“Atje më rrezikohet jeta”, Spanja rrëzon Lul Berishën: Do ekstradohet në Shqipëri

AKTUALITET


Gjykata Kombëtare e Spanjës ka vendosur për të ekstraduar të shumëkërkuarin nga autoritetet shqiptare, Lulzim Berishën. Vendimi është marrë ditët e fundit, pas gjyqit të parë që u zhvillua me 2 korrik.

Pavarësisht se 52-vjeçari, i mbrojtur nga dy avokatë spanjollë, i kërkoi rreth një muaj më parë gjykatës që të mos dorëzohet në Shqipëri duke pretenduar se në vendin tonë i rrezikohet jeta, dhe ka frikë nga një hakmarrje për shkak të së shkuarës së tij, Gjykata Kombëtare e Spanjës ka pranuar kërkesën e prokurorisë spanjolle për ekstradim.

Në gjyq, Prokuroria spanjolle ka përmendur të shkuarën e Lulzim Berishës, rrezikshmërinë që ai paraqet, dhe akuzat e ngritura nga Prokuroria e Posaçme. Prokuroria ka theksuar se atij i rrezikohet jeta vetëm jashtë burgut, dhe duke ua dorëzuar Lulzim Berishën autoriteteve shqiptare, ai nuk do të rrezikohet në asnjë moment.

Megjithatë Lul Berisha, ish kreu i bandës së Durrësit, ka të drejtën për të apeluar, vendimin e Gjykatës Kombëtare në Gjykatën e Lartë të Spanjës.

“Në fakt bëhet fjalë për një seancë të zhvilluar disa ditë më parë nga Gjykata e Spanjës, për të cilën ka vendosur të pranojë kërkesën e prokurorisë që kërkon ekstradimin drejt Shqipërisë të Lulzim Berishës. Në një seancë të mëparshme të zhvilluar me 2 korrik, Lulzim Berisha ka paraqitur me anë të dy avokatëve të tij disa argumenteve se pse nuk duhet të vijë në Shqipëri, duke renditur disa atentate, duke pretenduar se i rrezikohet jeta. Por prokuroria ka argumentuar se nëse ai do t’i dorëzohet autoriteteve shqiptare, ai do të vijojë gjykimin në ambiente të mbyllura dhe në asnjë vend s’do t’i rrezikohet jeta.”, raportoi gazetari Ervin Leka.



Skip to toolbar