Merkel thuhet ka refuzuar kërkesën e Komisionit Europian për
hapje të shpejtë të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
DW raporton se sipas gazetës së njohur gjermane, Süddeutsche
Zeitung” të premten (07.06) kancelarja gjermane, Angela Merkel i ka bërë
një refuzim të qartë kërkesës së Komisionit Europian për hapje të shpejtë të
negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Këtë ajo e
ka thënë në një seancë të komisionit parlamentar të Bundestagut për Europën,
sipas informacioneve të “Süddeutsche Zeitung”. Merkel ka bërë të qartë, se një vendim për këtë
pritet më së hershmi në tetor.
Me këtë kancelarja del qartazi kundër partnerit në
koalicion, Partisë Socialdemokrate, SPD, që përkrah votimin pro për hapjen e
negociatave në Këshillin e BE më 18 qershor. Ministri gjerman i Shtetit për
Europën në Ministrinë e Jashtme, Michael Roth (SPD) është një nga politikanët
gjermanë që është angazhuar fort javët e fundit për hapjen e negociatave me dy
vendet e Ballkanit. Ai ka theksuar në intervista të ndryshme, se angazhimi i
Shqipërisë për reforma duhet të vlerësohet.
CDU/CSU dhe SPD me
qëndrime të ndryshme
Mospërputhja e qëndrimeve brenda koalicionit qeverisës
gjerman u vu re hapur pas publikimit të progres-raportit të Komisionit Europian
në fund të majit. KE kërkoi hapjen e shpejtë të negociatave si me Shqipërinë
ashtu edhe Maqedoninë e Veriut. Por CDU/CSU është e rezervuar edhe këtë vit,
ajo ka nevojë për analizë të kujdesshme
raportit. Deputeti gjerman i CDU, dhe kryesues i grupit parlamentar për
Ballkanin Perëndimor në Bundestag, Johann Wadepuhl, ka thënë se CDU/CSU do
duhet të shqyrtojë me kujdes raportet e progresit mbi Shqipërinë dhe Maqedoninë
e Veriut.
“Vetëm në këtë mënyrë mund të marrim një vendim të
përgjegjshëm nëse janë plotësuar me të vërtetë kushtet e fillimit të
negociatave për anëtarësim të këtyre dy vendeve në BE”, ka thënë Wadephul
në një deklaratë të publikuar menjëherë pas publikimit të progres-raportit të
KE në fund të majit. Për Wadephul, Shqipëria nuk ka plotësuar asnjë nga kushtet
e caktuara në Këshillin e Ministrave të Jashtëm, të datës 28 qershor 2018.
Për shkak të kalendarit të punës të CDU/CSU nuk besohet, se
kjo temë do të shqyrtohet para vjeshtës.