADN ka zbuluar identifikimin e tij në këtë ngjarje të rëndë kriminale të ndodhur në qendër të Elbasanit. Pritet që në seancën e radhës të datës 1 tetor 2019 avokatët mbrojtës të shpalosin para gjykatës argumentet e tyre mbrojtëse, ku ka shumë gjasa që të kërkojnë deklarimin e pafajshëm të Hasanpapaj. Vetë ky i fundit ka qenë në sallën e gjyqit dhe e ka ndjekur me shumë vëmendje pretencën e dy prokurorëve, ndërsa Bledar Muça dhe Florenc Çapja nuk kanë qenë të pranishëm. Çapja dhe Muça janë dy emra të njohur për policinë e Elbasanit dhe në kartotekën kriminale të kësaj policie kanë të renditura disa ngjarje ku dyshohet se kanë marrë pjesë. Ata dyshohet se u qëlluar në datën 6 qershor 2016 nga Shkëlzen Hasanpapaj.

Ky i fundit i veshur me uniformë ushtrie dhe që në dorë mbante një çantë kamoflazhi brenda së cilës kishte futur një automatik, ka qëlluar dhjetëra plumba mbi automjetin tip “Golf 5”, në të cilin udhëtonte Bledar Muça dhe Florenc Çapja. Makina me targa AA 997 NE ishte në në pronësi të Florenc Çapjas. Autori është kujdesuar të vrasë të dy personat që ishin në makinë Florenc Çapjan dhe kushëririn e tij Bledar Muçën, por xhami i parë i blinduar i makinës, ka bërë që plumbat të mos depërtojnë në anën ballore të mjetit. Ndërkohë një breshëri e dytë në anën anësore të makinës, ka sjellë plagosjen e Bledar Muçës që ishte në vendin e parë të pasagjerit. Florenc Çapja që ndodhej në timon nuk ka marrë asnjë plumb, ai ka manovruar shpejt makinën, duke e nxjerrë atë nga rruga dhe futur në rrethimin e brendshëm të maternitetit të spitalit Elbasan, që dikur ka qenë ish-kirurgjia. Të dy shënjestrat i kanë shpëtuar paq këtij atentati të mirëorganizuar. Ndërkohë nga plumbat është plagosur në këmbë rastësisht një efektive e policisë së Elbasanit që ishte duke kaluar në anën tjetër të rrugës.

Ky ishte atentati i dytë me armë brenda katër muajve të vitit 2016 që Florenc Çapja e Bledar Muça i shpëtuan plumbave. Momentalisht Florenc Çapja ndodhet në burg, pasi është arrestuar për tentativën e vrasjes së Fadil Memës, ish-efektivit të policisë rrugore në Elbasan. Në datën 20 shtator 2019 Çapja pritet të dalë para gjykatës së Elbasanit, pasi ka kërkuar në gjykatë zëvendësimin e masës së sigurisë nga “arrest në burg” në një masë sigurimi më të butë, duke synuar lirimin nga qelia.



Skip to toolbar