Anthony Fauci: Vaksinën kundër COVID-19 do ta kemi në dhjetor

Një vaksinë kundër COVID-19 mund të jetë e disponueshme në Shtetet e Bashkuara që në fillim të muajit dhjetor, nëse ajo do të provohet që është sigurt dhe efikase.

Kështu tha eksperti i lartë i sëmundjeve infektive në SHBA, Anthony Fauci nw njw intervistw pwr Bbc. Megjithatë ai sqaroi se do të duhen disa muaj të tjerë para nisjes së vaksinimit në masë.

“Mendoj se do të mësojmë nëse një vaksinë është e sigurt dhe efikase në fund të nëntorit ose në fillim të dhjetorit. Pyetja është, pasi e kemi një ose më shumë vaksina të sigurta, si do t’i çojmë tek njerëzit që kanë nevojë së më shpejt të jetë e mundur.

Sasia e dozave që do të jenë të disponueshme në dhjetor nuk do të jetë e mjaftueshme. Do të kenë prioritet stafi mjekësor apo ata që gjenden në kategorinë e personave më të riskuar. Të tjerë do të duhet të presin disa muaj të tjerë në 2021-shin.”, u shpreh ai.

Pjesëtari i taks forcës kundër covid-19 në Shtëpinë e Bardhë shton se vaksina nuk do të zëvendësojë nevojën e respektimit të masave që janë në fuqi për të mbrojtur qytetarët nga virusi, për një kohë të caktuar.

Basha publikon “4 hapat urgjentë” për situatën

Kryedemokrati Lulzim Basha ka nxjerrë sot 4 hapat urgjentë që duhet të ndërmarrë qeveria për t’iu ardhur në ndihmë qytetarëve shqiptarë në situatën e pandemisë së COVID-19.

Në fakt bëhet fjalë për një pjesë të planit të PD-së për rimëkëmbjen të deklaruar dhe sugjeruar disa herë nga Basha.

“Rritja e numrit të testimeve, rimbursimi i plotë për mjekimin në shtëpi kundër Covid, bonusi i premtuar dhe angazhimi i të gjithë mjekëve e infermierëve dhe shtimi i kapaciteteve spitalore janë 4 hapa URGJENTË në ndihmë të shëndetësisë dhe shqiptarëve të lënë në mëshirë të fatit”, shkruan kreu i PD.

Manastirliu nga Infektivi: Nuk ka kolaps të sistemit shëndetësor

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu iu është përgjigjur nga Spitali Infektiv akuzave të Partisë Demokratike, e cila deklaroi sot se sistemi shëndetësor është në kolaps. Manastirliu është takuar me shefen e Infektivit Najada Çomo e cila ka informuar për gjendjen në spital dhe kapacitetet aktuale.

Manastirliu deklaroi se nuk ka kolaps të sistemit shëndetësor dhe iu ka këshilluar mjekëve të mos i marrin për bazë deklaratat politike.

“Do të hapim spitalin COVID3, mjekët dhe infermierët i kemi trajnuar, spitali është i gatshëm të hapet sot, nesër, në çdo moment që do të ezaurohen kapacitetet e dy spitaleve të para”, tha Ministrja e Shëndetësisë.

Duke falenderuar mjekët dhe infemrierët e këtij shërbimi për punën e palodhur, Manastirliu deklaroi se mbështetja e qeverisë për stafet mjekësore do të vijojë.
“Nuk dua te dekurajoheni nga ato që dëgjoni. Kam ardhur këtu t’ju jap kurajë të vijoni punën ashtu siç keni bërë deri tani, të jeni të sigurt që mbështetja e qeverisë do vijoj pa u ndaluar ashtu siç ka ndodhur deri tani”, tha Manastirliu.

Teksa ka theksuar se COVID3 dhe COVID4 janë gati dhe me ezaurimin e kapaciteteve në dy spitalet aktuale do të hapen, pas tyre edhe spitalet rajonale janë parapërgatiur në infasrtukturë dhe burime njerezore për ti bërë ballë çdo skenari. Ministrja ju përgjigj përfaqësuesve të opozitës për kapacitetet e sistemit shëndetësor.
“Nuk ka kolaps të sistemit shëndetësor. COVID nuk është lojë, e gjithë bota është në vështirësi. Jemi të përgatitur për disa skenarë. Spitali ‘COVID 3’ do hapet kur të ezaurohen kapacitetet, gjithashtu ndërtuam spitali COVID4 dhe spitalet rajonale sipas disa skenarëve të parapërgatitur. Kemi shtuar kapacitetet në sistem për të mos prekur pjesën tjetër të sistemit”, tha Manastirliu.

Ministrja Manastirliu iu është drejtuar sërish me një apel qytetarëve.
“Shumica janë të mërzitur dhe të lodhur nga pandemia, por duhet kujdes dhe kjo është për të mirën tuaj dhe për të mirën e shëndetit të të afëmve tuaj, ndaj duhet të jeni shumë të kujdesshëm: vendosni maskën, të ruani distancimin fizik dhe të kujdeseni për higjenën”, tha Manastirliu.

Maska me detyrim, gjobiten 688 qytetarë gjatë 24 orëve, 13 në komisariat

Policia e Shtetit në zbatim të masave anticovid, gjatë 24 orëve të fundit ka ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë, 688 qytetarë që janë konstatuar pa maskat mbrojtëse.

Strukturat e Policisë kanë vijuar kontrollet në terren në të gjithë vendin, për të monitoruar zbatimin e masës së re për parandalimin e përhapjes së COVID-19, mbajtjen e detyrueshme të maskës mbrojtëse, e cila është detyrim për të gjithë qytetarët, që në momentin që dalin nga shtëpia.

Gjatë kontrolleve në ambiente të ndryshme në të gjithë vendin, shërbimet e Policisë kanë konstatuar se shumica e qytetarëve i kishin vendosur maskat mbrojtëse edhe gjatë orëve të mbrëmjes. Gjatë kontrolleve janë evidentuar dhe ndëshkuar edhe 556 qytetarë që nuk i kishin vendosur maskat mbrojtëse. Për këtë arsye, secili prej tyre është ndëshkuar me masën administrative me vlerë 3.000 lekë.

Gjithashtu, nga ana e shërbimeve të Policisë Rrugore në të gjithë vendin janë konstatuar dhe ndëshkuar me masë administrative 3.000 lekë, 132 pasagjerë që janë konstatuar pa maska në automjete private (pa lidhje familjare me drejtuesin e mjetit) dhe pasagjerë pa maska mbrojtëse në mjetet e transportit publik.

Gjithashtu, gjatë kontrolleve janë shoqëruar në ambientet e Policisë në të gjithë vendin, 13 shtetas që nuk kanë pranuar t’i tregojnë punonjësve të Policisë dokumentin e identifikimit apo nuk e kanë pasur atë me vete, të cilët pasi kanë paraqitur dokumentin e identifikimit, janë ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë dhe më pas janë lënë të lirë.

Policia e Shtetit falënderon qytetarët që respektojnë këtë masë mbrojtëse dhe apelon që të gjithë të vendosin maskat mbrojtëse, pronarët e lokaleve të respektojë protokollet e sigurisë dhe të mos kundërshtojnë urdhrin e punonjësve të Policisë, pasi Policia e Shtetit është në shërbim të qytetarëve, për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e tyre, ndaj dhe është i rëndësishëm zbatimi i kësaj mase mbrojtëse sepse parandalon infektimin me COVID-19

Rënie e lehtë e të prekurve, MSH: 299 të infektuar nga COVID-19 në 24 orë,4 viktima

Janë 299 persona të evidentuar me COVID-19 në 24 orët e fundit. Një rënie e lehtë nga dita e djeshme ku ishin 302 të prekur. Fatkeqësisht 4 persona kanë humbur jetën.

MSH deklaron se janë kryer 1315 testime në 24 orët e fundit. Janë shëruar 106 qytetarë, duke e çuar në 10654 numrin e të shëruarve në vend që prej fillimit të epidemisë.

Rastet pozitive të konfirmuara në 24 orët e fundit janë identifikuar në këto bashki:
184 raste në Tiranë, 23 raste në Korçë,
12 raste në Vlorë, 11 raste në Kuçovë,
8 raste në Durrës, 7 raste në Elbasan,
6 raste në Pogradec dhe Përmet,
5 raste në Librazhd, 4 raste në Shkodër dhe Lezhë,
3 raste në Fier, Pukë, Tropojë, Sarandë, Skrapar,
2 raste në Krujë, Kurbin, Prrenjas,
1 rast në Devoll, Kukës, Kavajë, Berat, Kamëz, Mat, Fushë-Arrëz, Cërrik.

Aktualisht në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 271 pacientë, 16 në terapi intensive nga të cilët 9 pacientë janë të intubuar.
Në 24 orët e fundit, me gjithë përpjekjet e mjekëve, fatkeqësisht e kanë humbur betejën me COVID19, një 64 vjeçar nga Elbasani, një 65-vjeçar nga Tropoja, një 77-vjeçar nga Tirana, një 81-vjeçar nga Gramshi. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh ngushëllimet familjarëve.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju bën apel qytetarëve: Vendoseni maskën kudo në ambientet jashtë shtëpisë, ruani distancën dhe kujdesuni për higjienën, vetëm kështu mund të parandalohet përhapja e infeksionit SARS COV2.
Kontaktoni me mjekun e familjes ose telefononi Urgjencën Kombëtare në numrin 127 nëse dyshoni se ju apo një i afërmi juaj është i prekur nga COVID19.
Telefononi në linjën e gjelbër falas 0800 40 40 për të kontaktuar mjekun e familjes, për sherbim psikologjik te specializuar dhe të sigurt si dhe për çdo informacion tjetër rreth COVID19.

COVID-19 – Statistika (25 Tetor 2020)
Raste të reja ditore 299
Të shëruar ne 24 orë 106
Të shtruar në spitale 271
Humbje jete në 24 orë 4
Testime ditore 1315

Testime totale 117025
Raste pozitive 19157
Raste të shëruara 10654
Raste Aktive 8026
Humbje jete 477

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:
Tiranë 4113
Durrës 757
Fier 510
Shkodër 497
Korçë 488
Lezhë 383
Elbasan 348
Vlorë 319
Berat 229
Kukës 183
Gjirokastër 102
Dibër 97

Shifrat 25 Tetor
Mana

Astrit Patozi: Thjesht duhen injoruar, Jozefina!

Mund të bësh çfarë të duash Jozefina, parti, lëvizje, shoqatë, grupim, koalicion, aleancë etj dhe je në të drejtën e Zotit. Edhe në të drejtën tënde, sigurisht, si një ndër personalitetet e forta të Partisë Demokratike në vite, por edhe të së djathtës në përgjithësi.Vetëm një gjë do ta kisha këshilluar modestisht të mos e bëje: që të humbje kohë, duke u marrë me stalinistët e fundit në Europë, të cilët veçse të bëjnë nder duke të sulmuar.Nuk pretendoj t’i njoh sa duhet ish-republikat e largëta sovjetike sot, por jam i sigurt se në kontinentin tonë nuk gjenden të dytë si këta shakaxhinjtë e Republikës së Re. Ata e dinë se opozita është pronë dhe ti je duke i hyrë në oborrin e tyre, ndaj dhe kanë frikë se mund t’u marrësh ndonjë copë. Nuk kanë faj, se të tillë e kanë parë shembullin nga i pari i tyre në gjithë këto vitet e fundit. Por tek e fundit, janë të sinqertë në këtë çështje.Edhe në Shqipëri nuk kanë mbetur të tjerë që ta mendojnë politikën kaq vjetërsisht sa këta. Madje as tek ata që trashëguan Partinë e Punës, që përmbysëm në 1990-ën. Të cilët janë aq të mençur sa të mos e konsiderojnë tradhtar Ilir Metën, megjithëse ka më se 15 vjet që po ua nxin jetën, sepse me sa duket e kanë mbledhur mendjen që jetojmë në një sistem të ri, edhe pse nuk e kanë dashur, madje ende mund të mos e duan. Që të mos zgjatem me këtë temë të pakëndshme, këta janë të vetmit “pronarë” në botë, që tërbohen pasi marrin vesh se personi, që kanë larguar nga ndërmarrja e tyre, ka mundur të gjejë një punë tjetër. Dhe si unikalë që janë në marrëzinë dhe injorancën e tyre, ata duhen mëshiruar dhe injoruar.

SHBA, rekord i ri në infektimet ditore me Covid

Shtetet e Bashkuara kanë shënuar një rekord të ri ditor nga numri i rasteve të reja me koronavirus, duke rritur shqetësimin për një përkeqësim të pandemisë me afrimin e stinës së ftohtë.

Sipas gazetës The New York Times, më shumë se 82,000 raste u regjistruan në Shtetet e Bashkuara deri të premten në mbrëmje, duke kapërcyer me më shumë se 6,000 raste rekordin e shënuar më 16 korrik.

Gazeta raportoi gjithashtu se rreth 41,000 amerikanë po kurohen në spitale, një shifër që përfaqëson një rritje prej 41% të shtrimeve në spitale nga një muaj më parë.

Rajonet malore në perëndim dhe shtetet qendrore në veçanti po përjetojnë përkeqësim të ndjeshëm të situatës.

Sipas një analize të re nga Instituti i Statistikave Shëndetësore të Universitetit të Uashingtonit, shifrat e viktimave amerikane deri në shkurt mund të arrijë në mbi 500,000 vetë, nëse amerikanët nuk mbajnë maska. Nëse 95% e amerikanëve vënë maska, mund të shpëtohen 130,000 jetë, thotë instituti.

Ndërkaq, agjencia e Bashkimit Evropian për kontrollin e sëmundjeve mbështeti paralajmërimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë lidhur me rritjen e rasteve me COVID-19 në Evropë. OBSH paralajmëron se infektimet mund të shumëfishohen.

Drejtoresha e agjencisë evropiane për kontrollin e sëmundjeve Andrea Ammon tha se Evropa përballet me një kërcënim serioz ndaj shëndetit publik dhe me një “situate shumë shqetësuese epidemiologjike”.

Të gjitha vendet e BE-së përveç Qipros, Estonisë, Finlandës dhe Greqisë janë në kategorinë “tepër të rrezikuar”, thotë agjencia.

Në Gjermani, numri i viktimave ka shkuar në mbi 10,000 vetë, ndërsa numri i infektimeve ka arritur në mbi 418,000.

Rusia raportoi 16,521 raste të reja me koronavirus sot, ndërsa dje shënoi shifrën rekord prej 17,300 infeksionesh të reja me koronavirus brenda një dite.

Shmangia e izolimeve

Banorët në një numër vendesh evropiane, përfshirë Gjermaninë, Spanjën, Italinë, Britaninë dhe Sllovakinë po ndeshen me kufizime të reja në aktivitetin e përditshëm për të ulur ndërveprimet fizike.

Autoritetet po përpiqen të gjejnë mënyra për të ndalur përhapjen, mundësisht pa imponuar mbyllje të përgjithshme siç ndodhi në pranverë, gjë që rezultoi në goditje të fortë ekonomike.

Franca kapërceu 1 milionë raste të kofirmuara me koronavirus dje, pasi regjistroi një shifër rekord prej më shumë se 42,000 rastesh të reja brenda një dite.

Sipas një eksperti shëndetësor që po këshillon qeverinë franceze, virusi po përhapet tani në popullatë më me shpejtësi se në pranverë.

Protesta kundër masave kufizuese

Qindra protestues në Napoli u mblodhën mbrëmë për të protestuar kundër masave të reja izoluese.

Polonia njoftoi se i gjithë vendi do të kategorizohet si “zonë e kuqe” duke vënë në zbatim masa të forta kufizuese që nga dita e sotme. Në vend po mbyllen të gjitha baret, restorantet dhe po kufizohen grumbullimet publike, ndërkohë që maskat janë të detyrueshme edhe në mjedise të hapura.

Vende të tjera kanë marrë masa më të buta.

Belgjika, një ndër vendet e goditura më rëndë, ka kufizuar aktivitetet sociale dhe nuk lejon spektatorë në ndeshje sportive. Danimarka tha se nuk lejon më shumë se 10 pjesëmarrës në grumbullime publike dhe ndalon shitjen e alkoolit pas orës 22.

Sipas gazetës New York Times Agjencia e BE-së për kontrollin e sëmundjeve njofton se megjithë shtimin e numrit të të infektuarve, shtrimet në spitale janë në nivel të qëndrueshëm, rreth 50% e nivelit të regjistruar gjatë muajve mars dhe prill.

Ndërsa masat kufizuese janë zgjidhje të momentit, shpresat për një zgjidhje përfundimtare ndaj pandemisë varen nga prodhimi i një vaksine për këtë krizë globale që ka vrarë deri tani mbi 1.1 milionë njerëz në shkallë botërore./VOA

Tha se maskat nuk të mbrojnë, kritika të ashpra për mjekun gjerman

Kreu i organit të lartë mjekësor të Gjermanisë tha se nuk ishte i bindur se mbajtja e maskave jo-mjekësore të rrobave mund të largonte COVID-19. Komentet e tij kanë marrë kritika të ashpra, madje edhe një thirrje që ai të largohet.

Klaus Reinhardt, presidenti i Shoqatës Mjekësore Gjermane, është detyruar të sqarojë pozicionin e tij mbi mbajtjen e maskave pasi pretendimi i tij se nuk kishte “prova shkencore se ato në të vërtetë janë të dobishme” ndezi një protestë nga politikanët dhe mjekët.

Mbulesa të tilla fytyre, tha ai, nuk ofronin “aspak mbrojtje” për ata që i veshin ato, dhe vetëm “shumë pak mbrojtje kundër infektimit të të tjerëve”. Një rritje e shpejtë e rasteve të koronavirusit në të gjithë Gjermaninë gjatë javëve të fundit ka çuar në rregulla më të rrepta në shumë qytete, duke përfshirë urdhra për mbajtjen e maskave në disa rrugë të mbushura me njerëz dhe zona për këmbësorë.

Për pjesën më të madhe, rregullat gjermane mbi mbajtjen e maskave zbatohen në hapësirat e mbyllura si dyqanet dhe transporti publik. Përgjigja ndaj komenteve të Reinhardt ishte e shpejtë, me një anëtar të parlamentit madje që bëri thirrje për dorëheqjen e tij. Susanne Johna, kryetare e sindikatës së mjekëve “Marburger Bund”, tha se në një kohë kur ishte e rëndësishme për t’i dhënë publikut mesazhe të qarta, Reinhardt kishte krijuar përshtypjen “se maskat e përditshme për të mbrojtur kundër infeksionit me koronavirus nuk kanë shumë vlerë”.

“Ky mendim personal i presidentit të Shoqatës Mjekësore Gjermane kundërshton studimet aktuale dhe ka të ngjarë të diskreditojë qasjen e bazuar në prova për minimizimin e infeksioneve që ka qenë në vend për muaj” tha ajo. Johna theksoi gjithashtu që të dy maskat prej rrobe dhe maskat kirurgjikale ndihmuan në mbrojtjen e të gjithëve – por që ato duhet të përdoren së bashku me higjienë të mirë, ventilim të duhur dhe distancim fizik.

Reinhardt më vonë sqaroi komentet e tij në një deklaratë të përbashkët me bordin e shoqatës së tij. “Megjithëse ‘një maskë’ nuk është një mbrojtje e besueshme kundër infeksionit, ajo ndihmon për të mbrojtur të tjerët duke zvogëluar mekanikisht përhapjen e aerosolit” tha gjatë deklaratës./DW

Karikaturat e ‘Charlie Hebdo’ për Profetin Muhamed në ndërtesat qeveritare të Francës

Karikaturat satirike të Profetit Muhamed janë shfaqur të mërkurën në Bashkitë e qyteteve të Montpeljesë dhe Tuluzës. Ky vendim është marrë për të mbështetur protestat kundër ekstremizmit islamik që së fundmi i mori jetën një mësuesi, Samuel Patty.

Karikaturat ishin të gazetës ‘Charlie Hebdo’ që në 2015 humbi 12 përfaqësues për shkak të disa kariktaruave për Profetin Muhamed si dhe 11 të tjerë mbetën të plagosur.

Macron i është bashkuar frymës së protestave kundër radikalizimit dhe esktremizmit islamik që në Francë ka goditur shpesh herë me sulme terroriste.

Ruçi uron Ivica Daçiç për postin si kryeparlamentar

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i ka dërguar një letër Kryetarit të Asamblesë Kombëtare të Serbisë, Dačić, në të cilën e uron me rastin e zgjedhjes në këtë detyrë si dhe e fton për të marrë pjesë në Forumin e parë Ballkanik kundër Anti-Semitizmit, i cili do të organizohet online, më 28 tetor 2020, nga Kuvendi i Shqipërisë, në partneritet me Lëvizjen Kundër Anti-Semitizmit dhe Agjencinë për Hebrenjtë të Izraelit.

“Me rastin e zgjedhjes Tuaj në detyrën e lartë të Presidentit të Asamblesë Kombëtare të Serbisë, ju uroj suksese në përmbushjen me sukses të kësaj detyre të rëndësishme.

Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Serbisë po njohin zhvillime të reja, duke i shërbyer bashkëpunimit dypalësh e rajonal si edhe sinergjive për evropianizimin e rajonit.
Bashkëpunimi ekonomiko-tregtar kohët e fundit po shënon rritje të ndjeshme në fusha si tregtia, turizmi, energjia, transporti etj.

Shqipëria ka përshëndetur marrëveshjet e fundit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuara nga ShBA dhe mbështet dialogun midis të dy vendeve, ndërmjetësuar nga BE.

Bashkëpunimi parlamentar ka njohur gjithashtu rritje, pas vizitës së Kryetares së Asamblesë Kombëtare në Tiranë, në mars 2015 dhe disa takimeve të nivelit të lartë në aktivitete ndërkombëtare shumëpalëshe. Kam bindjen se bashkëpunimi midis Kuvendit të Shqipërisë dhe Asamblesë Kombëtare të Serbisë do të vijë duke u zgjeruar e forcuar.
Dëshiroj t’ju bëj me dije se Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, në partneritet me Lëvizjen Kundër Anti-Semitizmit dhe Agjencinë për Hebrenjtë të Izraelit, do të organizojnë Forumin e parë Ballkanik 2020 kundër Anti-Semitizmit (online) më 28 tetor 2020, i cili synon të krijojë një front të bashkuar të vendeve ballkanike për të punuar bashkarisht kundër anti-semitizmit.

Në Forum do të marrin pjesë Kryeministri i Shqipërisë, z. Edi Rama, Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, dhe kryetarët e parlamenteve të Maqedonisë së Veriut, Kosovës, Malit të Zi, përfaqësues të Parlamentit të Bosnje-Herzegovinës, si edhe zyrtarë të lartë nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe Izraeli. Të ftuar dhe folës specialë në Forum do të jenë Sekretari i Shtetit i ShBA, z. Michael R. Pompeo dhe Presidenti i Parlamentit Europian, z. David Maria Sassoli.
Do të ishim të nderuar me praninë tuaj në këtë aktivitet përmes një përshëndetjeje ose video-mesazhi të regjistruar.

Gjithashtu, dëshiroj tju bëj me dije se më 22 tetor 2020, Kuvendi i Shqipërisë adoptoi Rezolutën “Për miratimin e përkufizimit të përdorshëm për antisemitizmin, përcaktuar nga Aleanca Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit.”, shkruan në letrën e tij Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi.

Skip to toolbar