Aung San Suu Kyi dënohet me katër vjet heqje lirie

BOTA


Një gjykatë në Mianmarin e sunduar nga ushtria, dënoi të hënën udhëheqësen e rrëzuar, Aung San Suu Kyi, me katër vjet heqje lirie, nën akuzat për nxitje dhe shkelje të kufizimeve për shkak të koronavirusit.

Presidenti Win Myint u dënua gjithashtu me katër vjet heqje lirie, tha një burim që foli në kushte anonimiteti, pasi gjykata shpalli vendimet e para kundër zonjës Suu Kyi dhe udhëheqësve të tjerë civilë të arrestuar nga ushtria pas grusht shtetit të shkurtit të këtij viti.

Fituesja e çmimit Nobel për paqen, Suu Kyi, 76 vjeç, është arrestuar që nga grushti i shtetit së bashku me shumicën e udhëheqësve të lartë të partisë së saj, Lidhja Kombëtare për Demokraci (NLD). Të tjerët janë jashtë vendit ose të fshehur dhe asnjë zëdhënës i partisë nuk ishte i qasshëm për ndonjë koment pas vendimit të sotëm të gjykatës.

Grupi i të drejtave të njeriut, Amnesty International, tha se akuzat kundër zonjës Suu Kyi-t ishin të rrejshme dhe e përshkroi dënimin me burg si shembullin e fundit të vendosmërisë së ushtrisë për të eliminuar të gjithë opozitën dhe për të shtypur liritë në vend.

“Të hënën, Suu Kyi u dënua me dy vjet për nxitje kundër ushtrisë dhe dy vjet të tjera për shkelje të ligjit të fatkeqësive natyrore në lidhje me COVID-19” i tha AFP-së me telefon zëdhënësi i juntës Zaw Min Tun.

Ushtria nuk ka dhënë hollësi se ku po mbahet zonja Suu Kyi dhe nuk ishte menjëherë e qartë nëse dënimi do të nënkuptonte ndonjë ndryshim të menjëhershëm të rrethanave në të cilat ndodhet ajo.

Gjyqi në kryeqytetin, Naypyitaw, u mbajt i mbyllur për mediat dhe organet e informimit publik të juntës, nuk i kanë përmendur procedurat. Avokatët e zonjës Suu Kyi-t e kanë të ndaluar të komunikojnë me median dhe publikun.

Aung San Suu Kyi përballet me një duzinë akuzash që përfshijnë korrupsionin dhe shkeljen e fshehtësive shtetërore që mund ta çojnë atë në burg për më shumë se një shekull./voa



Skip to toolbar