Basha: Rama e linçoi publikisht prokurorin

POLITIKË


Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka reaguar pas atentatit kundër prokurorit Arjan Ndoja, duke e marrë në mbrojtje atë dhe duke sulmuar mazhorancën, të cilën e akuzoi se e linçoi publikisht të plagosurin e së premtes. Lideri i PD-së thotë se atentati është një ngjarje e rëndë mafioze që tregon se krimi nuk e ka frikë shtetin.

“Atentati ndaj një prokurori është ngjarja më e rëndë mafioze që mund të ndodhë në një vend. Ngjarja e sotme tregon se krimi nuk e ka frikë shtetin. Më e rëndë është situata kur kjo ngjarje kriminale u parapri nga kërcënime direkte të kryeministrit dhe zëvendëskryeministrit ndaj këtij prokurori, i cili nëse dyshohej se ka shkelur ligjin duhet të çohej para drejtësisë e jo të linçohej publikisht.

Basha kërkon zbardhje sa më parë të kësaj ngjarje të rëndë dhe vënie para drejtësisë të autorëve, por shkon më tej, duke aluduar edhe për porositës të këtij krimi mafioz. “Sonte dua të inkurajoj çdo prokuror dhe punonjës të ndershëm të policisë të luftojnë krimin dhe të mos gjunjëzohen para tij. E di se flas në emër të shumicës dërrmuese të shqiptarëve, kur ju them se keni në këtë betejë simpatinë dhe mbështetjen mbarëpopullore, edhe kur kundër jush e në krah të krimit janë të implikuar segmentet më të larta të pushtetit”, shkruan Basha në faqen e tij në Facebook.



Skip to toolbar