Atentat me armë në Berat për qiranë e lavazhit

Një atentat ka ndodhur në afërsi të Stadiumit të Beratit, ku tre persona kanë hapur zjarr ndaj një biznesi lavazh. Fatmirësisht nga të shtënat nuk ka pasur persona të lënduar, ndërsa burime policore thanë për mediat se të tre personat në fjalë janë arrestuar në tentativë për tu larguar.

Në pranga kanë rënë Vladimir Spahiu dhe Xhoni Spahiu si dhe një person me inicialet P.S. Ata kanë qenë duke lëvizur në një automjet dhe në ecje e sipër njëri prej tyre ka qëlluar me një pistoletë tip ‘TT’ në drejtim të Lavazhit dhe më pas janë larguar me shpejtësi.

Por tentativa e arratisjes të këtyre tre personave ka dështuar pasi policia ka mundur t’i ndalojë në aksin Zog-Poliçan. Në automjetin me të cilin po lëviznin autorët është gjetur edhe arma që qëlluan ndaj biznesit si dhe karikatori që ishin fshehur në një çantë. Ndërkohë policia e Shtetit ka ngritur një grup hetimor dhe po punon për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje.

Sipas të dhënave paraprake nga grupi hetimor, konflikti me armë ka nisur për qiranë e një lavazhi, pasi pronarët (babë e bir) kishin pretendime se qiramarrësit nuk paguanin në kohë. Policia tha se kanë qenë pronarët e lavazhit, të cilët kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të qiramarrësve, por fatmirësisht nuk ka pasur të plagosur.

Zbulohet kontrata që Roma ka gati për Hysajn

Elseid Hysaj mund të jetë një nga protagonistët e shkëlqyer të merkatos së dimrit. Mbrojtësi shqiptar ka grumbulluar vetëm tri paraqitje (aktivizime) në kampionat, këtë sezon, ose gjithsej 54 minuta me Napolin. Sipas “Corriere dello Sport”, qëllimi i mbrojtësit të kombëtares shqiptare është që t’ia fillojë përsëri nga një ekip tjetër, që i garanton më shumë hapësirë. Tashmë, nuk është fare sekret, që Roma do ta mirëpriste atë në janar.

Në fakt, Hysaj kishte “flirtuar” me verdhekuqtë edhe gjatë verës. Menaxheri i tij, Mario Giuffredi, ka pasur negociata me klubin kryeqytetas. Bisedat janë zhvilluar me Petrachi për një transferim të mundshëm. Sipas medias italiane, marrëveshja midis lojtarit dhe Romës do të bazohej në një kontratë 5-vjeçare, me pagë 2.5 milionë euro në sezon, por ka një pengesë për t’u kapërcyer: Aurelio De Laurentiis. Edhe pse mbrojtësi shqiptar shtyn për t’u larguar, presidenti i Napolit nuk është i gatshëm të bëjë zbritje të çmimit të kartonit të tij.

Kërkesat e napoletanëve fillojnë nga 20 milionë euro, një shumë që Roma kërkon të përgjysmohet. Verdhekuqve, pas dëmtimit të rëndë të Zappacosta, i duhet një element, që mund ta alternojë me Florenzi dhe të garantojë vazhdimësinë e performancës, kur ky i fundit të përparojë në pozicion më ofensiv. Të dyja klubet do të bisedojnë me njëri-tjetrin në janar, duke e ditur që Hysajt i skadon kontrata aktuale në vitin 2021. Shkodrani e ka bërë të qartë; synon të fillojë një aventurë të re. Ndryshe, do të vijojë të ngrohë stolin me trajnerin Ancelotti.

Rehabilitohet rruga në Llogara, lehtësohet qarkullimi

Autoriteti Rrugor ka përfunduar rehabilitimin e segmentit që kalon përmes Qafës së Llogarasë. Kjo ndërhyrje do të lehtësojë më tej qarkullimin e automjeteve, kryesisht gjatë sezonit të dimrit. Ndërkohë pritet që projekti të plotësohet edhe me sinjalistikën e nevojshme. Rehabilitimi ishte pjesë e marrëveshjes me Bankën Botërore.

Ministrja Belinda Balluku si dhe drejtori i ARRSH Ergys Verdho inspektuan punimet ndërsa thanë se prioritet i qeverisë në vijim është ndërtimi i një tuneli që do të lidhe Dukatin me Palasën. Bashkë edhe me aeroportin që do të ndërtohet në Vlorë, kjo zonë pritet të marrë një zhvillim të madh ekonomik në të ardhmen.

Kushtetuesja, Kuvendi shmang përplasjen, zgjedh 2 anëtarë pas Metës

Kuvendi i Shqipërisë do të presë Presidentin Meta deri në zgjedhjen e kandidaturës tjetër për Gjykatën Kushtetuese dhe më pas do të nisë procedurat për zgjedhjen e dy kandidatëve të vet. Kjo formë e heshtur koordinimi po aplikohet për të shmangur përplasjen mes dy institucioneve të cilëve Këshilli i Emërimeve në Drejtësi u ka vënë në dispozicion lista të ngjashme kandidatësh finalistë, të cilët aplikuan njëkohësisht për të gjitha vendet vakante në kushtetuese.

“Është një proces që do të duhet të përfundojë edhe nga ana e Presidentit që të shohim ehe kandidaturat që ngelen në listat e Kuvendit”, thotë kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja për A2CNN.

Por, a e vonon Kushtuesen një vendim shkarkimi nga shkalla e dytë e vetting-ut për të përzgjedhurin e Presidentit Besnik Muçi? “Do të kishte qenë mirë që Presidenti të zgjidhte një person që e ka mbaruar procesin e vetting-ut”, thotë kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla.

“Kuvendi është në pritje të mbylljes së procesit për vendin e tretë vakant që i takon Kuvendit, ndërsa edhe Presidenti, për vendin e tretë që i takon, është shpallur vendi dhe në dijeninë afati i dorëzimit të dokumenteve është data 19 tetor. Përtej këtyre emrave që kanë ardhur qoftë te Presidenti, qoftë te Kuvendi, shumë shpejt KED do të sjellë edhe emrat për dy vendet vakante që janë. Procesi për t’u bërë funksionale Gjykata Kushtetuese është në rrugën e duhur”, thotë Manja.

Nëse në 4 nëntor Muçi shkarkohet nga vetting-u, Gjykata Kushtetuese, e mbetur me një anëtar, do të detyrohet të shpallë vakancën dhe Presidenti të përzgjedhë mes kandidaturave të reja që KED do të duhet t’i përcjellë pas rihapjes së garës. Për vënien në punë të saj, nevojiten minimalisht 5 anëtarë.

Grezda rikthehet me gol, Memushaj asist në Seria B

Eros Grezda rikthehet te goli. Futbollisti i kombëtares shqiptare është rikthyer te goli pas shumë kohësh mungesë, polemikash dhe probleme te Rangers. Por tashmë duket se gjithçka është lënë pas dhe sulmuesi kërkon të tregojë vlerat e tij sportive.

Grezda luajti titullar për ekipin e dytë të Rangers ndaj Huddersfield në Skoci, ndërsa në minutën e 57-të ai gjeti rrjetën pas një goditje të bukur me të djathtën. Gjuajtja e Grezdës erdhi nga e djathta, e fortë aq sa portieri kundërshtar nuk mund të bënte asgjë.

Ky gol ishte i vetmi për Rangers në takimin kundër Huddersfield, që shënoi 5 herë në portën e Rangers. Megjithatë, goli i Grezdës është një sinjal pozitiv që i shërben futbollistit të lërë pas krahëve momentet jo pozitive që ka kaluar, për tu rikthyer përsëri në ekipin e parë te Rangers.

Në Serie B, mesfushori i kombëtares Ledian Memushaj dha asistin e golit të avantazhit në sfidën Pescara kundër Spezia. Në këtë takim portieri i kombëtares Elhan Kastrati e nisi titullar për ekipin e Pescara, pasi kishte shumë kohë që nuk luante.

Penalltia shpëton Bylis në Gjirokastër

Luftëtari ka barazuar 1-1 me Bylisin në takimin e parë të së shtunës të vlefshëm për javën e 8-të të Kategorisë Superiore. Ballshiotët shkonin në Gjirokastër me synimin për të marrë tre pikët dhe të ruanin hapin e Teutës kryesuese, por në fund është kënaqur me një pikë, që gjithsesi nuk ia prish shijen nisjes fantastike të sezonit nga ana e mallkastriotëve.

Në fakt, Bylisi ka qenë më pranë golit, sidomos në pjesën e parë. Por fillimisht Dovedan detyrohet të largojë sulmuesin Guindo nga fusha që në minutën e 3-të pas një përplasjeje të ashpër me Lalën e Luftëtarit. Guindo largohet me barrelë dhe më pas me ambulancë drejt spitalit. Më pas mallakastriotët shohin trarët e portës t’u mohojnë golin dy herë dhe në të dyja rastet është Ntepe që frenohet nga traversa dhe më pas nga shtylla e Qyranit.

Por pavarësisht vrullit të miqve, pjesa e parë ndahet pa gola dhe të parët që do të shënojnë do të jenë bluzinjtë, kur Açka në minutën e 62-të do të gjuajë saktë me kokë nga zhvillimet e një këndoreje dhe kalon në epërsi Luftëtarin. Bylisi do hidhet në sulm dhe në minutën e 71-të Enea Jorgji do e cilësojë faull ndërhyrjen e Açkës në zonë ndaj Goxhës dhe do të akordojë një penallti që kontestohet fuqishëm nga Luftëtari dhe nga tifozët në shkallët e stadiumit.

Gjithsesi, Isli Hidi nuk do të gabojë dhe do të thyejë homologun e tij gjirokastrit me një goditje të saktë me të majtën. Minutat e mbetura do të luhen mes një klime të acaruar. Trajneri Mantas është i papërmbajtshëm në stol, ndërsa publiku ka si shënjestër kryesorin Jorgji, por deri në fund nuk do të ketë më gola dhe dy skuadrat do të largohen me nga një pikë nga ky 90 minutësh.

Londër, rrëzohet marrëveshja e Johnson për Brexit

Nuk ka marrëveshje për Brexit, me 322 vota pro dhe 306 kundër është rrëzuar marrëveshja e Johnson me BE. Kryeministri i detyruar të kërkojë nga BE-ja një tjetër shtyrje.

Parlamenti britanik me 322 vota pro dhe 306 kundër e detyron tashmë Johnson të kërkojë një tjetër shtyrje të datës për Brexit deri më 31 janar të vitit 2020. Oliver Letwin, një deputet i cili u përjashtua nga partia konservatore  e Johnson muajin e kaluar, propozoi të refuzohet marrëveshja derisa i gjithë legjislacioni i kërkuar për zbatimin e projekt-ligjit, të miratohet nga Parlamenti.

Johnson tha se është “urgjente” që vendi të kapërcejë bllokimin dhe të “bashkohet”, duke deklaruar se marrëveshja e tij mund të “përçajë politikën britanike”. “Mos na tradhëtoni përsëri”, – tha Johnson duke iu drejtuar laburistëve. Lideri i opozitës britanike dhe kryetari i Partisë Laburiste, Jeremy Corbyn, tha në fjalën së tij në Parlamentin britanik se populli duhet ta japë fjalën e fundit për largimin e vendit nga Bashkimi Evropian, duke shtuar se ligjvënësit e tij nuk do ta përkrahin planin e kryeministrit Johnson për tërheqje nga BE-ja.

Votimi i marrëveshjes u zhvillua në një atmosferë të ndezur si brenda parlamentit ashtu dhe jashtë ku me mijëra njerëz kishin dalë për të protestuar në Hyde Park, dhe jashtë Parlamentit për të kundërshtuar daljen nga BE.

Erdogan: Respektoni paktin, ose të martën rinis operacioni

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha se Ankaraja do të rinisë operacionin kundër forcave kurde në veri të Sirisë të martën në mbrëmje, nëse ato nuk tërhiqen nga “zona e sigurt”. Turqia, me këmbënguljen e SHBA-së, u pajtua të enjten për të ndërprerë ofensivën derisa luftëtarët kurdë të tërhiqen rreth 30 kilometra larg kufirit të saj.

“Nëse premtimet mbahen deri të martën mbrëma, zona e sigurt do të zgjidhet. Nëse dështojnë, operacioni do të rinisë sapo të bëhen 120 orë”, tha Erdogan. Ai shtoi se forcat e armatosura turke do të mbeten në rajon, pasi “siguria e kërkon një gjë të tillë”. Por, Vëzhguesi Sirian i të Drejtave të Njeriut – grup që monitoron luftën në Siri – tha se sulmet ajrore të Turqisë kanë vazhduar edhe të premten në fshatin Bab al-Kheir.

Sipas Vëzhguesit, 14 civilë janë vrarë. Turqia e ka nisur operacionin e saj më 9 tetor për të pastruar, siç ka thënë, zonën e saj kufitare nga terroristët. Turqia i konsideron terroriste milicitë kurde në Siri dhe thotë se ato janë pjesë e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit – grup ky që ka luftuar me dekada për autonominë kurde brenda Turqisë.

Ofensiva turke, e cila ka zgjatur tetë ditë, thuhet se ka lënë qindra njerëz të vrarë dhe të plagosur, ndërsa ka detyruar mijëra të tjerë të zhvendosen. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha të premten se Erdogan e ka siguruar atë se ai do që armëpushimi me forcat kurde në veri të Sirisë të funksionojë./REL

Brexit, ditë e shënuar për Britaninë e Madhe

Mijëra protestues po marshojnë në Londër duke kërkuar nga parlamentarët një marrëveshje përfundimtare për Brexit, ndërsa deputetët debatojnë për marrëveshjen e Boris Johnson me BE. Mediat britanike raportojnë se dhe nëse nuk do të ketë shtyrje të votimit për marrëveshjen e arritur për Brexit, në parlamentin britanik, sërish ajo nuk do të miratohet. Marrëveshjes i duhen të paktën 320 vota për t’u miratuar në Parlament.

Parlamenti britanik pritet të vendosë për marrëveshjen e re të arritur dy ditë më parë mes Mbretërisë se Bashkuar dhe Bashkimit Europian. Sipas mediave britanike, për shkak të debateve në parlament, nuk do të ishte çudi nëse do të shtyhej votimi. Kjo është hera e parë që nga viti 1982, që parlamenti britanik mblidhet të shtunën. Debatet e para kishin të bënim me amendamentet e prezantuara një ditë më parë nga ish deputeti konservator Oliver Letuin. Nëse ato miratohen, votimi për marrëveshjen për Brexit do të shtyhej pasi parlamenti të ketë miratuar legjislaturën e duhur për implementimin. Një shtyrje vote që do të detyronte kryeministrin Johnson që të negociojë një shtyrje të re me Bashkimin Europian.

Amendamentet e Letuin i japin zë mosbesimit dhe dyshimeve të një pjese të madhe të deputetëve. Frika është se në rast të një marrëveshjeje, krahu më i ashpër i konservatorëve pro Brexit, do të fundosë miratimin e impiantit legjislativ të domosdoshëm. Në fjalën e tij të hapjes në parlament, Johnson  u shpreh se një shtyrje do të ishte e pamenduar, e kushtueshme dhe do të dëmtonte besimin publik. Kryeministri theksoi se një shtyrje tjetër pas tri vitesh e gjysmë nuk do të kishte kuptim në momentin që në tryezë ndodhet një marrëveshje e madhe që mund të miratohet.

Ndërsa jashtë, turmat janë mbledhur në Hyde Park, Circus Oxford dhe jashtë Parlamentit, ku deputetët janë ulur për të diskutuar marrëveshjen e fundit të arritur mes Johnson dhe BE. Kryebashkiaku i Londrës Sadiq Khan është në mesin e protestuesve. Duke folur për ‘Independenti, ai tha se Boris Johnson po i ofron popullit britanik ‘një zgjidhje të tmerrshme dhe të rreme për Brexit’. Ai e përshkroi marshimin e sotëm si një nga protestat më të mëdha, më të rëndësishme dhe më historike që ky vend ka parë ndonjëherë ”, ndërsa i bëri thirrje kryeministrit t’i jepte publikut fjalën e fundit për Brexit përmes një referendum të ri. “Ne do të marshojmë së bashku, jo sepse dëshpërohemi për demokracinë tonë, por sepse duam ta mbrojmë atë”, tha Sadiq Khan.

Lideri laburist Jeremy Corbin theksoi se nuk do të votojë pro marrëveshjes pasi nuk ka besim te qeveria aktuale, Sipas tij, marrëveshja e arritur nga Johnson do të ishte e dëmshme për ekonominë e vendit, për të drejtat e punëtorëve dhe ambientin.

Marrëveshjes i duhen të paktën 320 vota që të miratohet por rezultati i votimit mbetet ende i paparashikueshëm. E vetmja siguri është se kryeministri mund të mbështetet te Irlanda e Veriut, sipas së cilëve, marrëveshja e re parashikon një ndryshim të papranueshëm në trajtim mes Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut. Por dhe partia kombëtare skoceze është shprehur kundër kësaj marrëveshjeje. Sipas mediave britanike, Johnson ka nga ana e tij krahun e ashpër të konservatorëve dhe rreth 30 deputetë ish konservatorë dhe laburistë.

Treshja e sulmit të Barçës mposht Eibar, ngjitet në krye

Barcelona ka kaluar pa shumë probleme transfertën e Eibar, ku ka triumfuar 3-0, një fitore që e lejon përkohësisht të marrë vendin e parë, në pritje të rezultateve të takimeve të tjera. Katalanasit kanë 19 pikë, 1 më shumë sesa Real Madrid, që luan në mbrëmje.

Që në fillim katalanasit treguan dominimin, por tentativa më e suksesshme rezultoi në minutën e ‘13 kur Antoine Griezmann pas asistit të Lenglet mposhti portierin e Eibar, duke zhbllokuar shifrat. Edhe pse pati shumë kohë në dispozicion pjesa e parë u mbyll me këto shifra, ndërsa në të dytën radha për të shënuar ishte e Lioenl Messi-t. Ishte një këmbëngulje e Suarez dhe më pas asisti i Griezman ajo që e çoi Messi-n në një pozicion të volitshëm për të shënuar dhe për të dyfishuar rezultatin.

Në minutat në vijim pati kohë edhe për një gol të Luis Suarezit. Një top i mrekullueshëm nxori Messin përballë portierit, por ky i fundit u tregua mjaft altruist duke pasur te uruguaiani që nuk e pati të vështirë të realizonte. Me këtë fitore Barcelona merr përkohësisht vendin e parë, në pritje të rezultateve të sfidave të Real Madrid dhe Getafe-s.

Skip to toolbar