Kryemadhi: Rama të reflektojë, të japë dorëheqjen

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka komentuar vendimin e BE për mos hapjen e negociatave dhe përgjegjës për këtë bën kryeministrin Rama. Sipas Kryemadhit Europa i do shqiptarët dhe Shqipërinë por e ardhmja e vendit po mbahet peng nga Rama. Ajo i bën thirrje kryeministrit që të reflektojë dhe të japë dorëheqjen.

“Të gjithë shqiptarët kanë kuptuar shumë qartë se me Edi Ramën, bashkimi me BE-në është një objektiv i pamundur, një ëndërr e parealizueshme për ta. Shqipëria s’është dhe s’mund të jetë kurrë peng i tij, dhe dorëheqja e tij është reflektimi më i pakët për përgjegjësinë e rëndë politike që rëndon mbi kryeministrin”, është shprehur Kryemadhi.

Sipas saj shkak për mos hapjen e negociatave është mungesa e demokracisë dhe vota e lirë.

“BE tregoi qartë se rrënimi i themelit të demokracisë në Shqipëri, që është vota e lirë dhe e ndershme, shitblerja dhe kriminalizimi i saj, ku autori i vetëm është Edi Rama, dhe kjo që tashmë është  reflektuar edhe në kushtet që janë bërë publike, kushte që tregojnë dhe rrugën me të cilën do të dalë Shqipëria nga kriza për tu bërë pjesë e Bashkimit Europian.

I vetmi kryeministër në Europë i cili quan normalitet bashkëjetesën me kriminelët dhe grabitësit e pronës publike dhe votës së shqiptarëve, është Edi Rama.

BE refuzoi një qëndrim të tillë dhe u tregoi shqiptarëve se duhet të çlirohen nga kapja kriminale e shtetit të së drejtës, e qeverisë, e demokracisë dhe e lirive të tyre, autori i të cilave është kryeministri i vendit tonë, Edi Rama.

Korrupsioni, trafiku i drogës, pastrimi i parave, koncesionet grabitqare, dhunimi i pronës publike dhe private, kapja e drejtësisë, janë ato që e mbajnë larg dhe peng Shqipërinë nga Europa dhe përgjegjësi i vetëm për këto plagë të thella dhe për këtë pengesë që i bëhet rrugës europiane të Shqipërisë, është një dhe vetëm një,  kryeministri Rama.

Dështimi i Edi Ramës është individual, është personal, është i fokusuar vetëm te ai sepse ai zgjodhi që të ndërtojë të ardhmen e tij mbi atë të shqiptarëve, të pasurohet në kurriz të shqiptarëve duke i varfëruar ata, zgjodhi ti grabisë ata, zgjodhi tu prishë qetësinë familjare atyre, zgjodhi që të detyroi me qindra dhe mijëra shqiptarë që të largohen nga Shqipëria, për shkak të tokës së djegur që ndërtoi Edi Rama”, është shprehur Kryemadhi. Në përfundim ajo se do të punojë për të bindur miqtë tanë në Europë dhe botë sesa e rëndësishme është Europa për shqiptarët.

Gjobitje dhe vrasje, gjykata lë në burg vëllezërit Basho

Gjykata ka marrë vendimin “arrest me burg” për dy vëllezërit  Tesilvan dhe Satilno Basho, anëtarë të bandës së Llanajve në Vlorë. Seanca për dy vëllezërit është zhvilluar e ndarë dhe ata janë shoqëruar në masa të rrepta sigurie. Për Tesilvan Bashon seanca është zhvilluar në Gjykatën e Vlorës. Ai është arrestuar me qëllim ekstradimi pasi ishte në kërkim nga Itali për vrasje.  Ndërsa seanca për Satilno Bashon është zhvilluar në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë, me akuzën e ‘shtrëngim me dhunë për dhënie për dhënie pasurie’. 

Ai akuzohet se ka gjobitur dajën e mamasë, biznesmenin Sulejman Hoxha me 100 mijë euro. Ai i ka mohuar këto akuza, sipas së cilit ato para i takonin për shkak të një toke të përbashkët.

“Nuk kam lidhje me këtë akuzë. Unë kam shumë marrëdhënie të mira me dajën. Më ka ndihmuar sa herë që kam pasur nevojë. Ai kërkoi vetë që të shkoja e ta takoja unë për të marrë lekët dhe kur e kam marr vesh që është ankuar në polici i kam thënë “pse më fut mua në këtë mesele”. Atëherë e kam takuar edhe dajën dhe më ka thënë “nëse ti arrestohesh unë do vij të deklaroj se ti s’ke lidhje me këtë gjë. Më pas ky konflikt pronësie u zgjidh mes familjeve tona”, tha Satilno Basho në gjykatë.

Në fund të seancës, avokati mbrojtës tha se do të ankimojnë vendimin, me argumentin se Basho nuk ka kryer asnjë vepër penale. “Nuk është gjobvënie. Biznesmeni ka zënë tokën e këtyre dhe ai ka paguar pronën e zënë. Paratë ia ka dhënë disa herë në shuma të ndryshme. Do të ankimojmë vendimin sepse nuk ka vepër penale”, tha avokati.

Ndërsa vëllai tjetër Tesilvan Basho konsiderohet si person me rrezikshmëri të lartë, i dënuar në Itali me burgim të përjetshëm për vrasje, si dhe me precedent të theksuar kriminal në Shqipëri, në fushën e krimeve kundër personit dhe në fushën e narkotikëve. Ai akuzohet nga Italia për vrasjen e dy vajzave që ushtronin prostitucion në qytetin e Torinos.

Franca bllokon, Gjermania kërkon të investojë në Shqipëri

Nga një anë Franca vendos veton dhe bllokon zgjerimin e mëtejshëm të BE-së, nga ana tjetër Gjermania e mbështet Shqipërinë dhe madje e sheh si një vend me shumë mundësi për investitorët gjermanë.

Peter Zingraf, Ambasadori i Gjermanisë së Tiranë, gjatë një interviste për Agjencinë Telegrafike Shqiptare u shpreh se në vendin tonë ka firma gjermane që operojnë me mjaft sukses.

“Sigurisht që ka firma gjermane që këtu në Shqipëri që punojnë në mënyrë të suksesshme. Investimet janë në sektorë të ndryshëm, siç mund të jenë sektori i logjistikës, turizmit, automobilave, por mund të bëhet shumë më shumë se kaq”, tha ai duke shtuar se “ka mundësi që investimet të ishin shumë më tepër e kaq.”

“Firmat gjermane vijnë në Shqipëri, ne bëjmë me shumë dëshirë promovimin për mundësitë që ofrohen në Shqipëri dhe Shqipëria ka potencialitet të madh në këtë drejtim”-, nënvizoi Zingraf.

Duke u fokusuar te turizmi, ai pohoi se ka një rritje të numrit të turistëve nga Gjermania drejt vendit tonë vitet e fundit. Sipas ambasadorit Zingraf, turizmi malor, detar dhe ai kulturor pëlqehen shumë nga turistët gjermanë.

“Numri i turistëve gjermane që vijnë në Shqipëri është në rritje të vazhdueshme. Ajo që duam të theksojmë është se lloji i turistëve është diversifikuar, ka vizitorë qytetesh, turizëm kulturor, detare, malor, mosha është e ndryshme nga të rinjtë deri te më të moshuarit, dhe është një trend që është duke u zhvilluar më së miri”-, tha ambasadori  Gjerman në Tiranë.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka qenë avokatja më e madhe e Shqipërisë dhe mbështeti deri në fund kërkesën për çeljen e negociatave për Shqipërinë./realstory.al

Historia e Alvin, myftiu apel politikës: Të kthehen fëmijët shqiptarë në Siri

Pas bërjes publike të historisë së Alvi Berishës nga televizioni italian kanë ardhur një sërë reagimesh për fëmijët shqiptarë që jetojnë në kampet e ISIS në Siri.

Myftiu i Shkodrës imam Muhamed Sytari ka reaguar duke i bërë apel shtetit dhe diplomacisë që të veprojnë dhe të kthejnë në Shqipëri shumë fëmijë që kanë shkuar atje bashkë me prindërit të cilët u gënjyen  nga propaganda false dhe tani rrezikojnë jetën në Siri.

 “Familjet e shqiptarëve të gënjyer apo të mashtruar nga propaganda false të atyre ditëve të kthehen një orë e më parë në vendin e tyre sepse nuk kanë faj fëmijët e tyre për gabimet e prindërve dhe normalisht diplomacia me të gjitha format duhet të interesohet dhe të luajë një rol vendimtar qoftë edhe për kthimin e një fëmijë dhe çdo fëmijë por edhe çdo shqiptar është i shenjtë për tokën tonë dhe ne si komunitet fetar i qëndrojmë thirrjeve tone dhe nuk tërhiqemi as nuk e ndryshojmë thirrjen tonë për asnjë arsye sepse është një thirrje e drejtë dhe ajo që ka ndodhur në Siri gjatë këtyre viteve është një zullum i madh të cilin nuk e kemi dëshiruar dhe nuk e pranojmë dhe nuk e pranon asnjë mendje e shëndoshë”, tha imami.

Për rastin e Alvi Berishës reagoi edhe Kryeministri Edi Rama i cili tha se shteti shqiptarë ka bërë të gjitha përpjekjet për ta marrë fëmijën dhe se ka biseduar me babain e tij dhe ia ka shpjeguar situatën, por kjo çështje nuk varet nga shteti shqiptar, por edhe nga partnerët ndërkombëtarë. Rama tha se qeveria është duke punuar me partnerët ndërkombëtarë për të larguar nga kampet e ISIS gratë dhe fëmijët shqiptarë.

 “Dua të ndaj sot një shpjegim lidhur me një shqetësim që kam marrë prej një numri të konsiderueshëm bashkëqytetarësh në Itali, këtu, apo edhe në vende të tjera, mbi një emision të mbrëmshëm të RAI-t, kushtuar një të mituri shqiptar në një kamp në Siri. Për fat të keq ai emision drithërues sipas të gjitha përshtypjeve të marra, unë vetë nuk e kam ndjekur, ka lënë të kuptohet se çështja e djalit të mitur është një çështje thjesht vullneti nga ana e ambasadës tonë në Turqi, apo e Ambasadorit.

Kjo është tërësisht e pavërtetë. E vërteta është që prej disa kohësh unë kam nxjerrë një urdhër, një material i klasifikuar që nuk mund ta ndajmë dot me publikun për shkak të sensibilitetit të lartë lidhur me personat që gjenden në atë territor si pasojë e përfshirjes së burrave në një luftë për të tjerë, në funksion të organizatës terroriste dhe kriminale ISIS.

Shqetësimi ynë ka qenë i lidhur me nevojën për të aksesuar pikërisht këto kampe, ku ka një numër grash dhe fëmijësh.

Në bashkëpunim me partnerë amerikanë, ne kemi zhvilluar një proces të tërë identifikimi dhe disponojmë të dhëna mbi identitetin e shumë prej personave, por janë të dhëna shumë sensitive për shkak se ata njerëz janë të rrezikuar në jetën e tyre në mënyrë të përditshme. Tërheqja e tyre nga ato kampe nuk bëhet as nga ambasada, as ambasadori, sepse aksesi dhe gjithë procesi është tejet i komplikuar dhe kërkon një koordinim me partnerët. Ne kemi punuar intensivisht, kemi një plan të tërë veprimi të rakorduar me partnerët tanë kryesorë. Ka një sërë grupesh të përfshira në këtë proces. Nuk mund të ndaj më shumë informacione, por dua t’i them të gjithëve se po të ishte një çështje ambasadash apo ambasadorësh edhe vendet e tjera do të kishin tërhequr individët dhe në radhë të parë gratë dhe fëmijët, që janë viktima të drejtpërdrejta të zgjedhjeve të gabuara të prindërve apo të afërmve, që janë të përfshirë në një situatë dramatike që nuk është zgjedhja e tyre”, – tha Rama.

Duke shprehur gjithë keqardhjen, Kryeministri tha se “kjo është e vërteta dhe se së fundmi situata është edhe më e komplikuar”. “Ju e dini shumë mirë se në atë territor ka një situatë përplasjeje luftarake. Ne do të vazhdojmë të bëjmë punën që kemi bërë dhe siç e thashë jemi në koordinim të plotë më partnerët. Ju e patë besoj edhe një thirrje që u bëri Presidenti i SHBA-së vendeve europiane për të tërhequr njerëzit. Asnjë vend deri më sot, përfshi edhe Italinë fqinje ku është transmetuar ky emision dramatik, nuk ka bërë tërheqjen e njerëzve, sepse është një operacion vërtetë i komplikuar”, – tha Rama.

Sidoqoftë, Kryeministri siguroi se “fokusi ynë ka qenë qysh në fillim dhe mbetet tek gratë, të miturit dhe në bashkëpunim me partnerët si SHBA dhe po ashtu edhe me autoritetet turke, ne kemi arritur të grumbullojmë jo pak informacion. Kemi arritur të organizojmë kontakte dhe një plan për nxjerrjen e tyre nga kampet, si dhe është përgatitur gjithë infrastruktura e nevojshme për transportimin e tyre dhe një plan specifik masash për trajtimin e tyre pastaj këtu në Shqipëri”, – tha Rama.

Historia e Alvi Berishës u transmetua nga emisioni “Le Iene” në “Italia 1”.

SHBA, apel te Macron për negociatat

Një ndër gazetat më të mëdha ndërkombëtare me seli në Londër, Financial Times i ka kushtuar një artikull vendimit të BE për të mos vijuar me procesin e zgjerimit duke mos nisur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Sipas gazetës ndërkombëtare, Franca tani ndodhet nën presion për shkak të reagimeve kundër  qëndrimit të saj përsa i përket bllokimit të zgjerimit të BE-së. Financial Times shkruan se SHBA-të kanë ndërhyrë të premten teksa liderët e BE-së diskutonin në samitin e Brukselit, duke i bërë apel presidentit Macron që të votonte pro çeljes së negociatave duke njohur progresin e shënuar në drejtim të reformave nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

“Franca u përball me një reagim kritik pas bllokimit të fillimit të bisedimeve zyrtare të BE me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë për t’u bashkuar me këtë bllok, duke thelluar një mosmarrëveshje mbi zgjerimin që është bërë një provë përcaktuese e ambicieve strategjike të BE-së pas Brexit.

SHBA ndërhyri të Premten për të nxitur që të dy vendet të lejoheshin të fillojnë procesin e pranimit, pasi presidenti francez Emmanuel Macron qëndroi i vetëm në kundërshtimin e të ofertave të anëtarësimit të tyre gjatë bisedimeve me krerët e tjerë të BE në  samitin e Brukselit.

“Koha për të hapur negociatat e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është tani”, tha Morgan Ortagus, zëdhënëse e departamentit të shtetit të SHBA të Premten. “Shtetet e Bashkuara do të mirëpresin një vendim pozitiv,  duke njohur përpjekjet e të dy vendeve për realizimin e  reformave të nevojshme”, shkruan ajo.

Kritikët evropianë të qëndrimit të Parisit thonë se kjo është një tradhëti e premtimeve të bëra për dy shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe rrezikon t’i shtyjë ata dhe vendet e tjera të rajonit në orbitën e fuqive rivale si Rusia dhe Kina.

Giuseppe Conte, kryeministri i Italisë, u tha gazetarëve se dështimi për të hapur zgjerimin e BE për të dy vendet “do të mbahet mend si një gabim historik”. Donald Tusk, presidenti i Këshillit Evropian, gjithashtu tha se ishte një “gabim” për të mos filluar bisedimet e pranimit.

Shtyrja e ka zhytur qeverinë e Maqedonisë së Veriut në krizë. Partia kryesore e opozitës ka bërë thirrje që qeveria pro-BE e kryeministrit Zoran Zaev të japë dorëheqjen.

Ndërsa administrata e Presidentit Donald Trump ka pasur një marrëdhënie të vështirë dhe madje edhe armiqësore me BE në disa fusha, pikëpamja e saj për zgjerimin e BE  është e njejtë me shumicën e vendeve anëtare të Bllokut.

Udhëheqësit francezë kanë theksuar prej kohësh nevojën për të forcuar kohezionin në BE-në ekzistuese dhe për të thelluar reformat e saj të brendshme në vend që ta zgjerojnë atë, duke argumentuar se largimi i trurit dhe emigrimi masiv i të rinjve nga Bullgaria, Rumania dhe Kroacia në pjesën tjetër të BE demonstrojnë një problem të zgjerimit të nxituar.

Parisi nga ana tjetër dëshiron që Shqipëria të përmirësojë bashkëpunimin e saj për të kufizuar migrimin e paligjshëm në BE. Shumë azilkërkues në Francë janë shqiptarë që konsiderohet se ikin për shkaqe ekonomike sesa për t’i shpëtuar persekutimit – por Parisi është i kujdesshëm që të mos portretizohet se po e shigjeton Shqipërinë për shkak se ajo ka shumicën e popullsisë myslimane, ndërsa favorizon Maqedoninë e Veriut, e cila është kryesisht e krishterë”, shkruan Financial Times.

Braçe, i ashpër me Macron: Nuk na njeh, na diskriminon

Ndërsa kryeministri Rama u shfaq i qetë duke thënë se e pranon faktin se shtetet e BE-së do të vendosin ashtu si mendojnë ata për të mirën e vendit të tyre, zëvendës kryeministri Erjon Braçe ka reaguar ashpër kundër vendimit të BE, duke shigjetuar presidentin e Francës. Braçe falenderon Merkelin dhe Conten ndërsa shkruan se Macron nuk i njeh mirë shqiptarët dhe niset gabim ndërsa i paragjykon ata si azilkërkues.

Braçe i kërkon Macron që të hedhë sytë nga tregu i punës në Francë, ku janë shqiptarët që bëjnë punët e francezëve, madje, sipas zv.kryeministrit, edhe duke u keqpaguar dhe diskriminuar.

“Kush pretendon se na njeh prej “azilantëve”, gjykon me bezdi  qënie humane thjesht si problem për çështje te politikës së brendshme, nuk na njeh hiç.

Duhet te hedhë sytë nga tregu i tij i punës, me siguri duhet ta dijë se nuk është çështje burokratike vizash, por oferte në atë treg; i bëjmë ne punët tuaja, madje më të rënat, madje duke u keqpaguar e diskriminuar! Të paktën t’i njihni shqiptarët si punëtorë”, shkruan Braçe, ndërsa komenton vendimin e liderëve të BE të cilët nuk arritën në një marrëveshje unanime për t’i çelur negociatat Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Shpëtim Idrizi kërkon zgjedhje të parakohshme: Rama Ik

Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet e Shpëtim Idrizit ka reaguar në lidhje me vendimin e Këshillit të Europës,  për mos hapjen e negociatave për Shqipërinë duke bërë përgjegjës për këtë vendim, kryeministrin Rama. Idrizi kërkon largimin e Ramës dhe që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

“I vetmi hap që kryeministri duhet të mendojë sot dhe pa humbur asnjë minutë është dorëheqja e tij dhe hapja rrugë e normalizimit të klimës politike në Shqipëri dhe zgjedhjeve te parakohshme .

Pluralizimi politik dhe demokracia janë gurët e themelit të familjes europiane.

Sot rrezikojmë këto dy arritje të jashtëzakonshme të shoqërisë shqiptare në emër të një pushteti të vjedhur nga krimi dhe autoritarizmi”, shkruan Idrizi.

Sipas tij, Rama është përgjegjës për situatën në të cilën ndodhet vendi dhe se askush nuk e beson gënjeshtrën se negociatat nuk i hapën për shkak të reformës në BE.

“Për gjithë situatën ku është katandisur vendi ka vetëm një përgjegjës, kryeministri Edi Rama dhe politikat e tij në mbrojtje të krimit, shkatërruesit të demokracisë funksionale dhe ekonomise, të cilat po detyrojnë shqiptarët të braktisin masivisht vendin dhe po i vënë Shqipërisë një vulë turpi të pamerituar në familjen Europiane.

Alibia e problemeve të brendshme të Europës është e papranueshme”, shkruan Idrizi.

Presidenti francez Macron në konferencën për shtyp në fund të samitit e pranoi publikisht se Shqipëria ka bërë progres në realizimin e reformave të rëndësishme, por zgjerimi i BE-së nuk do të vijojë deri në reformimin e plotë të unionit,  pra ndryshe nga sa deklaron Idrizi.

Policia kap “skifterin” me 195 km në orë, 4 në pranga

Policia rrugore ka arrestuar 4 persona dhe ka pezulluar 23 leje qarkullim, ndërsa vijon patrullimin në rrugët kryesore në vend ku vazhdon e njëjta problematikë, e lëvizjes së automjeteve me shpejtësi tej normave të lejuara. Në videon e shpërndarë nga policia e shtetit shihen rastet konkrete të drejtuesve të mjeteve që udhëtojnë me shpejtësi 195 km për orë duke rrezikuar jetën e vet por edhe të udhëtarëve të tjerë.

Policia njofton se të gjithë aksionin e ka shtrirë në të gjitha rrugët urbane dhe interurbane në Tiranë dhe kontrollet kryhen me radar dhe drager ndërsa shumë automjete e trajtojnë rrugën si piste duke rritur ndjeshëm rrezikun për aksidente.

“Shumë drejtues mjetesh dhe motomjetesh e trajtojnë rrugën si pistë avioni, ndërsa mjetin si avion, duke u ekspozuar ndjeshëm ndaj rrezikut, për t’u përfshire ne aksidente rrugore, të cilat për shkak të shpejtësisë, nivelit të alkoolit në frymëmarrje dhe mënyrës agresive në drejtim, mund të jenë edhe udhëtimi i fundit për ta”, njofton policia.

Gjatë këtyre kontrolleve dhe patrullimeve policia ka arrestuar 4 drejtues mjetesh, nga të cilët 3 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 1 për largim nga vendi i vuajtjes së dënimit.

Janë pezulluar 23 leje drejtimi, nga të cilat 15 për shpejtesi mbi normat e lejuara dhe 8 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit.

Janë proceduar administrativisht 13 drejtues mjetesh për mosrregullim shpejtësie në qendrat e banuara dhe gara me shpejtësi.

Gjate patrullimeve dhe veprimeve policore të kombinuara janë kontrolluar fizikisht për sende të paligjshme 24 automjete të ndryshme dhe 34 persona.

https://www.facebook.com/1502420603377639/videos/551768878699951/?__xts__[0]=68.ARACHj2c4dKkfVQi0lRdhCR6pFEn6WvYbjsrUjijfHSG3tQsnGiwL5ip8IDsB7GXEw_9B_2FdKekHbWW4FhD9o-mbKJcWv-iB_YShl80qL1OTz1Q1bgCM3OClmxbWV9OiteSgbcPFqsJRWaF7l7ZeaHqgDS81e1nIAUCzNdQ-hakCPp7nab194N-DY7c0UIc-wjwMswfXmBevO_z7N3Eb7CUJkd_Podr8pxxkAjEf4-E-MDZMhVk7FQBMPdTKZULLxmWMpV5HTz1OMYsSkuyWBcf1KJy8oCNxFgEEs5Zu4XImeceAgwkQbMPgviJO3fsLdeLNzml5g2KMNKGnKGVvZfDY7UlSQG_NGpv8Q&__tn__=-R

Zjarri shkrumbon apartamentin në Shkozë, shpëton gruaja me 3 fëmijë

Një apartament u përfshi nga flakët mëngjesin e së shtunës në zonën e Shkozës në kompleksin e banesave sociale, por fatmirësisht e gjithë familja ka shpëtuar pa dëmtime.

Zjarri ka rënë në një apartament të katit të fundit. Zjarri fillimisht ka rënë në kuzhinë dhe më pas është përhapur në të gjithë banesën.  Në apartament kanë qenë çifti i bashkëshortëve dhe 3 fëmijët e tyre, të cilët kanë shpëtuar mrekullisht dhe pa lëndime.

Pasi u njoftuan për ngjarjen, forca zjarrfikëse mbërritën në vendin ku ra zjarri duke bërë të mundur shuarjen e tij. Zjarri ka shkrumbuar gjithçka brenda në banesë ndërkohë që po hetohet për shkaqet e tij.

Kryeministri italian: Negociatat i diskutojmë sërish në nëntor

Kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte ishte kritik dhe i ashpër për dështimin e bisedimeve për zgjerimin e BE dhe tha se përpjekja diplomatike e vendit të tij për të hapur negociatat, do të fillojë përsëri në Këshillin e Çështjeve të Përgjithshme që do të zhvillohet në Nëntor.

 “Nëse BE krijon këtë dekurajim në të dy shtetet, rrezikon që shtetet e tjera të përfitojnë për të rritur influencën në këtë rajon”, theksoi Conte në fjalën e tij para medieve pas samitit të Brukselit.

Kryeministri italian ka qenë gjithmonë në mbështetje të zgjerimit evropian dhe në mbështetje të çeljes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Madje më herët gjatë të premtes ai tha se do të ishte gabim historik nëse BE nuk merrte një vendim pozitiv, aq më tepër që të dy këto shtete kanë shumicë popullsie myslimane.

 “Jam përpjekur shumë që të bind kolegë duke u sqaruar se kjo zonë me një shumicë popullsie myslimane që kanë një zhvillim kulturor europian është diçka shumë e madhe, një forcë shumë e madhe. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë një jetë që kërkojnë të hapen negociatat. Mbrëmë nuk arritëm një konkluzion. Është e rëndësishme që dy vende me shumicë popullsie myslimane kanë ëndërr të hyjnë në BE. Shpresoj që mos të bëhen pesimiste. Ne do t’i qëndrojmë pranë Shqipërisë”, deklaroi kryeministri italian.

Skip to toolbar